Shkurte Fejza i bën thirrje Ramës për protestat studentore: Dëgjoni rininë, gjeni një zgjidhje të drejtë

Këngëtarja e njohur e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, i ka bërë një thirrje publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kohën kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione.
Përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, Fejza iu drejtua Ramës me një lutje.
Ajo ka kërkuar nga ai që të dëgjojë studentët për shqetësimet e tyre, me vëmendje dhe pa paragjykime.
Reagimi i artistes vjen në një kohë kur situata është përshkallëzuar në Tiranë me protestat masive dhe përplasjen e të rinjve me forcat e rendit.
“Një lutje me zemër për Shqipërinë… I NDERUAR KRYEMINISTËR, z.EDI RAMA. Po ju drejtohem me respekt dhe me zemrën e një artisteje shqiptare, por mbi të gjitha, me ndjenjën e një nëne që dëshiron ta shohë rininë e vendit të saj të jetojë me shpresë, dinjitet dhe besim në të ardhmen.
“Shqipëria është më e madhe se secili prej nesh. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët, është amaneti i të parëve dhe ëndrra e fëmijëve tanë”.
“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë. Ata janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë, janë rinia ku mbështetet e ardhmja e këtij vendi. Pas çdo studenti që kërkon zgjidhje, qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra”.
Ad
Këngëtarja kërkoi po ashtu që të gjejë një rrugë mirëkuptimi me studentët dhe një zgjidhje që nuk thellon ndarjen.
“Zoti Kryeministër, ndonjëherë madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit. Ju lutem, gjeni një rrugë mirëkuptimi, një zgjidhje të drejtë e të arsyeshme, që u jep studentëve shpresë dhe familjeve qetësi. Një zgjidhje që nuk e thellon ndarjen, por ndërton ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve”, ka theksuar Fejza.
“Asnjë fitore nuk është më e çmuar se mirëqenia e popullit dhe asnjë krenari nuk është më e madhe se ajo që buron nga dëgjimi i zërit të qytetarëve. Si artiste, jam mësuar që kënga t’i bashkojë njerëzit edhe kur fjalët nuk mjaftojnë. Sot, dëshira ime është që edhe fjala të shërbejë si urë bashkimi, jo si shkak për ndarje”.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre. Me respekt për institucionet, me dashuri për popullin dhe me lutjen që të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjithë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe çdo shqiptar që dëshiron një të ardhme më të mirë për fëmijët e vet!”.
Protestat në Tiranë janë tensionuar gjatë katër ditëve të fundit, me përplasje mes protestuesve të rinj dhe forcave të rendit. Raportohet se disa prej protestuesve kanë pësuar lëndime të rënda derisa revolta e tyre ka marrë vëmendje ndërkombëtare.





