Real Madrid dhe obsesioni i ri, ‘ylli’ i City-t në shënjestër të Florentino Perez-it

Real Madrid ka vendosur objektivin e radhës për merkaton: Erling Braut Haaland është kthyer në obsesionin më të ri të presidentit Florentino Perez. Sipas raportimeve të fundit nga Fichajes, “Los Blancos” janë në kërkim të një sulmuesi të ri për të rinovuar fazën sulmuese të skuadrës dhe norvegjezi shihet si lojtari ideal për të udhëhequr projektin e ri galaktik.
Megjithatë, përpara se të nisin manovrat konkrete për të sjellë ‘yllin’ e Manchester City-t në ‘Santiago Bernabéu’, madrilenët duhet të zgjidhin çështjen e trajnerit. E ardhmja e Carlo Ancelottit është gjithnjë e më larg klubit, duke shtuar edhe më shumë pasigurinë mbi drejtimin e ekipit në sezonin e ardhshëm.
Gjithashtu, në horizont mund të ketë largime të bujshme: Rodrygo, Camavinga, Tchouaméni, Rüdiger, Alaba, Brahim Díaz, madje edhe Vinícius Junior mund të shiten nëse mbërrijnë oferta të mëdha. Strategjia e Perez-it është e qartë – të çlirojë sa më shumë nga buxheti i pagave dhe të sigurojë të ardhura të freskëta për të përballuar operacionin “Haaland”, i cili nuk përfshin vetëm kartonin e tij, por edhe një nga pagat më të larta në botën e futbollit.
Në anën tjetër, Haaland po rikuperohet nga një dëmtim i pësuar gjatë ndeshjes së FA Cup kundër Bournemouth-it. Trajneri Pep Guardiola deklaroi në konferencën për shtyp: “Ai nuk po stërvitet. Nuk do të jetë gati për ndeshjet e ardhshme”. Edhe për Stones dhe Aké, situata nuk është optimale: “Po përmirësohen, por ende nuk janë gati”, shtoi tekniku i City-t.
Pavarësisht gjithçkaje, Real Madrid duket i vendosur ta bëjë Haaland-in pjesë të të ardhmes së klubit dhe vera që po vjen mund të sjellë një nga operacionet më spektakolare në histori.




