Personazh

Arratisja e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshenit në vitin 1987, rrëfimi i rrallë: Shkuam në Ambasadën jugosllave në Athinë me th*kën në fyt…

Të arratiseshe për një jetë më të mirë në Shqipërinë moniste ishte një bast me jetën. Jo për atë që do të ndërtoje jashtë, porse çfarë pasojash do të kishte për personin që e ndërmerrte këtë iniciativë heroike. Nuk bënin përjashtim as ata sportistë që përfitonin nga një rrugëtim jashtë Shqipërisë për ta braktisur atdheun e tyre në mjerimin që e kishte kapluar pas 5 dekadash diktaturë. Por ama, ka disa histori që kur i dëgjon të rrëfyera nga vetë personazhet, ato të duken surreale, pjellë e një imagjinate që një i ri i shekullit të ri as nuk e merr dot me mend.

E tillë është edhe historia e arratisjes së bujshme në vitin 1987 e dy futbollistëve të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulzim Bërsheni. Na u desh që të flisnim gjatë me ish-portierin Arvid Hoxha, i cili sot jeton në Amerikën e largët. Është intervista telefonike më e gjatë e autorit të këtij shkrimi, plot 1 orë e 32 minuta. Arvid Hoxha gjatë rrëfimit të tij ekskluzivisht për “Panorama Sport” më 2022 tregon me detaje se çfarë ndodhi në natën e 7 nëntorit 1987, kur së bashku me Lulzim Bërshenin ikën nga hoteli fshehurazi dhe kapërcyen murin e ambasadës jugosllave.

A keni ndonjë peng nga koha kur keni luajtur me Vllazninë, meqë ma përmendët…?

Me sportin gjithmonë ke një peng. Edhe kur vjen momenti i fundit, ti nuk bën kompromis me veten, ndonëse e di që të ka ardhur fundi sportiv, prapë të mbetet peng diçka.

Juve çfarë ju mbeti peng?

Unë nga Vllaznia u largova si portier i parë. Kam qenë titullar në vitin 1984. Pësova një dëmtim, nga ato dëmtimet e rralla që kanë ndodhur në Shqipëri në atë periudhë.

Çfarë dëmtimi?

Ishte një ndeshje në Elbasan, minuta e fundit e pjesës së parë, pësova 9 thyerje në anën e majtë të fytyrës.

Nëntë thyerje në fytyrë…?!

Po, nëntë thyerje. U shpërfytyrova. Ai është një nga pengjet e mia që më nxori jashtë si titullar. Luaja me të rinjtë, me Shpresat në atë kohë… Kam pasur një karrierë të padiskutueshme, kam qenë portier i parë me gjithë moshat derisa arrita të futesha portier i parë me Vllazninë. Dhe në atë periudhë 2 ose 3 herë kam dalë në 11-shen e javës, për sezonin futbollistik në të cilin kam qenë duke luajtur. Por ai dëmtim ishte aq i rëndë, sa i falemnderit Abedin Gjinit dhe Gafur Shtinos, dy stomatologë të Tiranës, me gjithë stafin e tyre dhe me vëllain e Astrit Hafizit, doktor Artur Hafizin. Ky i fundit më ka ndenjur mbi krye në çdo moment për gati një muaj. Pas kësaj ndërhyrjeje kirurgjikale të veçantë për atë periudhë unë kam arritur të shkoj në Rumani. Ata (mjekët) arritën të ma kthenin fytyrën në gjendje normale, fytyrën që kam sot. Fytyra ime ishte si gjysmë fytyre, pjesa e majtë mungonte komplet. Kjo ishte gjëja më fatale e karrierës sime, që nuk përmendet, por vetëm shpirti im e di.

Sinqerisht, nuk e dinim këtë…

E di i gjithë grupi futbollistik, se ne bashkë kemi luajtur në atë ndeshje. Një ndeshje fatale në Elbasan. E di prof. Astriti (Hafizi), prof. Esati (Rakiqi) ndjesë pastë, se nuk jeton më, e dinë tifozët. E dinë të gjithë, por harrohen gjërat. Si thonë, vetëm ai që e ka përmbi shpinë, vetëm ai e di.

Sa e kushtëzoi kjo karrierën tuaj profesionale? Sa kohë ju desh të rikuperoheshit dhe sa kohë ju desh të fitonit vendin e titullarit te Vllaznia?

Tani, nëse kthehemi të flasim për atë periudhë, duhet të sqaroj se ishte një periudhë që prof. Astriti (Hafizi) dhe stafi i Vllaznisë në atë kohë kishin pak frikë ose ta themi troç: e humbën besimin se unë mund të rikthehesha sërish si titullar pas atij dëmtimi të rëndë. Vendosën të më linin jashtë formacionit dhe e bënë këtë pa pyetur për egon time profesionale për sportin ose dëshirën time për të fituar vendin që unë e humba nga dëmtimi fizik, jo nga paaftësia. Por, kjo e drejtë nuk m’u dha. Atëherë e bënë fakt të kryer dhe morën në vendin tim, ndjesë pastë, Agim Maliqatin. Ishte djalë jashtëzakonisht i mirë, i një familjeje të nderuar. Kemi qenë miq bashkë, por ai nuk kishte gisht për sa i përket kësaj pune, sepse nuk ishte vendimi i tij për të më lënë mua jashtë.

Çfarë ndodhi saktësisht, mund të na e shpjegoni?

Pas dëmtimit morën vendimin që unë të mos luaja. Ma thanë kur shkuam në fazën përgatitore për ndeshjen e Kupave kur unë më pas u largova në Athinë. E gjitha kjo ndodhi në fazën përgatitore dhe unë, në fakt, isha kthyer 100 për qind i gatshëm për të hyrë në portë, për të fituar vendin që më takonte.

Pse mendoni se ishte padrejtësi? Ju vetë thoni se vinit nga një dëmtim i rëndë…

Sepse para asaj ndeshjeje unë kam shkuar në Rumani me skuadrën dhe stafi i Vllaznisë më ka lejuar të luaj në Rumani. Pra, lënia jashtë ndodhi pas një muaji që unë kisha bërë operacionin.

Luajtët një muaj pas operacionit?

Po, luajta.

Po mjekët çfarë ju thanë?

Prof. Abedini dhe doktorët e tjerë më thanë: “Ti je njeriu më i marrë në botë që ke pranuar të luash pas kthimit nga ky operacion”. E, unë kam luajtur në Rumani pra.

Prisni pak, çfarë ndeshjeje ishte kjo në Rumani?

Ishte ndeshje e vlefshme për Kupën Ballkanike kundër Gloria Buzaut. Është luajtur në vitin 1986 në mos gaboj dhe jemi mundur 3-0.

Edhe çfarë ndodhi atje?

Unë vija pas një dëmtimi të rëndë, por në Rumani nuk morën asnjë portier për atje. Unë shkova si portier rezervë, sepse do të merrej Gëzimi që ishte portier në Lezhë. Por, kur erdhi puna për të shkuar në Rumani, Agimin nuk e morën. Atëherë mbetëm pa portier. Kemi shkuar të luajmë në Rumani me Glorian e Buzaut pa portier. Donte të hynte si portier Faslli Fakja dhe u thashë: “Do të koritemi, ndaj do të hyj unë. Dua të luaj kështu si jam i dëmtuar”. Mua më morën vetëm për të bërë rrugën e Rumanisë, sepse askush nuk besonte se do të luaja. Kam hyrë në portë me atë gjysmë fytyre. Kam luajtur ashtu në Rumani dhe kur u ktheva në Shqipëri, u shtrova edhe dy muaj të tjerë në spital.

