Denoncoi personazhe të njohur, dhunohet barbarisht gazetari Elton Tozaj

Gazetari Elton Tozaj është dhunuar sërish. Përmes një postimi të fundit në rrjetet sociale, ai ka publikuar një fotografi ku shfaqet i gjakosur dhe me kokën tërësisht të fashuar, duke lënë të kuptohet se ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm.
Krahas pamjeve shqetësuese, Tozaj ka reaguar me tone të ashpra, duke iu drejtuar personave që qëndrojnë pas incidentit se “do ta paguajnë këtë që kanë bërë”.
“Kushdo që e bëri këtë do e paguajë shumë shtrenjtë! Nuk më ndalni dot!”, shkruan ai në postimin e publikuar.
Mesazhi i gazetarit ngre dyshime se lëndimet mund të jenë pasojë e një sulmi të qëllimshëm. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, vendndodhja apo identiteti i personave të dyshuar.
Postimi vjen pas disa denoncimeve publike të bëra nga Tozaj, i cili ka folur për ekzistencën e materialeve intime dhe aferave që, sipas tij, përfshijnë figura të njohura dhe persona që ushtrojnë funksione publike.
Nuk dihet nëse incidenti i raportuar nga gazetari ka lidhje me këto deklarata, ndërsa deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar për ndonjë kallëzim apo hetim të nisur nga autoritetet.
Pritet që sqarimi i rrethanave të hedhë më shumë dritë mbi atë që i ka ndodhur gazetarit.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që gazetari Elton Tozaj është dhunuar, pasi edhe më herët ai ka qenë viktimë e një incidenti të ngjashëm. Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës në dhjetor të vitit 2025, ndërsa dhuna e ushtruar ndaj Tozajt ka qenë e rëndë, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike.





