Selin Bollati reagon për krizën me Gimbon, deklarata për ndarjen ngre dyshime

Selin Bollati ka reaguar ndaj zërave që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale për një krizë të mundshme në marrëdhënien e saj me DJ Gimbon. Fituesja e “Big Brother VIP Albania 5” ka zgjedhur të thyejë heshtjen përmes një postimi në Instagram, ku u është përgjigjur aludimeve të ndjekësve për raportin e saj në çift.
Shkak për dyshimet janë bërë disa detaje të vërejtura nga përdoruesit e rrjeteve sociale, mes tyre mungesa e unazave në disa fotografi dhe postime të çiftit. Këto elemente janë interpretuar si shenja të një krisjeje të mundshme mes Selinit dhe partnerit të saj.
Por ajo ka kundërshtuar mënyrën se si publiku nxjerr përfundime nga detaje të tilla, duke theksuar se një unazë nuk është ajo që mban të bashkuar dy njerëz.
“Një gjë është e sigurt, që marrëdhënien time dhe të partnerit tim nuk e mban unaza!!”, ka shkruar Selin.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në reagimin e saj ishte pikërisht mënyra se si iu referua mundësisë së një ndarjeje. Selin theksoi se një vendim i tillë nuk do të ishte fundi i botës, por nëse do të ndodhte ndonjëherë, do të ishin vetë ajo dhe Gimbo ata që do ta bënin publik lajmin.
“Të ndahesh nuk është fundi i botës. Sot jetojmë në demokraci dhe njerëzit janë të lirë të marrin vendime të ndryshme për jetën e tyre. Ndaj, nëse jeta do të më përballë me një sfidë të tillë (që uroj të mos ndodhë kurrë), unë dhe partneri im kemi pjekuri mjaftueshëm, edhe atë emocionale, për të reaguar publikisht VETË NE për vendimmarrjet tona”, është shprehur ajo.
Selin sqaroi se reagimi i saj nuk kishte si qëllim t’u jepte vëmendje profileve që i konsideron false apo personave që përhapin komente dashakeqëse. Sipas saj, dëshira ishte të qetësonte ndjekësit dhe mbështetësit që shqetësohen nga aludimet për jetën e saj private.
Në fund, ish-banorja përcolli edhe një mesazh për mënyrën se si secili duhet ta jetojë jetën, duke theksuar se dashuria, ndarjet, ribashkimet, gabimet dhe fillimet e reja janë pjesë e zgjedhjeve personale.
“Është jeta juaj dhe ju vendosni si ta jetoni”, përfundoi ajo.
Pavarësisht reagimit, Selin nuk konfirmoi se marrëdhënia me Gimbon është në krizë apo se çifti është ndarë. Përkundrazi, ajo la të qartë se çdo vendim i rëndësishëm për jetën e tyre personale do të komunikohej prej vetë protagonistëve dhe jo përmes aludimeve në rrjetet sociale.