Këto veprime ju i bënit nga mosha apo nuk ju tha njeri nga stafi: “Djalosh po rrezikon jetën tënde”?!

Jo, jo, askush nuk ma tha. Dhe kjo do të na nxjerrë te pikësynimi i arratisjes. Nuk arratiset njeri prej vendit të vet, familjes së vet. Prandaj, tani kur unë kthej kokën pas, këta i quaj të gjithë të arratisur edhe kur dikush ikën për punë apo merr një të drejtë studimi dhe vjen këtu në Amerikë për të studiuar e nuk kthehet, atëherë kjo është arratisje nga vendi yt. Po flasim për doktorë dhe profesorë që duhet të kthehen mbrapa, sepse marrin bursat e shtetit e paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Vijnë këtu në Amerikë, mbarojnë shkollën dhe asnjë nuk kthehet mbrapsht. Kjo është arratisje për mua, por pak rëndësi ka.

A janë këto “arratisjet” e sotme po aq të dhimbshme sa arratisjet e atëhershme?

Arratisjet e atëhershme ishin jashtëzakonisht të dhimbshme për një arsye: shteti nuk ishte i zoti t’i bënte dëm ose t’i bënin diçka atij që arratisej, sepse nuk kishin forcë nëse nuk e kapnin në kufi. Nëse e kapnin në kufi do ta vrisnin, por nëse nuk e kapnin dot në kufi, atëherë e vetmja gjë që bënin dëmtonin familjen në çdo mënyrë. Shkonin deri aty sa dënonin dhe 2-3 breza të familjes. Kjo ishte jashtëzakonisht e dhimbshme.

Po jua bëj pyetjen direkt, z. Arvid. Më falni, se më është bërë shprehi, Arvid. Çfarë ndodhi me familjen tuaj pasi ju u larguat, çfarë iu desh të hiqte familja juaj?

Familja ime është një nga familjet e mira, të pastra dhe punëtore të Shkodrës. Ka një emër të mirë në qytet sa i përket ndershmërisë, pastërtisë, kulturës, respektit, atdhetarisë. Tipare pra, që i përkasin një familjeje të mirë shkodrane. Por, pavarësisht kësaj, nga ana tjetër kemi pasur njerëz dhe të afërm në Jugosllavi. Njerëz që nuk janë takuar me familjen. Kemi pasur njerëz që janë dëmtuar nga sistemi pikërisht për këtë fakt.

Çfarë njerëzish keni pasur?

Kemi pasur gjyshin nga ana e nënës, që ishte një njeri i thjeshtë, jashtëzakonisht punëtor, që kishte bërë diçka në jetë si sot p.sh. që e kanë të gjithë një dyqan të thjeshtë. Pas komunizmit ai është persekutuar, sepse iu mor ajo pasuri që kishte. Tjetër gjë, sa i takon fesë, kemi qenë një familje e mirë dhe sërish e persekutuar sepse nuk na lejonin të shprehnim besimin fetar në atë kohë. Kur e mendoja se çdo njeri në familjen time nuk kishte pasur mundësi të fliste për të dhënë atë që kishte mundësi të jepte për ne, për vendin tonë. Gjyshet nuk kam mundur t’i shoh, as gjyshin. Gjyshi nga ana e babait ka qenë kryerevizor i Zogut dhe punonte në qeverinë e Zogut në periudhën e monarkisë në Shqipëri. Këta normalisht janë eliminuar. Kanë qenë të rinj e janë zhdukur dhe s’kam pasur fatin t’i njoh as gjysh Brahimin, as gjysh Shyqyriun. Njëri ka qenë tregtar dhe tjetri ka punuar për kryevizionimin dhe inspektoratin e monarkisë ose të qeverisë në atë kohë. Këto janë gjëra që më bezdisnin nga ana familjare.

Pra, jua përmendnin hera-herës, jua vinin në dukje dhe kjo ju krijonte një lloj bezdie?

Ishte një arsye për të të mërzitur më shumë, por përndjekja ndaj familjes dhe fisit, kjo është diçka që më vret mua në periudhën pasi ndodhi arratisja. Familja nuk kishte asgjë për t’u dëmtuar në atë mënyrë. Jo vetëm familja ime dhe ajo e Lulit (Bërshenit).

Kur vendosët të arratiseshit, ju e dinit që familjarët tuaj do të përballeshin me këtë lloj ashpërsie, me këtë lloj egërsie të sistemit, apo jo?

Kjo gjë më doli ndryshe nga sa e kisha llogaritur në mendjen time. Arratisja ime me Lulin nuk ishte diçka e menduar që më parë, pavarësisht se vazhdimisht mendoja se si të largohesha nga vendi. Por, edhe kur e kisha menduar këtë gjë, gjithmonë përpiqesha të bëja llogari në mendjen time që të mos dëmtoja familjen sa më shumë të ishte e mundur. Madje, kur mbërrita në Tiranë, ka pasur një rast me Hafizin kur isha në stërvitje… Një nga ato episodet që vetëm në atë periudhë absurde ndodhnin… Oh, kërkon një kohë shumë të gjatë për të treguar unë pikënisjen time ose dëshirën time për t’u larguar nga Shqipëria…

Kam kohë sa të doni Arvid… Më thoni pak, kur mbërritët në Tiranë, çfarë ndodhi?

Atëherë… Ju tregova pak më parë për dëmtimin e tmerrshëm, apo jo? Më lejo të kthehem pak pas në kohë…

Vazhdoni ju lutem!

Ishim në fazën përgatitore në vitin 1987, që ne e bënim në Razëm. Sipas mendimit tim, unë isha rikuperuar plotësisht dhe isha gati të luaja një vit pas dëmtimit. Isha në një formë të mirë, por pas dëmtimit stafi i Vllaznisë mendoi të merrte Agim Maliqatin nga Durrësi, ta merrnin për ndihmë në Shkodër, ndjesë pastë, se ka vdekur. Ishte djalë shumë i mirë, shok i mirë, sportist jashtëzakonisht i mirë. Në periudhën kur shkuam në Razëm, më thirri stafi drejtues, që në atë kohë ishte Astriti (Hafizi), prof. Esat Rakiqi, që nuk është më midis nesh dhe doktor Zyhdi Çoba.

Edhe çfarë ndodhi pasi ju thirrën?

Më thirrën në një mbledhje personale, si të thuash. Më thanë: “Arvid, na ka rënë shorti, kemi fituar Kupën dhe do të dalim të luajmë jashtë. Ti si mendon, do të vish për ndeshjen e parë apo jo…?” U thashë: “Më falni, unë nuk po e kuptoj se për çfarë më keni thirrur. Këtu jemi në fazë përgatitore dhe ç‘punë kam unë të vij këtu për t’u pyetur a do të luash ndeshjen e parë a ndeshjen e dytë?!” “Po ja, ne kemi vendosur, – më thanë, – që portier i parë do të jetë Agim Maliqati”. Unë u thashë: “Dua vendin tim që e kam lënë për arsye fizike, pra për dëmtimin e rëndë. Kush ju tha juve që unë nuk kam për të qenë i zoti të futem në portë pas fazës përgatitore? Ta mbarojmë fazën përgatitore, pastaj të vendosim”. “Jo, – më thanë, – ne kështu kemi vendosur”. “Atëherë, edhe unë, – u thashë, – po vendos diçka tjetër. Agim Maliqati të hyjë në portë, ndërsa unë propozoj që të vijë Avenir Dani si portier i tretë, që të dalë ndeshjen e parë se nuk ka dalë asnjëherë jashtë. Kështu që, unë nuk po vij askund në ndeshjen e parë. Kështu, le të shkojë Aveniri ndeshjen e parë, ndeshjen e dytë nëse mbërrijmë të kualifikohemi, atëherë unë dua të dal jashtë”. Ata pranuan.

