Aktualitet

Transferimi i papritur nga Durrësi në burgun e Fierit dhe urdhri i prerë nga kryeministria, Artan Hoxha zbërthen prapaskenat e “internimit” të Erion Veliajt dhe arsyet pse Edi Rama po i vë “kufirin te thana” kryebashkiakut të Tiranës

Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha, ka zbërthyer me detaje prapaskenat e transferimit të papritur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit. Gjithçka nisi pas një reagimi publik të Veliajt në rrjetet sociale lidhur me lëvizjen studentore në Beograd dhe rrëzimin e pushtetit të Vuçiçit atje.

Hoxha tha në Top News se kjo lëvizje e Veliajt tregoi një ndryshim stili në komunikim, ku pas një periudhe heshtjeje e kujdesi, ai riktheu vëmendjen e medias ndërkombëtare dhe institucioneve mbi masën e tij të sigurisë, duke pretenduar se po mbahet pa të drejtë në izolim. Hoxha thekson se ky transferim nuk është thjesht një procedurë rutinë, por një formë e re e ndëshkimit politik që i ngjan më shumë një internimi për nga izolimi që i shkakton.

Lidhur me mesazhin e koduar të Veliajt dhe reagimin e tij publik, gazetari Artan Hoxha tha se: “Çdo gjë tek ai statusi i Erion Veliajt ishte përmbledhur tek ajo, madje tek ai togfjalësh: pra, nuk është fundi i botës, fundi i një bote është. ‘Fundi i një bote…’ Dhe kjo bota jonë tani sillet vërdallë një bote, se kemi edhe si shprehemi ne shqiptarët: ‘O botë, ku je, o botë!’. Pra, ne numrin njëjës e kemi për të thënë ‘Ku je, o person?’, nëse s’po përdor shprehje nga zona jonë, se kemi shprehje edhe më të bukura, ne themi ‘Ku je, o flori!’, po ata thonë ‘Ku je, o botë!’.

Dhe në këtë rast, Erion Veliaj nuk e di në çfarë rrethane mund të ketë qenë, sepse kam parë që kohët e fundit ai ka qenë goxha i rezervuar, ndryshe nga fillimi kur e nisi me vrull, por kohët e fundit çdo fjalë e kishte të menduar, qoftë ato që thoshte vetë, qoftë ato që thoshte nëpërmjet avokatit. Këtë radhë jo. U duk sikur në këto muajt e fundit ai po e rikthente pak a shumë situatën — në ç’kuptim? Që po bëhej lajm në media ndërkombëtare.

Kishte reagim nga disa institucione për faktin që ai po mbahet, po i privohet liria, po mbahet në një masë ekstreme pa qenë e domosdoshme. Pse pa qenë e domosdoshme? Sepse këshilli bashkiak, kryeministri i vendit dhe qeveria e shkarkuan Erion Veliajn nga detyra, por në detyrë e ka kthyer Gjykata Kushtetuese.”

Prapaskenat

Sipas analizës së mëtejshme të Hoxhës, arsyeja kryesore pse pushteti vendosi ta heqë Veliajn nga Durrësi lidhet me faktin se ai po vazhdonte të ushtronte pushtetin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës direkt nga qelia. Pavarësisht se Edi Rama e shkarkoi me vendim qeverie dhe me votat e këshillit bashkiak, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e mbajti Veliajn në detyrë. Afërsia e Durrësit bënte që punonjësit e bashkisë të shkonin disa herë në ditë me dosje e stivë dokumentesh për të marrë firmën e tij, duke larguar madje edhe drejtuesen e komanduar nga kryeministri. Kjo situatë krijoi bezdi të madhe në kryeministri.

Gjithashtu, ndryshimi i drejtuesit të burgjeve dhe emërimi për herë të parë i një femre në krye të këtij institucioni shërbeu si një mekanizëm për të prishur të gjitha lidhjet dhe lehtësirat që Veliaj kishte krijuar. Ndërkohë, ai tha gjithashtu se: “Pra Edi Rama, në fakt, çfarë kishte për t’i bërë, ia bëri. Këshilli bashkiak, edhe pse ishte i zgjedhur kokë më kokë për Erion Veliajn, votoi kundër Erion Veliajt, sepse kjo ishte direktiva që erdhi nga Edi Rama, dhe ai tha: tani e kanë marrë zonën e s’dinë ç’bëjnë për atë vend. Dhe e dyta ishte fakti që ata e shkarkuan me vendim qeverie. Sot, pra, Erion Veliaj vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, bashkia më e madhe në vend, për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ka detyruar gjykatën dhe SPAK-un që ta ndryshojnë masën e sigurisë. Pse i përmenda këto kohët e fundit?

Sepse kam parë që në Durrës shkonin dy, tre, katër herë pasdite punonjës të bashkisë që i çonin shkresa për firmën e Veliajt, sepse ai mori edhe nën kontroll bashkinë, duke larguar kryetarin e bashkisë që e vuri Rama, pra nënkryetaren që u komandua si kryetare, të cilën e vendosi Rama. Ai e hoqi zonjën Ristani dhe e ka marrë vetë drejtimin e bashkisë. Pra, duket pak e çuditshme që çdo ditë të shkonin nga Tirana për të firmosur, por shkonin me vandak sepse është një dokumentacion shumë i madh — Bashkia e Tiranës, bashkia më e madhe e vendit. E bezdiste dikë fakti që shkojnë punonjës të bashkisë në Durrës?

