Spiropali mesazh Edi Ramës: Ose bëje këtë punë si burrat, ose ik

Ish ministrja Elisa Spiropali i ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama në mbyllje të konferencës për shtyp, duke i kërkuar të ndryshojë mënyrën e qeverisjes ose të largohet.
“Besoj se përgjegjësitë që më janë dhënë dhe kam ushtruar janë edhe përgjegjësi për tu përgjigjur atyre që na kanë besuar. Edhe për faktin që kam qenë kryetare e Kuvendit dhe ministre e Jashtme duhet tja kthej kësaj force politike. Unë kështu mendoj se i kthehet, qoftë edhe Edi Ramës duke i thënë sot në këtë pikë, që është domosdoshmëri që ai të ndryshojë mënyrën e qeverisjes ose të ikë. Ose ta bëjë këtë punë si burrë, si udhëheqës si lider dhe të mbajë përgjegjësi ose të lëvizë nga ai pozicion. Mos të mbrojë të pambrojtshmit. Nuk bëhet kjo as me propagandë dhe as me pasqyra. As nuk normalizuar arrogancën dhe abuzimin e shumë njerëzve aty, por bëhet duke mbajtur përgjegjësi. Unë do luftoj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në PS dhe në publik për të bashkuar ata njerëz që ndihen të pa përfaqësuar në PS”, tha Spiropali.
Spiropali kërkoi edhe rihapjen e garës për kryetarin e PS. Në fjalën e saj, duke iu referuar Edi Ramës, deputetja theksoi se kryetari i partisë nuk mund të jetë i përjetshëm.
“Nuk e di a më do apo nuk më do Edi Rama, por unë di vullnetin tim, që më duan socialistët që kam bërë beteja për ta që nuk i ka bërë kush tjetër. I kam qëndruar bindjeve të mia. Jam një e majtë, socialiste dhe progresiste e bindur. Besoj që më duan socialistët. Nëse duan një garë popullariteti, unë kam një propozim, të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado i mirë të jetë”, tha ajo.
Spiropali e konsideroi vendimin për përjashtimin e saj nga grupi socialist si “nul”, ndërsa tha se është e vendosur të mos heq dorë nga mandati i deputetes.
“As isha në atë mbledhje grupi, as kishte rend dite. Aty nuk u bë votim, u bë legjitim i një vendimi jo legjitim i një vendimi të asamblesë kombëtare që s’kishte votim. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, lërë me veprimi”, u shpreh ajo.





