Protestat e studentëve, Arbana Osmani mesazh Edi Ramës: Mjaft, respekto dhe dëgjo popullin tënd!

Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar për protestat dhe përplasjet e dhunshme në Tiranë, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë qytetarët dhe të respektojë kërkesat e tyre. Ajo ka dënuar ashpër dhunën nga të gjitha palët, duke shprehur shqetësimin për të rinjtë e lënduar dhe dëmet e shkaktuara në kryeqytet.
Përmes një postimi në Instagram, Osmani ka shpjeguar arsyet pse kishte zgjedhur të mos reagonte gjatë ditëve të fundit, duke theksuar se zhvillimet në vend kërkojnë reflektim dhe jo komente të nxituara në rrjetet sociale.
“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh; sepse mendoj se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një reality show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani i shtëpisë, as një mundësi për t’u shfaqur populiste me statuse për më shumë ‘likes’ në Instagram. Duhet kuptuar, për të reaguar”, shkruan moderatorja.
Teksa ka folur edhe si nënë e tre fëmijëve, ajo është ndalur te pamjet e të rinjve të lënduar gjatë protestave, por edhe te shkatërrimet e shkaktuara në Tiranë.
“Si një nënë e 3 fëmijëve, më dhëmb të shoh të rinjtë e pashpresë, disa prej tyre në moshën e djalit tim, të rrihen dhe lëndohen duke marrë dhunën si të vetmen përgjigje për kërkesat e tyre legjitime, ashtu siç më dhëmb të shoh Tiranën të digjet për të satën herë në këto 30 vite”, shprehet ajo.
Osmani thekson se nuk e konsideron dhunën një zgjidhje, pavarësisht se nga cila palë ushtrohet. Moderatortja kritikon si ndërhyrjet e dhunshme të policisë, ashtu edhe veprimet e protestuesve që dëmtojnë institucione dhe biznese.
“Unë nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se dhuna është zgjidhja. Këtë e mendoj qoftë për ata policët që tentojnë të shpërndajnë turmat me shkopinj gome, qoftë për ata që shkatërrojnë institucione e biznese që iu përkasin të gjithëve, qoftë dhe për plot miq e mikesha të Instagramit që me statuset e tyre populiste justifikojnë dhunën”, vijon ajo.
Në fund të mesazhit, moderatorja i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar t’i japë fund shpërfilljes së qytetarëve.
“Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit: ‘Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje.’ Askush nuk e meriton këtë”, përfundon Arbana Osmani.