Pse e morët këtë vendim?

Doja t’i jepja vetes kohë, meqë e pashë që gjërat më acaronin nga ana teknike. Faza përgatitore mbaroi normalisht dhe nuk kam pasur ndonjë presion. U thashë që nuk doja të më kërkonin ngarkesë fizike meqë e kishin vendosur të më linin jashtë.

Me cilën skuadër luajti Vllaznia në turin e parë?

U hodh shorti dhe neve na ra të luanim në Maltë me skuadrën e Sliema Uonderers. Ndeshjen e parë e fituam në shtëpi me rezultatin 2-0. Ekipi fitoi edhe në transfertë 4-0 më 29 shtator 1987 dhe u kualifikua. Në Maltë ndodhi edhe incidenti i parë, sepse u arratis përkthyesi Ilir Bulka…

“Vetëm vdekja na ndan”, Arvid Hoxha: Si nisi plani i arratisë me Bershenin në Athinë

Arvid Hoxha kishte kohë që e bluante në kokë largimin nga Shqipëria, por shumë pak gjëra shkuan sipas planit. Dëmtimi i rëndë në fytyrë ia prishi planin. Humbi vendin e titullarit dhe rrezikoi të mos luante më, rrjedhimisht as të mos dilte jashtë Shqipërisë. Por, e siguroi udhëtimin me një “kompromis” që thjesht ia shtyu kohën e arratisë nga Shqipëria në nëntor të vitit 1987.

Ai thotë për “Panorama Sport” se Vllaznisë i ra shorti në turin e parë kundër maltezëve të Sliema Uonderers. Nuk arriti të luante dot, sepse Hafizi dhe Rakiqi nuk e shihnin si titullar. Por, pas kualifikimit, skuadra u shortua me finlandezët e Rovaniemit. Para se të arrihej te ndeshja me Rovaniemin, pati incidente në Maltë, siç vetë Arvid Hoxha e shpjegon për gazetën…

Për çfarë incidenti e keni fjalën për ndeshjen e Vllaznisë në Maltë?

Në Maltë u arratis Ilir Bulka, përkthyesi i ekipit, dhe ai u arratis në Athinë. Bëhet fjalë për ndeshjen e turit të parë që Vllaznia luajti në transfertë kundër Sliema Uonderers dhe e fituam 4-0. Ngjarja bëri bujë në fakt, por ne e kishim mendjen te ndeshja e dytë.

Në turin e dytë ju ra shorti me finlandezët e Rovaniemit, apo jo?

Po, kur u kthye skuadra nga Malta dhe u hodh shorti për ndeshjen e turit të dytë, Vllaznisë i ra shorti të luante në Finlandë në Rovaniem. Astriti Hafizi tri ditë para se të bëhej udhëtimi, më thirri. Ishim duke bërë stërvitje në Fushën e Lëkurave dhe më thirri veçmas…

Çfarë ju tha Hafizi?

Më tha: “Hajde Arvid se dua të flas diçka privatisht me ty”. Hymë në dhomë dhe ai m’u drejtua: “Arvid, bjeri mbrapa vetes se nuk duan të të lënë të dalësh jashtë”. “Po ne kemi vendosur, – i thashë, – që do të dal unë”. “Diçka po luhet në Tiranë, – më tha, – merri njerëzit e tu, babën, Cufin, axhën, Qemalin, shko në Tiranë interesohu, shiko se si është kjo punë”. Shkuam në Tiranë dhe atje mësuam se ishte zhdukur pasaporta ime e udhëtimit. Çdo njeri që dilte jashtë, kishte pasaportat e udhëtimit dhe ato pasaportat e vogla për brenda Shqipërisë.

Si ishte zhdukur pasaporta?

Aaaaa, atë më thuaj ti mua… (qesh). As unë nuk e di. Pasaporta ime nuk ishte aty. Unë kisha bërë tri rrugë jashtë Shqipërisë në atë kohë, kur papritur më thanë që nuk e kisha më pasaportën.

Po si e zgjidhët? Çfarë bëtë më pas?

Atëherë biseduam me njerëzit e duhur që njihnim dhe kishin mundësi të bënin diçka. Shkuam dhe mbaruam punë te pasaportat. Pastaj filluan justifikimet e këtyre që e kishin zhdukur pasaportën duke thënë: “Si ka mundësi t’i ikë Arvidit pasaporta kështu, atë e ka pasur këtu Arvidi… Nuk është pasaporta me grupin e Vllaznisë, atëherë ne bëjmë pasaportën e re…”.

Për sa ditë u bë pasaporta e re?

Brenda ditës u bë pasaporta e re dhe ne më pas u kthyem në Shkodër. Ishim me Zyhdi Çobën, me prof. Esatin, me Astritin dhe të gjithë morën pasaportën. U ndërrua edhe lista dhe pas pak ditësh u rikthyem të gjithë në Tiranë, por bashkë me skuadrën. Në Shkodër, në fakt, e nisëm udhëtimin me 16 vetë. Por, nisën skarcimet që aty sepse nga autobusi në Shkodër zbritën Faslli Fakjen, ndërsa në Tiranë zbritën Rudi Vatën dhe përfunduam me 14 vetë në Finlandë.

Pse i zbritën ata nga autobusi, pse i lanë jashtë?

Sepse kishin dyshime se mund të arratiseshin edhe ata. Bëmë një takim në federatë. Kryetar i federatës në atë kohë ishte Mehdi Bushati.

Çfarë ju thanë në atë takim, mbani mend gjë?

Në takim na thanë ato që thuheshin atëherë: të nderojmë kombin, të nderojmë atdheun… Ato shabllonet e zakonshme që thuheshin para çdo ndeshjeje ndërkombëtare. Çdo gjë ishte që “do të nderojmë atdheun, do të nderojmë kombin, do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë”. Sporti dilte gjithmonë pjesë e fundit e shabllonit. Mehdiu m’u drejtua duke më thënë: “Do të na nderosh Arvid kur del jashtë…”. “Patjetër shoku Mehdi”, i thashë.

Gjatë kohës që ndodhnin këto gjëra, a vazhdonit të mendonit se duhet të arratiseshit?

Ishin plotësuar me kohë kushtet, vetëm se unë në asnjë rrugë nuk mund të lëvizja. Dëshira ishte për një jetë më të mirë, për një liri fjale, një liri veprimi, që deri në njëfarë mënyre besoj se e kemi sot.

Çfarë ndodhi pas mbledhjes në FSHF me Mehdi Bushatin?

Pas këtyre largimeve të Faslliut në Shkodër dhe më pas ngjarja me Rudi Vatën në Tiranë, përfunduam të shkonim një ekip i cunguar në Finlandë. Ishim si një ekip basketbolli, sepse mbetëm vetëm 14 vetë.

Vetëm 14 gjithsej?! A mund të nderohej atdheu duke shkuar me 14 vetë…?

(Qesh)… Po, po, 14 kemi përfunduar në Finlandë. Presioni ishte i jashtëzakonshëm deri kur dolëm në kufi për të bërë ato procedura që bëheshin për çdo ndeshje, kur udhëtonim jashtë.

Si shkuat në Finlandë?

Fillimisht bëmë fluturimin për në Budapest dhe nga aty më pas kemi fluturuar për në Helsinki. Nga Helsinki deri në Rovaniem, në mos gabohem, ishte 800 km. Kemi shkuar me autobus. Lodhje e madhe për një skuadër futbolli.

Si ishte qyteti?

Ishte një vend i ftohtë, shumë i ftohtë. Ndodhej në Polin e Veriut dhe na dhanë nga një certifikatë që kemi kaluar në Polin e Veriut. Mbaj mend që kur mbërritëm atje, na dhanë nga një dhuratë që ishte një thikë.