Patjetër që ai e mori nën kontroll bashkinë dhe po e kontrollon bashkinë nga Durrësi, patjetër që e bezdis, dhe kjo ka bërë që ta çojnë në Fier, bashkë edhe me këtë tjetrën. Pra, me ekzaltimin që pati Erion Veliaj duke parë edhe situatën atje, këto janë kombinuar dhe ai që merr vendimin atje sipër e ka në dorë. Edhe drejtori i burgjeve që ishte, i cili me thënë të drejtën ishte një njeri që nuk kishte marrëdhënie të këqija, po flas, me Erion Veliajn, sapo u largua dhe na erdhi një drejtoreshë burgjesh.

Për herë të parë në Shqipëri kemi një drejtoreshë burgjesh. Ky është stili i Ramës, por stili i dështuar tashmë, sepse për fat të keq ai nuk zgjedh as femrat më të talentuara, as femrat që kanë bërë karrierë, që e kanë arritur suksesin vetë, që janë përfshirë në jetën politike e publike të këtij vendi.Dhe t’i çosh aty në këtë situatë… Burgjet e Shqipërisë nuk kanë pasur kurrë nivel më të lartë të bosëve të krimit se sa kanë sot, dhe ti të çosh aty një femër…”

Ndryshimi

Më tej, Hoxha sqaroi se emërimi i drejtoreshës së re u bë me synimin për të bllokuar çdo negociatë apo mirëkuptim informal me drejtuesit e institucionit, ndërsa përzgjedhja e burgut të Fierit sjell ndryshim rrënjësor në kushtet e izolimit. Në vijim të fjalës së tij, gazetari Artan Hoxha tha se: “E di pse e ka çuar atë? E ka çuar me idenë që meqëse me drejtorët e tjerë që ishin meshkuj ti ia gjeje anën, se ai do të kishte një mik, një shok…Është çuar dikush që ti do të shkosh te Rama…Meqenëse Veliaj nuk është sjellë mirë këto kohë dhe nuk është sjellë mirë ndaj të madhit, jo më ndaj SPAK-ut, atëherë ata kishin dy mundësi ku mund ta çonin. Mund ta çonin në Reç, por do të binte shumë në sy burgu i Reçit po ta çonin në Shkodër — burgjet më të larta — dhe burgu tjetër është në Fier.

Pra, nuk mund të shkojë nga Bashkia e Tiranës për të marrë një shkresë urgjente si të shkonte në Durrës, se Durrësi ja ku është, 30 minuta, shkon dhe vjen. Por të shkosh në Fier të merr gjithë ditën. E para. E dyta, burgu i Fierit është burg shumë i madh, është minimalisht tetë herë më i madh se burgu i Durrësit. Dhe duke qenë tetë herë më i madh, konglomerati i njerëzve që janë aty — i njerëzve të botës së krimit, i personave që janë të dënuar për korrupsion, pra që janë edhe zyrtarë, por kryesisht të botës së krimit — është jashtëzakonisht i madh. Dhe aty ti duhet të mbash ekuilibra.

Nuk është më si në burgun e Durrësit, ku e njohin të gjithë njëri-tjetrin aty brenda. Burgun e Durrësit ne e quanim ‘kamp’, sepse duke u krahasuar me burgjet e tjera kishte shumë favore dhe lehtësira.” Më tej, Hoxha tregoi se ky transferim dërgon një mesazh të qartë politik se Rama e ka marrë vetë në dorë kontrollin e situatës dhe po i vë ‘kufirin te thana’ kryebashkiakut. Fieri ka rregulla të tjera dhe heqja e aksesit të shpejtë bën që Veliaj të mos ketë më komoditetin e mëparshëm në prag të fushatës zgjedhore. Lidhur me këtë mesazh politik, Hoxha deklaroi gjithashtu se: “Lehtësira, nuk thosha… po e heq pjesën e komoditetit, por kishe lehtësira.

Ndërkohë, duke të çuar në Fier, tashmë nuk je një nga 100 të burgosurit, ti tani je një nga 1,000 të burgosurit. Burgu i Fierit ka ca rregulla të tjera. Duke e çuar në Fier, synojnë dy gjëra: së pari, për t’i treguar se është duke folur pak kështu dhe se kush e kontrollon lojën; dhe së dyti, për t’i thënë: ‘Me atë bashkinë e Tiranës, ti vërtet e ke atë mandatin si kryetar bashkie, por s’mund të bësh ti çfarë të duash, se po vijnë fushata zgjedhore’. A do të mbledhë presidenti… Ka kërkuar takim me kryetarët e partive. Pra, si do të hyjë në zgjidhje për bashkinë e madhe me Erion Veliajn, që do ta kontrollojë nga burgu?

Dhe Edi Rama nuk i fal këto gjëra dhe nuk i lë në dorë të rastësisë. Kështu që me këtë rast, pra, ai ia ka mbledhur të gjitha ato, i ka futur vizën në fund, i ka dalë llogaria se Erion Veliaj po i bezdis — nuk po them ndonjë gjë më të madhe, po e bezdis.” Gazetari ndali vëmendjen te fakti se te burgu i Fierit ndodhen përfaqësues të të gjitha grupeve të botës së krimit, përfshirë emra të njohur si Gramoz Rexhepi, çka e bën mjedisin plotësisht të ndryshëm nga Durrësi. Gjithashtu, izolimi në Fier i heq Veliajt mundësinë e kontakteve të përditshme me avokatët e familjarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button