Politike

Përplasjet në PS, Petro Koçi del kundër Ramës për Spiropalin dhe Ndrecën: Përjashtimi është nul pa votim

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke kundërshtuar përjashtimin e propozuar të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet e partisë.
Koçi e cilëson këtë lëvizje të tepruar dhe të dëmshme, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e procedurave statutore dhe mënyrën se si drejtuesit e PS-së marrin vendime për figurat që shprehin qëndrime kritike.
“Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se Kryetari apo Sekretari i Përgjithshëm. Përndryshe koncepti institucional parti shkërmoqet”, shkruan Koçi.
Sipas tij, një propozim për përjashtim nuk mund të marrë fuqi pa votim institucional. Ai argumenton se statuti i PS-së e njeh deputetin socialist si anëtar të Asamblesë Kombëtare për shkak të funksionit dhe se Spiropali nuk mund ta humbasë automatikisht këtë status për sa kohë mbetet pjesë e grupit parlamentar.

Duke iu referuar Spiropalit, Koçi pranon se disa prej qëndrimeve të saj kanë shkaktuar reagime brenda socialistëve, por thekson se kjo nuk justifikon përjashtimin nga forumet.
“PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë”, shprehet ai.

Sa u përket ndryshimeve në strukturat e PS-së në kryeqytet, Koçi vlerëson caktimin e Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e socialistëve të Tiranës.

Postimi i Koçit:
Modestisht për Asamblenë:

  1. Lajmi më i mirë e ndofta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS-së, përfaqësojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit. Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen, përbëjnë ndofta kapitalin njerëzor më të arrirë, nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për kryetar bashkie në garën e zgjedhjeve vendore që po troket.
  2. Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkan përjashtuar nga forumet e PSSH-së. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se kryetari apo sekretari i përgjithshëm. Përndryshe, koncepti institucional i partisë shkërmoqet. Është e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist. Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë, në një pjesë të tyre, nga mënyra se si ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Unë thjesht arsyetoj me supozime.
    Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe dëmprurës. PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë. Në fund të fundit, Elisa nuk është Marjana Koçeku, për përzgjedhjen e së cilës nuk mbajti askush përgjegjësi.
    Rasti i Plarentit është edhe më i pakuptimtë. E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e një procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të plenumeve të PP-së.
  3. Përjashtimi nga forumet me rastin e së shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht, ai nuk validohet dot. Statuti është shumë i qartë në kësi rastesh.
  4. Në bazë të Statutit, deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do të çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi.
  5. Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit, të paktën përkohësisht, të personave ndaj të cilëve ka filluar procesi penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë.
  6. Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në Facebook në grupe ku disa përbetohen për kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë mallkojnë kryetarin e lëvdojnë kritikuesit. Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS-së.
  7. Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike. Por fenomenet e dhunës e të plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e komprometuan përkrahjen popullore. Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë.
    Ndërkohë, protestës i mungon vizioni dhe lidershipi. Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës. Përmbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Protesta i ka arritur disa suksese: ulja e TVSH-së për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj. Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë, si p.sh. rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button