Politike

Nga Fatos Nano, Koço Kokëdhima, Tom Doshi te Elisa Spiropali, historia e spastrimeve në PS që mban firmën e Edi Ramës

Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës i shtohet një historie të gjatë përplasjesh dhe largimesh brenda Partisë Socialiste, ku figura të rëndësishme politike kanë humbur me kalimin e viteve pozicionet e tyre në strukturat drejtuese apo në grupin parlamentar.

Përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste ka rikthyer në vëmendje historinë e gjatë të largimeve dhe përjashtimeve brenda kësaj force politike me ‘arkitekt’ Edi Ramën.
Prej vitesh, përplasjet me drejtimin e partisë, mosmarrëveshjet politike dhe qëndrimet e ndryshme kanë sjellë largimin e figurave të njohura nga grupi parlamentar apo strukturat drejtuese të PS-së.
Nga Fatos Nano, te Kastriot Islami, Tom Doshi, Saimir Tahiri e deri te Elisa Spiropali, lista e emrave që kanë përfunduar jashtë strukturave të socialistëve dëshmon se përplasjet e brendshme nuk kanë qenë një fenomen i izoluar, por një pjesë e përsëritur e historisë së kësaj partie.

Një nga rastet e para dhe më të bujshme ishte ai i ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 2007.
Në atë kohë, Edi Rama, i cili drejtonte Partinë Socialiste, u komunikoi gazetarëve se Nano nuk ishte më pjesë e projektit politik të PS-së, duke shënuar një tjetër kapitull në përplasjet për drejtimin e së majtës.

Po në vitin 2007, PS-ja përjashtoi nga Grupi Parlamentar gjashtë deputetë: Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta. Shkak u bë vota e tyre pro Bamir Topit për President të Republikës, në kundërshtim me qëndrimin politik të partisë.

Nga Kastriot Islami te Saimir Tahiri, përplasjet që tronditën socialistët
Në vitin 2011, radha i erdhi Kastriot Islamit, i cili u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PS-së pas mosrespektimit të qëndrimit politik të partisë.
Kjo periudhë u karakterizua nga përplasje të forta brenda së majtës, ku një rol të rëndësishëm pati edhe Lëvizja për Mendim Ndryshe, ku bënin pjesë Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Marko Bello. Kritikat dhe kundërshtitë ndaj drejtimit të partisë krijuan një klimë të tensionuar brenda strukturave socialiste.
Në vitin 2015, një tjetër emër i njohur, Tom Doshi, u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Një vit më vonë, në vitin 2016, Koço Kokëdhima u shkarkua nga funksionet drejtuese në PS, duke u bërë pjesë e listës së figurave që humbën pozicionet e tyre në strukturat e partisë.
Në vitin 2017, ishte radha e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u përjashtua nga Grupi Parlamentar dhe forumet e Partisë Socialiste.
Lista vijoi edhe në vitet pasuese. Në vitin 2021, Dritan Leli u përjashtua nga Partia Socialiste, pas përplasjeve të tij me drejtimin politik të kësaj force.
Rasti më i fundit është ai i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, të cilët u larguan nga të gjitha forumet drejtuese të Partisë Socialiste pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare.
Vendimi u bë publik nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë.
Të dy mbeten anëtarë të Partisë Socialiste, por tashmë jashtë strukturave drejtuese të saj. Lëvizja vjen në një moment kur Edi Rama ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në organizimin e partisë, duke larguar edhe Erion Veliajn nga drejtimi politik i PS-së në Tiranë.
Në vend të kryebashkiakut janë emëruar si bashkëdrejtues Ervin Demo dhe Albana Koçi, ndërsa Veliaj ka mbetur anëtar i thjeshtë i partisë.
Kështu, përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës i shtohet një historie të gjatë përplasjesh dhe largimesh brenda Partisë Socialiste, ku figura të rëndësishme politike kanë humbur me kalimin e viteve pozicionet e tyre në strukturat drejtuese apo në grupin parlamentar.
Historiku i largimeve dhe përjashtimeve në PS:
2007 – Fatos Nano: Edi Rama deklaron se Nano nuk është më pjesë e projektit politik të PS-së.
2007 – Gjashtë deputetë socialistë: Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta përjashtohen nga Grupi Parlamentar pas votës pro Bamir Topit për President.
2011 – Kastriot Islami: Përjashtohet nga Grupi Parlamentar pas mosrespektimit të qëndrimit politik të PS-së.
2015 – Tom Doshi: Përjashtohet nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
2016 – Koço Kokëdhima: Shkarkohet nga funksionet drejtuese në PS.
2017 – Saimir Tahiri: Përjashtohet nga Grupi Parlamentar dhe forumet e PS-së.
2021 – Dritan Leli: Përjashtohet nga Partia Socialiste.
2026 – Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca: Largohen nga të gjitha forumet drejtuese të Partisë Socialiste, por mbeten anëtarë të saj./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button