Politike

Spiropali e quan përjashtimin nga PS “dekoratë”, kritikon sistemin politik ku ndërtoi karrierën

Deputetja Elisa Spiropali ka dalë sot përpara mediave pas përjashtimit nga Partia Socialiste, duke kritikuar sistemin politik dhe elektoral, në të cilin ajo vetë ka mbajtur deri vonë funksione të larta drejtuese.

Ish-kryetarja e Kuvendit, e cila ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të socialistëve, e cilësoi përjashtimin si një “dekoratë”, duke thënë se është gruaja e parë në 35 vjet që përjashtohet nga forumet e partisë për shkak të qëndrimeve të saj.

Pas përjashtimit nga PS, Spiropali ngriti çështjen e mungesës së demokracisë brenda partive dhe të pengesave në qarkullimin e elitave politike. Deklaratat e saj shtrojnë edhe çështjen e përgjegjësisë që ka pasur vetë si pjesë e drejtimit politik dhe institucional të vendit.

“Unë jam e para grua në 35 vite që përjashtohem nga PS dhe po e marr si dekoratë këtë. Unë isha dhe kryetarja më e re e zgjedhur nga Kuvendi dhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie, mendoj se nuk duhet të habitemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu, kur ata që duhet të ikin, rrinë. Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të zhvillimit të saj.

Unë kam mbajtur këtë qëndrim për udhëkryqin ku ndodhet Shqipëria, që të ngrihemi nga ky sistem aktual, për t’ju përgjigjur të rinjve dhe dëshirës për më shumë demokraci brenda partive, në Kuvend, institucione, për mënyrën sesi vepron pushteti dhe vendimmarrje. Sistemi elektoral ka prodhuar një moçal politik, një stanjacion të qarkullimit të elitave, nuk pulson më nevoja për ndryshim”, tha Spiropali.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button