Humbja e dëgjimit rrit rrezikun e dështimit të zemrës, kështu thotë studimi

Humbja e dëgjimit është një problem që prek një numër të madh njerëzish, veçanërisht ata që janë në moshë të ‘thyer’. Sidoqoftë, një studim i ri tregon se humbja e dëgjimit mund të lidhet me një rrezik në rritje të zhvillimit të dështimit të zemrës, duke përfshirë gjithashtu ndikimin e shqetësimit psikologjik të shkaktuar nga paaftësia për të dëgjuar. Kjo është një gjetje e rëndësishme që ka dalë nga një studim i madh afatgjatë, i botuar në revistën shkencore ‘Heart.’
Humbja e dëgjimit është bërë më e zakonshme sidomos në personat e moshuar, dhe ajo shoqërohet gjithashtu me një rritje të çrregullimeve të tjera shëndetësore, përfshirë dështimin e zemrës, i cili prek rreth 64 milionë njerëz në të gjithë botën.
Sidoqoftë, lidhja mes këtyre dy problemeve nuk ishte studiuar në detaje deri më tani. Studiuesit kanë vëzhguar një grup të gjerë njerëzish për të kuptuar më mirë këtë lidhje.
Studimi përdori të dhënat e 164,431 pjesëmarrësve nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar. Prej tyre, 4,369 përdornin aparate dëgjimi, ndërsa të tjerët u ndanë në grupe sipas niveleve të dëgjimit si ai normal, i pamjaftueshme dhe i dobët. Në fillim të studimit, askush nga pjesëmarrësit nuk kishte dështim të zemrës. Po ashtu, u mblodhën të dhëna të tjera për shëndetin, stilin e jetesës dhe faktorët psikologjikë, duke vlerësuar gjithashtu izolimin social dhe shqetësimet psikologjike.
Rezultatet treguan se ata që kishin dëgjim të dobët ose përdornin aparate dëgjimi kishin një rrezik më të lartë për zhvillimin e dështimit të zemrës. Ata që kishin dëgjim të dobët kishin një rrezik 28% më të madh, dhe ata që përdornin aparate dëgjimi kishin një rrezik 26% më të madh për dështim të zemrës krahasuar me ata që kishin dëgjim normal. Studiuesit nënvizonin se kjo lidhje ishte më e fortë tek ata që nuk kishin histori të sëmundjeve koronare të zemrës ose goditjeve në tru.
Pjesëmarrësit që nuk përdornin aparate dëgjimi, dhe që kishin dëgjim të dobët, ishin më të prirur të përjetonin shqetësime psikologjike dhe të përballeshin me izolim social. Studiuesit gjetën se këta faktorë kishin një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e dështimit të zemrës, duke përbërë një pjesë të madhe të rrezikut të shtuar. Kur këto faktorë kombinoheshin, efektet ishin më të theksuara, duke sugjeruar një ndërveprim midis tyre.
Përdorimi i aparateve të dëgjimit, megjithëse mund të përmirësojë dëgjimin, mund të mos trajtojë problemet themelore vaskulare që kontribuojnë në rrezikun e zhvillimit të dështimit të zemrës. Kjo tregon se humbja e dëgjimit mund të jetë një tregues i hershëm i problemeve të shëndetit të enëve të gjakut, duke pasqyruar shëndetin e përgjithshëm të zemrës.
Studiuesit theksojnë se ky është një studim vëzhgues dhe nuk mund të përcaktojë një lidhje të drejtpërdrejtë të shkakut dhe pasojës. Megjithatë, ata sugjerojnë se ka shpjegime biologjike të mundshme për gjetjet e tyre. Ata besojnë se humbja e dëgjimit mund të ndodhi për shkak të çrregullimeve të enëve të gjakut, duke përfshirë ato të veshit të brendshëm, që është një zonë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të qarkullimit të gjakut.
Kjo tregon se monitorimi dhe trajtimi i humbjes së dëgjimit mund të jetë një mjet i rëndësishëm për parandalimin e problemeve të zemrës në të ardhmen. Syri.net-newsbomb.gr.