Dhuratë një thikë?

Për një ekip futbolli…!!! Po, po, thikë. Madje, është interesante, sepse pas gjithë peripecive të mia në jetë, unë atë thikë ende e kam me vete të varur në reliktet e mia në shtëpi.

Çfarë thike është ajo?

Një ndër thikat simbol të atij vendi, se aty ishte vendi që prodhoheshin thikat për gjueti. Janë disa thika të njohura, që shiten gjithandej. Edhe këtu në Amerikë shiten dhe janë shumë të shtrenjta. Shkruhet mbi to “Finland”… nuk e di mirë emrin, duhet ta shoh si është shkruar… Por, në anën tjetër të thikës ishte skalitur Vllaznia-Rovaniem. Si për çdo ndeshje, u akomoduam në hotel.

Si e kaluat natën?

Ishte një natë normale dhe si kureshtarë që ishim në atë moshë, donim të shihnim çfarë ndodh në botë. Dola me Agim Maliqatin, shëtitëm pak dhe më pas u kthyem në hotel. Të nesërmen zhvilluam ndeshjen. Qyteti ishte i vogël, diku te 60-70 mijë banorë, një qytet i vogël në veri të Finlandës, vend i veçantë. Asgjë më tepër. Mbaroi ndeshja dhe në kthim bëmë një ndalesë në Helsinki për të bërë një pazar. Kishim marrë ndonjë gjë kontrabandë me vete, se ajo dietë që na jepnin nuk vlente për asgjë… Unë akoma nuk e di sa ishte ajo, kaq e pakonsiderueshme ishte dieta që na jepte shteti.

Sa para kishit marrë ju?

Unë kisha marrë napolona dhe 200 dollarë me vete. Kaq kisha arritur t’i nxirrja nga Shqipëria.

Edhe çfarë bëtë me ato?

Shkuam në një supermarket ku çmimet për ne ishin të paprekshme, por blemë nja dy gjëra të thjeshta. Unë mora një pulovër për vete. Isha bashkë me Lulin (Lulzim Bërshenin) dhe ai kishte mundur të nxirrte 200 dollarë nga Shqipëria dhe më tha: “Po marr një palë xhinse se kam ngelur me tuta”. Dhe, këtu është ai incidenti i madh që u bë, ajo “hajnia” e madhe që flitet nga ana e Partisë dhe e shtetit. Por e drejta ka qenë kështu.

Mund të ndalemi pak këtu Arvid? Për çfarë “hajnie” e keni fjalën dhe kundër kujt është kjo ironi?

Shikoni, unë me Lulin (Bërshenin) kemi marrë këto dy gjëra dhe shkuam në kasë, ku paguhen paratë. Aty ishte një grua në moshë. Unë nxora 100 dollarë dhe ajo u bë keq. U përpoqëm të merreshim vesh, por nuk ajo nuk kuptonte asgjë. As ne, në fakt. Ajo gruaja fliste, fliste, fliste… Por, gjuha finlandeze është e pakuptueshme edhe megjithëse unë i dija nja dy-tre gjuhë në atë kohë, prapë nuk u morëm vesh. Ajo italisht nuk kuptonte dhe u bë nevrike. Thirri një nga ata të sigurimit të marketeve. Aty erdhi një djalë që na pyeti për pasaportat, për ID. I them që ne nuk kemi ID, ne jemi futbollistë të Vllaznisë, kemi bërë ndeshjen në Rovaniem, por nuk merrnin vesh. Ti fol, unë fol, ai fol, ti fol, asnjë gjë s’po merrej vesh më. Kjo është “loja”. Pas kësaj ky punonjësi i sigurisë na tha: “Do të vini me ne”. Vazhduam me ta dhe u ulëm poshtë në një dhomë, një dhomë e “sigurisë” dhe aty thirrën policinë. Erdhën dy policë finlandezë. U treguam çfarë kishim, por u thamë se nuk kishim asnjë dokument, sepse i kishim në hotel. Na thanë: “Do të vini me ne, do të shkojmë në polici”. I them që ekipin e kemi këtu, por komunikimi ishte zero. Kur shkuam në polici, ata flisnin edhe gjuhë të tjera. Unë atë kohë italishten flisja më mirë. U sqaruan. E morën vesh se kush jemi, çfarë jemi dhe kontaktuan ekipin dhe erdhi Hafizi me Bahriun dhe me Axhemin, ndjesë pastë, si dhe një punonjës i Sigurimit të Shtetit që nuk ia kujtoj emrin, i cili na shoqëronte. Aty u sqarua gjithçka dhe u mbyll kjo punë. Por, brenda kësaj periudhe, pak a shumë ka qenë një orë kohore, më shkuan shumë gjëra ndër mend. Kjo një orë kohë ishte vendimtare për mua.

Në ç’kuptim vendimtare?

Vendimtare sepse ky u bë shkaku. Që u mbush kupa pra, që nuk donit të ktheheshit më në Shqipëri? Po. U mbush kupa. Aty thashë: Unë nuk do të kthehem më për t’u bërë lojë e sistemit. Personi me të cilin isha bashkë, ishte Luli (Bërsheni). Dhe atij i thashë: “Luli dua të të them diçka që të mbetet vetëm mes nesh. Nëse realizohet ti je me mua, nëse nuk realizohet mos ia thuaj më njeriu në këtë tokë, se unë nuk kthehem më në Shqipëri”.

Çfarë ju tha Luli?

“Gjallë jo”. Luli ka ndenjur punë minutash duke u menduar, u kthye, më shtrëngoi dorën dhe më tha: “Arvid Hoxha, vetëm vdekja na ndan. Ne jemi bashkë deri në vdekje”. Itinerarin e rrugëtimit unë e dija që para se të niseshim nga Shqipëria. I mora vesh disa gjëra kur pata problemin e pasaportës që më ndodhi në Shqipëri. Aty unë arrita të kuptoja gjithë lëvizjen që do të bënte skuadra, pra gjithë rrugëtimin. Edhe në kthim e dija se nga Finlanda do të shkonim në Hungari, sepse ishim me “blu vissa” dhe prej aty do të shkonim në Athinë. Në Greqi do të flinim një natë dhe do të bënim rrugëtimin për në Janinë e do të dilnim në Gjirokastër ku kishim ndeshjen e javës në kampionat. Do të vinte autobusi të na merrte në Athinë, madje mbaj mend edhe emrin e shoferit të autobusit, Caci ka qenë shofer i Kombëtares në atë kohë.

Çfarë bluanit në kokë?

Mendoja se arratisja në Hungari ishte e parealizueshme. Në Finlandë, një nga ata policët që ishte aty dhe që fliste shumë mirë italisht më kërkoi një opinion të thjeshtë, më pyeti si më dukej Finlanda. I thashë se kisha përshtypje të mira, një vend i bukur, i pastër, por nëse unë dua të vazhdoj karrierën time në Finlandë, a mund të realizohej? Më pa dhe më tha: “As mos e mendo. Është e pamundur për punë dokumentesh”. Atëherë vazhdova në heshtje pa bërë asnjë tentativë arratisjeje në Finlandë dhe vazhdova udhëtimin me skuadrën në Hungari. Kemi shkuar në ambasadën shqiptare në Hungari kemi ndenjur aty. Por e kuptova se pas atij incidenti në supermarket tensioni në ekip u rrit.

Çfarë vutë re ju, në çfarë kuptimi u rrit?

Sikur diçka e keqe do të ndodhte… E keni parasysh kur ke atë ndjesinë se diçka do të ndodhë. Jo mes shokëve të mi, por diçka u prish aty. Por, se çfarë do të ndodhte, asnjeri nuk e dinte.

