“Edi, çoje vendin në zgjedhje”/ Murrizi ‘shpërthen’ ndaj Spiropalit: Boll se na hape barkun, shërbëtore e Ramës!

Ish-deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, ka shpërthyer ndaj socialistet Elisa Spiropali lidhur me deklaratën e kësaj të fundit pak më parë, ku i kërkonte kryeministrit Rama reflektim.
Duke përdorur tone të ashpra, Murrizi ka bërë akuza të drejtpërdrejta për qëndrimet e saj politike dhe raportin me kryeministrin Edi Rama. Murrizi u shpreh i bindur se Spiropali do të votonte sërish në mbështetje të Ramës, edhe në rast se në Kuvend do të paraqitej një mocion besimi për kryeministrin, pavarësisht deklaratave të saj të fundit.
“Boll, Elisa, se na hapët barkun! “Parimore” me letra e shërbëtore me votë! Edhe po të vijë në Parlament një mocion besimi për Ramën, jam i sigurt që do të votosh përsëri pro Ramës, sepse ju jeni “ushtarë”, jo deputetë, dhe nuk përfaqësoni askënd, sa kohë që jeni të emëruar nga firma e kryetarit dhe jo të zgjedhur nga vota e qytetarit.
Them mocion besimi, se mocioni i mosbesimit, që është praktikë normale pothuajse në çdo vend demokratik, në Shqipëri është hequr nga Kushtetuta e pazarit të qelbur të prillit 2008, kur iu hoq e drejta shqiptarëve për të zgjedhur me votë përfaqësuesit e tyre. Prandaj, a ka mundësi të mos na çani trapin?”, shkruan Murrizi./Pamfleti





