Aksident fatal në Levan-Tepelenë, humb jetën 55-vjeçari – përplasen “Audi” dhe “Benz”

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Levan–Tepelenë, pranë Rrethrrotullimit të Levanit.
Dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën drejtuesi i “Audit”, shtetasi D. B., 55 vjeç.
Ndërkohë, tre pasagjerë që udhëtonin në “Audi” janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe drejtuesi i automjetit “Benz” është dërguar në spital dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut.
Trupi i viktimës është transportuar drejt morgut, ndërsa në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë qenë një nga faktorët që ka shkaktuar përplasjen fatale, por dinamika e saktë dhe shkaqet e aksidentit do të përcaktohen nga hetimet e Policisë.
Fier/Informacion paraprak
Në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, shtetasi G. M., 40 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përfshirë në një aksident rrugor me një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin D. B., 55 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi D. B., ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi G. M., si dhe tre pasagjerët që ndodheshin në automjetin tip “Audi”, janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.