Ndërkohë, ju as nuk flisnit dot me njëritjetrin për ta diskutuar atë temë, apo jo?

Absolutisht jo. Në kohën e Partisë ti nuk mund të flisje me asnjeri për idetë e tua kundër sistemit, se automatikisht përfundoje në burg. Prandaj, asnjë shok imi nuk dinte gjë se çfarë po bluaja në mendje. Por unë kam respekt të jashtëzakonshëm për gjithë ekipin e Vllaznisë, për të gjithë djemtë që kemi luajtur bashkë e kemi ndier atë erën e djersës së fëlliqur që kishim me ato tutat e Durrësit, me ato rrobat e qelbura që luanim e bënim stërvitje, nën zë të gjithë flisnim dhe ishim të pakënaqur për mënyrën e jetesës që kishim.

Kaq keq ishin kushtet?

Po, shumë keq, duke filluar nga kushtet higjienike, kushtet sportive, kushtet materiale, gjendja e fushave etj… Keqardhja e madhe është se ne në atë kohë kemi dhënë çdo gjë për të bërë sport, por nuk kemi pasur asgjë nga ato që këta djem gëzojnë sot. Nuk kemi pasur as minimumin e minimumit të kushteve në sport. Dhe, gjithsesi, ne prapë vazhdonim edhe ashtu bënim sport.

Arratisja në Athinë, Arvid Hoxha: Në ambasadën jugosllave thikën e mbajta në fyt, më kërkuan të luaj me Partizanin e Beogradit

Të rikthehemi pak te ndalesa juaj në Hungari, sepse thatë që tensioni u rrit në skuadër…

Po, por kur presioni u rrit, çdo gjë filloi e u tensionua te gjithsecili se diçka po ndodhte dhe kur shkuam në ambasadë në Hungari, na mblodhën sërish pasaportat. Zakonisht kjo nuk ndodhte në kthim dhe na jepnin njëfarë lirie sa për të bërë pazar. Në fakt, të gjithë donin të bënin pazar në përgjithësi. Hungaria e kishte kursin e dollarit më të lartë sesa vendet e tjera të pranimit. Atëherë ne mund të blinim orët ose diçka tjetër më lirë, gjëra që mund t’i konvertonim në Shqipëri pak më shtrenjtë. Ishin nga ato pazaret që bënte çdo ekip sportiv që dilte jashtë në atë kohë. Ky ka qenë privilegji më i madh që kemi pasur ne, se kemi përfituar diçka nga pazaret që kemi bërë, nga kursi.

Dhe çfarë ndodhi saktësisht aty?

I pashë që pasi na mblodhën pasaportat, njerëzit ishin pak të acaruar. Me Lulëzim Bërshenin nuk kam folur absolutisht për sa i përket dëshirës që kisha për t’u arratisur deri sa mbërritëm në Athinë. Nuk kishim folur fare me njëri-tjetrin, por më pas mësuam se të dy kishim menduar arratisjen. Normalisht ne e kishim ndarë mendjen dhe fytyrat tona nuk ishin më të qeta, ishin bërë si akull. Luli kur ishim në Hungari, nisi të më thoshte: “Arvid, shiko se…”. Nuk e lashë të fliste dhe i thashë shkurt: “Luli, flasim në Athinë”.

Asgjë më shumë?

Asgjë më shumë, në Hungari nuk kemi folur. I thashë Lulit vetëm kaq: “Në Athinë, vetëm atje flasim”. Ai heshti dhe nuk foli më.

Çfarë ndodhi kur mbërritët në Athinë?

Kur mbërritëm në Athinë, shkuam në “Athinais Hotel” dhe në atë kohë unë e mora vesh se hoteli ishte përballë ambasadës jugosllave, se nuk e dija më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe po mendoja se cila do të jetë rruga më e mirë dhe më e sigurt që të shpëtonim gjallë. Të paktën ta realizonim pa vdekur, se po të ktheheshim mbrapa, do të ishim të mbaruar.

Pra, për shkak të incidentit që ndodhi në supermarketin e Helsinkit ju nuk ndiheshit më të sigurt, sepse dyshonit se mund t’ju dënonin?

Po, këtë frikë kishim të dy.

Edhe çfarë ndodhi pasi mbërritët në Athinë dhe u akomoduat në hotel?

Atëherë, kur u bë ndarja e dhomave, në hotel i them Lulit: “Tani rrimë vetëm në fund, mos u ngut”. Doktor Zyhdi Çoba ishte personi që ndante dyshet nëpër dhoma. Në dyshen që unë isha gjithmonë, isha me Kujtim Shabën. Unë dhe Kujtimi, ndërsa Luli ishte me Ilir Kepën. Kur vazhdoi ndarja e dhomave, gjithsecili, Rragami, Jera, Bushati, Zmijani, Maliqati, Pashaj, të gjithë u ndanë në dyshe, ne mbetëm në dyshen e fundit dhe morëm të hynim në ashensor dhe këtu dua t’i kërkoj falje Isak Pashajt për atë natë. Unë doja që në ashensor të hynim unë, Luli, Iliri dhe Kujtimi. Isaku merr të hyjë me ne në ashensor dhe unë vura dorën përpara. “Isak, – i them, – katër vetë lejohet të hyjnë në ashensor”. Ose kaq persona dhe kaq pesha, kështu e kishte të shkruar udhëzimin ashensori. “Merr ashensorin tjetër, – i them, – se po na ndodh ndonjë gjë”. “Po jo mor burr…”, – tha. “Isak na lër pra”, – i them, dhe Isaku u tërhoq. U ngjitëm për te dhomat dhe brenda në ashensor i them shkurt Kujtim Shabës: “Tani jemi në ashensor nuk na dëgjon njeri… Unë dhe Luli kemi blerë diçka në Hungari dhe duam ta fshehim. A i ndërrojmë dhomat unë me Lulin? Ti fli me Ilirin dhe po na i zunë në Rinas këta sahatë e këto gjëra që kemi marrë, të paktën mos i mbetet faji njërit-jetrit”. “S’ka problem”, – tha Kujtimi. Dhe Iliri: “Po mo ta marrsha, s’ka problem”. I ndërruam dhomat pa ditur stafi. Ky ndërrim dhomash ishte midis nesh. Aty kam bërë planin si të arratiseshim.

Si e bëtë planin, çfarë diskutuat?

Asgjë. Planin e kisha 100 për qind në kokë: do të ikja. Tani puna ishte si do të dilja nga hoteli pa u marrë vesh. Me çdo kusht do të hyja në ambasadën jugosllave, jo të dorëzohesha tek autoritetet greke.

Po pse në ambasadën jugosllave?

Në bazë të atyre që ndodhnin në atë periudhë, me jugosllavët nuk kishim marrëdhënie të mira, ndërsa me grekët kishim marrëdhënie të mira. Rrjedhimisht, jugosllavët në atë kohë nuk bënin kthimin e të arratisurve. Kështu e kisha ndarë mendjen për të bërë këtë punë. Gjithë kohën kam ndenjur duke kontrolluar. Në kat të katërt ishim ne të futbollit, ndërsa në kat të tretë ishte dhoma e të dërguarit të qeverisë nga Sigurimi, që nuk ia kujtoj emrin, Theodhori, Thoma, Kozma, diçka të tillë e kishte. Ishte një njeri i mirë, i qetë. Ai po ruante dhe kishte marrë dhomën ballë për ballë me ashensorin. Unë zbrisja herë pas here kontrolloja. Zbrisja ngadalë-ngadalë nga shkallët dhe pashë që ai kishte hapur derën dhe po lexonte gazetën. Herën e parë, herën e dytë, të tretën dhe nga ora 01:30–02:00 e natës zbres edhe një herë shoh, atij i kishte rënë gazeta në fytyrë. Aty u ngjita në dhomë dhe i them Lulit: “Gati. Ikim”. “Të marrim çantat”, thotë Luli. “Asgjë, – i them, – shpejt të ikim. Tani është momenti”.

