“Do ta fitojmë sërish Tiranën më 9 maj!”/ Rama: PS rruga nga kalon amaneti kombëtar i bashkimit me Europën

Kryeministri Edi Rama njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e konsideroi sot absurd vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrë në mungesë kryebashkiakun e Tiranës, ndërsa u shpreh se do të punohet që Tirana duhet të rifitojë kohën e humbur.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama u ndal te riorganizimi i ri që duhet të bëhet për t’i kthyer defiçitet që ka krijuar humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re.
Rama iu referua paraburgimit thuajse dyvjeçar të Erion Veliajt, kryetarit të zgjedhur nga populli i kryeqytetit por edhe vendimit absurd të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë atë në detyrë edhe pse në mungesë, pra në pamundësi të plotë të ushtrimit të detyrës.
“Ky absurditet antidemokratik i prodhuar nga një zhbalancim i hapur i drejtësisë, cila faktikisht e la thuajse 2 vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë është i pashoq në historinë e Europës Demokratike”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këtë vendim e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës.
“Por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se PS duhet t’i tregojë qytetarëve se si do ta rifitojë kohën që humbi Tirana këta dy vjet dhe si do ta mbylli plagën ende të hapur të rindërtimit në Kombinat dhe gjetkë.
Rama: Do ta fitojmë sërish Tiranën më 9 maj
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, tha sot se Partia Socialiste do të fitojë sërish bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, Rama pranoi se mungesa e kryebashkiakut përbën një problem për ecurinë e qeverisjes vendore, ndërsa theksoi se situata do të marrë zgjidhje me fitoren e socialistëve.
Rama tha se Partia Socialiste mbetet alternativa më e mirë politike për vendin, pavarësisht të metave, dobësive dhe gabimeve që mund të ketë pasur gjatë viteve të qeverisjes.
“E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumë planësh për ecurinë e punëve të qeverisjes vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës. Dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e një të përpjete të vështirë sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, Partia Socialiste nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike, ku alternativat e tjera janë jo vetëm shumë më të dobëta, po janë seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit. Pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, vjen konfuzioni, vjen paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë si një hije që tanimë është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë”, tha ai.
Në vijim, kryeministri u shpreh se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që mund të çojë përpara procesin e integrimit europian, fuqizimin ekonomik dhe diplomatik të vendit.
“Partia Socialiste është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqipërinë sepse është thjesht rruga e vetme nga kalon amaneti kombëtar i bashkimit me Europën, fuqizimi ekonomik, shoqëror dhe diplomatik i Shqipërisë, në këtë kohë kaq të ndërlikuar për botën dhe për vetë Europën, ku edhe Shqipëria jonë e vogël, pikërisht pse është bërë shumë e madhe në perceptimin e tjerëve, është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër Bashkimit Europian, kundër përparimit tonë kombëtar dhe kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar”, tha Rama./OraNews





