10 ditë protesta në Tiranë, Zegjine Çaushi ‘u jep leksion’ studentëve: Pranoni dialogun me Ramën

Në ditën e dhjetë të protestave që po zhvillohen në Tiranë, ku të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar duke u bërë thirrje protestuesve të zgjedhin dialogun dhe jo dhunën.
Përmes një reagimi, Çaushi është ndalur te pasojat e incidenteve të ditëve të fundit, ndërsa u ka përcjellë të rinjve mesazhin se pakënaqësitë e tyre duhet të dëgjohen dhe shqetësimet të marrin zgjidhje.
Duke iu drejtuar të rinjve, ajo ka theksuar se dëmet ndaj institucioneve dhe bizneseve prekin edhe qytetarët që punojnë dhe sigurojnë jetesën përmes tyre.
“Mirëmëngjes, të dashur miq! Teksa po shkoj sot në seancën plenare, rrugëve të Tiranës, pasojat e dhunës së ditëve të fundit janë të dukshme dhe natyrshëm më lind pyetja: A është kjo Tiranë që duam të shohin të gjithë? Pas këtyre pamjeve ka më shumë sesa dëme materiale. Pas çdo institucioni të dëmtuar, ka njerëz që punojnë, dhe pas çdo biznesi të shkatërruar, ka familje që jetojnë me mundin dhe sakrificat e tyre. Çdo pakënaqësi e juaja meriton të dëgjohet dhe çdo shqetësim meriton zgjidhjen e duhur. Zgjidhja e duhur vjen përmes dialogut, jo dhunës. Të dashur rinj dhe të reja, Tirana dhe Shqipëria meritojnë të ecin përpara, me qetësi, përgjegjësi dhe sytë nga Europa”, shprehet deputetja./Pamfleti