Edhe si vepruat pastaj?

Zbritëm poshtë dhe dorëzuam çelësin që të mos binim në sy, të dukej sikur po dilnim për qejf. Dolëm jashtë dhe morëm një taksi. Luli më thotë: “Kam ardhur një herë me Shpresat këtu dhe qendra e Athinës është ‘Omonia’”. Me taksi shkuam në “Omonia”. Gjatë rrugës për në “Omonia”, shoferi greqisht ndërsa ne mundoheshim të flisnim anglisht vetëm se kemi bërë lidhjen ambasada jugosllave. Ai thoshte greqisht: “Jugosllavi pres vissa”, dhe u kuptuam që flisnim për të njëjtën gjë. Ai tha 2 dollarë deri në Omonia dhe 2 dollarë deri te ambasada jugosllave. Ndoshta një nga taksistët e parë e të ndershëm… (qesh). Nxorëm paratë që kishim me vete dhe ai mori 2+2. “Ja edhe 1 i thashë më tepër”. I dhamë 5 dollarë. Zbritëm duke parë nga ambasada. Aty Luli më tha: “Arvid a e di ku jemi?” I thashë: “Lul jemi te ambasada jugosllave”. “Ktheje kokën mbrapa”, më tha. Ktheva kokën mbrapa dhe pashë që ishim përballë hotelit nga dolëm. U tronditëm. Kishim qenë mu përballë ambasadës jugosllave dhe nuk e dinim, por kishim marrë taksi dhe kishim ardhur sërish në të njëjtin vend. Autobusi i Cacit ishte përballë hotelit ende dhe e kuptuam që kishim bërë një xhiro kot…

Çfarë ndodhi më pas?

I ramë ziles së ambasadës, por nuk u përgjigj njeri. I ramë e i ramë disa herë dhe pastaj dolëm nga mbrapa, në një rrugicë të vogël, aty ku ishte një pllakatë e shkruar me shkronja cirilike. Muri ishte shumë i lartë. U dëshpëruam, por nuk u dorëzuam. Hipa mbi Lulin, hyra në ambasadë, hapa derën dhe futa Lulin brenda. Pamë një dritë aty, ishte një si shtëpi private e ambasadës.

Sa ishte ora kur ju dolët nga hoteli juaj?

Ora ishte afërisht 02:00. Shkova aty dhe pashë një nga të ambasadës. Dragan më duket se e kishte emrin. Ne kishim me vete dhuratën që të thashë më lart, thikën që na e patën dhënë simbolikisht ata të klubit të Rovaniemit. I rashë me thikë xhamit, por personi që po lante fytyrën në atë kohë u tremb. “Shto je bre?”, tha (çfarë ka ndodhur) dhe hapi pak derën. Unë flas sllavisht dhe i them: “Jemi dy futbollistë të Vllaznisë së Shkodrës, kemi ardhur për të kërkuar strehim politik”. “Po këtu jemi në ambasadë jugosllave, – tha. – Pse nuk e kërkoni jashtë këtë?” “Jo, jo, – i thashë, – vetëm këtu. Gjallë a vdek nuk dalim prej këtu”. Thikën e kisha në fytin tim ndërkohë, për t’i treguar se e kisha seriozisht se unë nuk dilja më gjallë nga ambasada pa më dhënë strehim politik. “Po hiqe ore atë thikë”, më tha. “Jo, jo, – i thashë, – vetëm kur të na japësh të drejtë”. “Duhet të çoj njerëzit, – tha. – Duhet të çoj ambasadorin…”.

Çfarë ndodhi më pas?

Kemi qëndruar për 10 orë brenda në ambasadë, por kanë qenë orët më të gjata të jetës sime dhe të Lulit…

Pse?

Sepse nuk e dinim nëse do të jetonim më apo do të vdisnim.

Në ç’kuptim?

Shikoni, mirë që hymë në ambasadë, por nuk dinim se çfarë vendimi do të merrnin ata, se tani nuk kishim ku të iknim më. Nëse ata vendosnin të na kthenin, ne ishim të vdekur.

Ju çfarë bënit ndërkohë?

Na thanë gjëra të ndryshme, rrihnin mendime të ndryshme, por fati ynë ndoshta se ishte e shtunë dhe asnjë nuk e çonte telefonin nga eprorët e tyre në Beograd. Një nga punonjësit që ishte slloven, sepse atëherë Jugosllavia ishte federatë, na tha: “Do të interesohemi kështu që rrini të qetë”.

Përballë ambasadës ishte hoteli ku qëndronte skuadra e Vllaznisë dhe shihej se çfarë po ndodhte aty, apo jo?

Po, ne i shinim të gjitha. Aty te ne kishte ardhur ambasadori jugosllav dhe teksa shikonte panikun që kishte kapur stafin e Vllaznisë, rrinte afër dritares dhe thoshte: “U çmendën këta, u çmendën. Po luajnë mendsh ata përballë”. Pastaj u mblodhën me polici greke, me ambasadën shqiptare e ku di unë se çfarë tjetër….

Ju i shihnit ndërkohë, apo jo?

Ne i shihnim se ishim përballë. Të gjithë shokët tanë ishin në autobus, tensioni ishte i jashtëzakonshëm. Në orën 10:30–11:00 të darkës së ditës tjetër na thanë aty në ambasadë: “Tani do të ndahemi. T’ju përqafojmë dhe të mos bëheni merak për asgjë se do t’ju çojmë në vendin e duhur, në Organizatën e të Drejtave të Njeriut”. Atë kohë në Greqi ishte Kallamaqi, ishte Organizata e Kishave dhe e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, diçka e tillë. Ata erdhën me 2-3 makina të tyre, na morën së bashku me përkthyesin. Pastaj vazhduam kalvarin e njerëzve të arratisur. Në orën 05:00 të mëngjesit kemi qenë në Lavrio në kampin e refugjatëve. Brenda ambasadës ishin malazezë me shumë nostalgji për Shkodrën. Njëri prej tyre tha: “Kanë braktisur Bunën, kanë braktisur Drinin…”. “Vetëm ato, – i thashë, – nuk i lë kurrë. Unë lë vetëm sistemin, gjë tjetër nuk kam lënë prej Shqipërie”. Një tjetër, përfaqësues serb, na afroi të kërkonim të drejtën të shkonim në Jugosllavi me garanci për të luajtur me Partizanin e Beogradit, por që ne duhet të flisnim, të jepnim një intervistë për serbët në lidhje me Shqipërinë. Por ne, as njëri dhe as tjetri nuk e pranuam.

Pse nuk pranuat?

“Nuk është kjo ideja, – i thamë. – Ideja është që ne të largohemi vetëm për lirinë tonë”, dhe mbaroi kjo punë. Atëherë vazhduam rrugën për në Lavrio ku ishte kampi i refugjatëve nga vende të ndryshme të bllokut komunist ose socialist. Kishte polakë, hungarezë, rumunë, kishte turq, bullgarë, kishte disa jugosllavë, dy kosovarë dhe 4 shqiptarë. Një prej tyre ishte dhe Ilir Bulka, që ishte arratisur një muaj përpara nesh në Maltë. Aty u mor vesh se çfarë ka ndodhur dhe ndenjëm 10-12 ditë.

