Bota

Studentët mposhtin Vuçiçin në Serbi/ Kush është Ilija Srdanoviç, kardiologu që kryesoi listën fituese

Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është emri që kryesoi Listën e Studentëve, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, duke mposhtur forcën politike të Aleksandër Vuçiçit.

Lista studentore siguroi rreth 52% të votave, sipas projeksioneve paraprake, ndërsa pritet të marrë rreth 138 nga 250 mandatet në parlament. Vetë Vuçiç e pranoi humbjen, duke deklaruar se lista e tij kishte dalë e dyta në këto zgjedhje. Rezultatet përfundimtare zyrtare nuk ishin publikuar ende në momentin e raportimit.
Fitorja shënon një moment të rëndësishëm për lëvizjen studentore, e cila u shndërrua në një forcë politike pas protestave disamujore kundër korrupsionit dhe kërkesave për përgjegjësi nga institucionet shtetërore.
Por kush është Ilija Srdanoviç, njeriu që u vendos në krye të listës fituese?
I lindur në vitin 1970 në Novi Sad, Srdanoviç është mjek kardiolog dhe profesor universitar. Ai përfundoi studimet e mjekësisë dhe specializimet përkatëse, ndërsa në vitin 2012 mbrojti doktoraturën. Prej vitit 2018, ai jep mësim në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, në departamentin e mjekësisë së urgjencës.
Srdanoviç u rreshtua në mbështetje të protestave studentore që në fillimet e tyre dhe doli për herë të parë për të folur në tubimet e organizuara në Beograd në maj të këtij viti. Në shtator, ai u bë drejtuesi i listës së pavarur “Studentët fitojnë”, duke marrë përsipër të përfaqësonte lëvizjen në garën parlamentare.
Programi i listës përfshin decentralizimin e kujdesit shëndetësor dhe vendosjen e interesave kombëtare në plan të parë, pa e konsideruar integrimin e menjëhershëm në Bashkimin Europian si përparësi kryesore.
Gjatë një takimi të studentëve në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç rikujtoi tragjedinë e vitit 2024, kur shembja e një tende në stacionin e trenit të qytetit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti protesta të gjera, me studentët që kërkonin transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Ai u shpreh se qytetarët po kërkojnë një rrugë të re për vendin përmes brezit të ri, i cili, sipas tij, duhet të kontribuojë në përmirësimin e Serbisë.
Me fitoren e Listës së Studentëve, Srdanoviç bëhet figura kryesore e një lëvizjeje që kaloi nga protestat në garën parlamentare dhe arriti të mposhtë listën e drejtuar nga Vuçiç. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të përkthehet kjo fitore në formimin e qeverisë dhe në drejtimin e ardhshëm të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button