“E gatshme të kandidoj për kryetare në PS, s’e di a më do apo jo kryeministri”, Spiropali sfidon Ramën: Nuk heq dorë nga mandati i deputetes

Hapje të garës për kreun e PS pas 17 vitesh kërkon Elisa Spiropali, duke u shprehur se është e gatshme të garojë. Ajo thotë se statuti nuk është respektuar lidhur me përjashtimin e sot. Spiropali refuzon të heqë dorë nga mandati i deputetes.
“Nuk e di a më do a s’më do Edi Rama, unë di vullnetin tim, di që më duan socialsitët sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër, beteja shumë të vështira. Jam e majtë, socialiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Statuti nuk është Bibël, as Kuran. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e PS, flasin sot për të? Statuti është rregulla të përbashkëta. U respektua lidhur me mua a të tjerë? Këta njerëz pse janë larguar nga PS kur janë të dinjitetshëm, pa asnjë arsye?
Unë jam aty, ata që kanë probleme le të ikin. Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. A mundet të hapet gara në PS dhe të garohet me platforma? A ka bërë Edi Rama shumë për këtë proces? Patjetër që ka bërë!
Humbja e shpresës e forcon pushtetin dhe këtu kemi përgjegjësi të gjithë, jo vetëm Edi Rama, ka përgjegjësi edhe media, edhe opozita. Kur ti heq dorë, një vendimmarrje e caktuar kalon, ti nuk do të jesh i vetëm që nuk thua një fjalë. Pak nga pak, shikon që pak nga pak, me vite të tëra, rrëshqet”, tha Spiropali.