Çfarë ndodhte në Shqipëri nuk kishit asnjë ide, apo jo? Nuk e dinit si ishte reagimi?

Jo, absolutisht. Lidhja e parë me Shqipërinë ishte kur erdhën djemtë e çiklizmit në Xhiron e Athinës. Kanë qenë çiklistët e Vllaznisë, Agim Tafili, Sutki Brahimi (Tushi) se kështu i thërrisnim. Në Shkodër kishim dhe një fërshëllimë që ia dërgonim njëri-tjetrit, “Ejani shkojmë bashkë për të ngrënë në mensën e ekipit”. Në kohën që po bënin Xhiron e Athinës, Luli u takua me ta dhe ata i thanë në çfarë hoteli ishin.

Më vonë kam shkuar unë me Frederik Dionisin, një i arratisur tjetër nga Tirana, dhe kemi bërë kontaktin e parë. Dolën në ballkonin e hotelit, megjithëse ruheshin nga ambasada. Kemi kontaktuar me sy me njëri-tjetrin. Me dikë aty kontaktova me Brahimin, i dhashë një letër të shkruar dhe i thashë: “Tushi, të lutem më trego çfarë ka ndodhur me familjen time”. Ky ka qenë kontakti i parë.

Ju komunikonit me letra me shkrim, por jo me zë?

Po, dhe Tushi më tha: “Arvid, mos u mërzit, gjithçka mirë”. E falënderoj, ai nuk më tha të vërtetën sepse donte të rrija i qetë. Në fund të letrës më kishte shkruar: “Të lutem mos ta kapë njeri këtë letër se më shkatërrojnë”. Ishim përballë njëri-tjetrit dhe si në ata filmat me gjermanë… E mora letrën e futa në gojë, e hëngra dhe mora gotën e piva ujë. I thashë: “Tushi, kjo letër iku”. Kaq ishte komunikimi ynë.

Çfarë mbani mend nga ato ditë të vështira?

Këtu nuk mund të lë pa përmendur mikpritjen e jashtëzakonshme të ekipit të Panioniosit, stafit të Panioniosit, njerëz që na kanë parë, na kanë ruajtur, na kanë ndjekur dhe çdo moment ata ishin të gatshëm të na ndihmonin. Donin me çdo kusht që ne të kishim një jetë të rregullt, por fatkeqësisht edhe aty shteti kishte atë forcën e vet.

Mund të na thoni se çfarë ndodhi aty?

Erdhi ekipi i Panioniosit, ishin 2-3 ekipe të interesuara dhe kjo ndihmë u krijua nga një zotëri, që ishte Kosta Gjika. Ishte një vorio-epirot, kështu e quante ai veten. Ishte një organizatë vorio-epirote në Athinë. Kosta na mori përsipër dhe së bashku me Ilir Bulkën si përkthyes, bënë një CV kush jam unë e kush është Lulëzim Bërsheni, se ne për hir të së vërtetës nuk kishim asgjë. Ne nuk kishim asnjë letër, asnjë dokument, asgjë. Që ata të na besonin, atëherë na thirrën dhe na çuan në një seancë stërvitore në Panionios në stadiumin e Panionios në “Azmiri”.

Aty kisha trajnerin e portierëve dhe për shans ishte dhe një arvanitas, ka luajtur edhe në Shqipëri ai djalë me Panathinaikosin. D.m.th ishte Fillis, ndërsa trajner ka qenë Brams që ishte nga Belgjika, ka qenë edhe trajner i Anderlehtit si dhe dy–tre trajnerë të tjerë, që pasonin, drejtonin. Unë në portë, Luli bënte krosimet, gjuajtjet dhe unë prisja. Kjo gjë zgjati gjysmë ore, madje as gjysmë ore, më pak. Sa u zhveshëm, bëmë nxehmjen, 15-20 minuta shou…

Kam dëgjuar një fërshëllimë nga stadiumi, që ishte e trajnerit Brams dhe na e bëri me dorë. Hymë brenda, u lamë, u veshëm dhe na morën e na çuan në hotel. Na thanë: “Ju jeni tani të kualifikuar për atë që thoni, pra u bindëm që jeni sportistë, por të shohim letrat”. Këto vazhduan për nja dy muaj. Këta dy muaj ishin polici, sigurim, stërvitje, hotel, polici, sigurim, stërvitje, hotel, pyetje, pse, çfarë, proces i sigurimit grek, Asfalias greke.

Pse ndodhte kjo?

Shikoni, edhe ne nuk kuptonim shumë gjëra, por erdhi një moment që pas gjithë kësaj periudhe, një ditë i them përkthyesit, Thanas quhej, dhe komunikonte shumë mirë italisht me mua. “Thanas, – i them, – çfarë ka ndodhur?” “Ambasada shqiptare, – më tha, – thotë se ju jeni të kërkuar në Shqipëri, jeni kriminelë dhe duhet t’ju kthejnë medoemos në Shqipëri.

Keni bërë tentativë për grabitje banke në Finlandë, kështu thotë ambasada shqiptare dhe duhet të ktheheni mbrapa”, më tha. “Atëherë, – i them, – po ti nuk mund të shkosh në ambasadën finlandeze për ta verifikuar se çfarë ka ndodhur në Finlandë?” “Ouuuu, – bëri, – si bëjnë këta, o malaka”. Ditën tjetër, si duket, kishte shkuar në ambasadën finlandeze dhe ishin bindur që nuk kishim bërë asnjë vjedhje. Ai ishte fundi i peripecisë sonë.

Çfarë ndodhi më pas?

Atëherë Thanasi më tha se nuk e kishte besuar kurrë se një aparat shtetëror mund të gënjejë në mënyrë të tillë për t’ua prishur jetën dy njerëzve. Na la të kuptonte se qeveria jonë fabrikonte gjithfarë gjërash që vetëm të na kthenin në Shqipëri. “Faleminderit, – i thashë, – që e kuptove”. Pastaj vazhduam stërvitjen e përditshme. Kemi dhënë një intervistë përpara gazetarëve, që na kërkuan të flisnim në përgjithësi. Ne me dëshirën tonë dhe me mirëkuptimin e Ilir Bulkut, sepse ishte ai që foli dhe ne vetëm kemi aprovuar. Iliri ishte njeri i brendshëm i sistemit. Iliri u tha në një moment mediave greke:

“Çdo njeri që ikën nga Shqipëria është kriminel, është hajdut, është vrasës, është njeri keqbërës… Po ne që kemi mbaruar shkollën çfarë jemi? Po tani çfarë do të thoni? Erdhi Micotaqis në Shqipëri, erdhi për vizitë shtetërore, po ku ju çuan ata? Mos patë gjë njerëz në Shqipëri?!” Iliri fliste sepse i dinte nga brenda gjërat. Dhe e vetmja arsye që Iliri tha:

“Mos flisni ju se do të flas unë, sepse unë kam vetëm një nënë që është e vjetër dhe po ta internojnë nënën time, një kafshatë bukë kanë për t’ia dhënë. Ndërsa familjet tuaja do t’i sakatojnë. Prandaj ju mos flisni, flas unë”. Kjo ka qenë intervista që është dhënë para 20-30 gazetarësh, nga “Omonia”, pas dy muajve që ishim aty.

Si ikët nga Greqia në Amerikë dhe pse Lulëzim Bërsheni mbeti aty ndërsa ju ikët?

Kur arratiseshe nga vendet komuniste në atë periudhë, kishe dritë jeshile nga Amerika për të marrë të drejtën e azilit politik. Çdo njeri që largohej nga vendet komuniste, Amerika e pranonte pa problem, por nëse ti kishe dikë që bëhej garant për ty, udhëtimi bëhej më i shpejtë. Por, në rastin tonë ne nuk kishim asnjë njeri.

