“Do të mbjell një tjetër flamur me Xanën”, dedikimi prekës i Luis Enrique-s për vajzën e ndjerë

“Dua të mbjell me të një tjetër flamur.” Me këto fjalë të thella dhe plot emocion, Luis Enrique i ka dedikuar triumfin në Ligën e Kampionëve vajzës së tij të ndjerë, Xana, e cila humbi jetën në vitin 2019 në moshën 9-vjeçare.
Dhjetë vite pas momentit të paharrueshëm në Berlin, kur pas finales Juventus-Barcelona (1-3) mbolli një flamur në fushë së bashku me të bijën e vogël, trajneri spanjoll e ka ripërsëritur gjestin, këtë herë me PSG-në, pas fitores historike 5-0 ndaj Interit në Mynih. Ishte një moment i fuqishëm simbolik, një kujtim i gjallë për një dashuri që nuk shuhet kurrë.
Pas fishkëllimës së fundit që vulosi fitoren më të madhe në një finale evropiane, Luis Enrique veshi një fanellë të veçantë. Ajo kishte një ilustrim si film vizatimor që përshkruante pikërisht momentin kur ai dhe Xana festonin në 2015-ën, duke mbjellë bashkë flamurin e Barcelonës.
Tifozët e PSG-së nuk qëndruan pas. Ata shpalosën një pankartë prekëse, dedikuar trajnerit të tyre dhe vajzës së tij, një gjest që e bëri edhe më të thellë këtë mbrëmje të paharrueshme. Me siguri, edhe nga lart, Xana ka qenë krenare për të atin, ajo ishte tifozja e tij më e madhe.