Kështu që, i bëmë letrat në Amerikë në qendrën në Kallamaqe. Bëmë letrat, treguam kush jemi, moshën, të gjitha të dhënat, pasaportën që kemi sot. Plotësuam letrat se për ç‘vend kërkonim azil politik. Dhe ne të dy ishim për në Amerikë, por njëkohësisht si vend pritës ti kishe të drejtë të jetoje edhe aty ku u arratisëm. Domethënë mund ta bëje kërkesën për Amerikë edhe për Greqi. U bë procesi i letrave, çdo gjë që bëhet, dhe bëmë intervistën në ambasadën amerikane, pasi na kishte dhënë të drejtën Kallamaqi për të udhëtuar.

Na kishin aprovuar të drejtën e azilit politik në Amerikë. Ndaj, ne prisnim garantuesin, një person, që në këtë rast u gjet me ndihmën e njerëzve humanë që jetojnë këtu dhe pranojnë të marrin dikë në familje derisa ai të dalë në jetën e tij. Gjatë kësaj periudhe kishim dy rrugë, futbollin me të cilin ishim të kënaqur se çdo gjë po shkonte në bazë të karrierës sportive si unë dhe Luli.

Të dy të kënaqur, të dy ishim mirë, kishim premisat për të luajtur. Luli ishte i ri, ishte në atë shpërthimin dhe jashtëzakonisht i pëlqyeshëm në tërë tifozërinë e Panioniosit. Të dy gëzonim një respekt të jashtëzakonshëm. Kalonim në rrugë dhe ndaleshin njerëzit na flisnin, na përqafonin.

Vërtet kaq shumë ju donin?

Po, ishte e mrekullueshme ajo që po ndodhte dhe filloi stadiumi të mbushej edhe në stërvitje. Më shumë njerëz vinin në stërvitje sesa në ndeshje. Ishte e veçantë, diçka që më ka mbetur në shpirt, e pabesueshme. Panionios është bërë strehë edhe e sportistëve të tjerë. Edhe Strakoshën e kanë mikpritur, Kolën, çdo sportist që ka kërkuar të shkojë te Panioniosi e kanë mirëpritur, por ne patëm vonesa nga më të ndryshmet.

Për çfarë vonesash e keni fjalën?

UEFA ose Federata e Futbollit ka një ligj, që çdo sportist që largohet pa të drejtën ose pa dëshirën e ekipit, dënohet një vit. Ti nuk mund të luash për një vit me asnjë ekip, nëse ekipi yt bazë, që në këtë rast ishte Vllaznia, nuk të jep OK-in. Atëherë, ne bënim stërvitje çdo ditë, të rregullt, vetëm se nuk mund të luanim në ndeshje të kampionatit. Por, stërviteshim rregullisht, ndeshje miqësore, ndeshje me dy porta, ishim pjesë e ekipit, ishim në formacion.

Kjo periudhë ishte në vitet ‘87-‘88. Kur kanë ardhur “blu carta” nga UEFA, agjentura shqiptare në Greqi përpiqej të bllokonte të gjitha postën që vinte për ne. Me ndihmën edhe të palës greke kishin bllokuar Postën Qendrore dhe kishin çuar njerëz nga Panioniosi, që të shihnin kur vinte zarfi nga UEFA e të ishin të sigurt që e merrnin atë zarf për të mos humbur zarfi. Aty kemi qenë të gjithë bashkë kur erdhi zarfi i Lulit. Se klubi, në fakt, aplikoi për të dy, por dy zarfet nuk erdhën në të njëjtën kohë. Zarfi i Lulit, për fatin e mirë, erdhi përpara.

Atë ditë në Federatën Greke kanë qenë anëtarë të ambasadës shqiptare. Ishin me pretekstin që kërkonin një kasetë të ndeshjes miqësore Greqi-Angli sepse atë vit ne kishim eliminatore me anglezët, për Europianin apo Botërorin nuk më kujtohet.

Edhe çfarë kishte ndodhur në Federatën Greke atë ditë?

Ai person që ishte aty, më vonë e morëm vesh që ishte i ambasadës shqiptare. Ishte informuar se çfarë ndodhte me lejekalimin tonë. Fillimisht u lirua karta e Lulit, u vulosën letrat, u dha e drejta për të luajtur në kampionatin grek. “Lejekalimi për Arvid Hoxhën do të vijë pas një jave”, u tha nga zyrtarët e federatës.

Dakord, po a ju erdhi dokumenti pas një jave?

Jo.

Pse?

Ishte ndjekur e njëjta procedurë si për Lulin, por kur shkuam pas një jave dhe pyetëm nëse kishte mbërritur karta ime, përgjigjja e kryetarit të Federatës Greke ishte e thjeshtë, e ftohtë akull. Ai iu drejtua Amanitisit, që ishte presidenti i klubit të Panionisit: “Z. Amanitis, jemi shokë të ngushtë, miq të vjetër bashkë, sepse kemi luftuar edhe në Qipro bashkë, por Hoxha nuk mund të luajë në kampionatin grek. Ne kemi bërë një gabim të madh me Bërshenin, por po të tërheqim kartën e Bërshenit, do të bëhet më skandal mediatik. Ndërsa Hoxha nuk luan dot këtu”. U tronditëm të gjithë. “Çfarë thua, – i tha Amanitis, – ne i kemi bërë të gjitha dokumentet”.

Përgjigjja ishte: “Amanitis i dashur, ka mbaruar kjo punë, ka hyrë shteti në mes. Unë nuk mund të dal përmbi shtetin. Kam familje për të mbajtur. Prandaj, o Hoxha të mos luajë, ose mund të digjen të dy…”. Ky ishte fundi i përgjigjes sepse isha vetë aty.

I them Amanitis që të mos përzihemi më në këtë punë. Unë e kam të qartë, ka hyrë shteti shqiptar në këtë punë. Nëse ka hyrë Shqipëria në mes, këtë nuk mund ta kthejmë më. Pas një dileme që u krijua aty, u kapëm me njëri-tjetrin, u tha: “Nuk mund të bëhet asgjë, ka mbaruar kjo punë”. Dhe e dini çfarë bëri klubi i Panioniosit dhe presidenti Amanitis, deri ditën që unë kam ikur në Amerikë?

Çfarë bënë?

Ata më kanë paguar mua të gjitha në bazë të kontratës që kishim bërë para se të vinte dokumenti që më lejonte të luaja. M’i kanë paguar të gjitha po ju them. Prandaj, u jam kaq shumë mirënjohës. Nuk e besoja kurrë se do të silleshin aq mirë. Kam qenë me Lulin bashkë në një shtëpi, kam marrë çekun për çdo muaj sikurse e merrte edhe Luli që luante çdo javë. Kam marrë premiot e ekipit kur fitonte njësoj siç i merrte Luli. Letrën, kontratën e ka mbajtur presidenti Amanitis dhe nuk e dorëzoi kurrë te Panioniosi deri ditën që kam ikur në Amerikë. Kur unë i thashë:

“Amanitis, unë po nisem për Amerikë”, atëherë ai e mori kontratën dhe e hodhi në bordin e Panioniosit. Asnjë njeri nuk ka thënë: “Boooo, e paguam Hoxhën kot një vit”. U jam mirënjohës dhe nuk mund të pështyj aty ku bukën ma ka dhënë dikush. Pavarësisht se çfarë thonë për grekët, as ne nuk jemi burra të mirë. Prandaj, ka grekë e grekë… Në Greqi ka njerëz jashtëzakonisht të mirë, ka njerëz të mrekullueshëm. Në atë periudhë ata neve na kanë dalë për zot më tepër sesa duhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button