Rama prezanton “Pasqyrën e Çmimeve”: 1 mijë artikuj brenda vitit në platformë, gjoba kush spekulon

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të vendosë çmime tavan për produktet ushqimore, duke theksuar se çmimet në një ekonomi tregu duhet të përcaktohen nga konkurrenca e lirë.
Gjatë prezantimit të platformës “Pasqyra e Çmimeve”, Rama tha se nisma synon t’u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet në rrjetet e supermarketeve dhe të zgjedhin ku mund të blejnë më lirë.
“Ka thirrje që të vendosim çmime tavan. E kemi të pamundur, se kemi bërë zgjedhjen në 1990, ku jemi ndarë nga sistemi që i vinte vetë dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë. Pikërisht te konkurrenca e lirë qëndron edhe baza e kësaj nisme të përbashkët me këto subjekte”, tha Rama.
Platforma përfshin aktualisht 238 produkte, 13 kategori dhe 155 pika shitjeje në pesë rrjete supermarketesh. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë prezantimit, 212 produkte do të tregtohen me çmime fikse deri më 12 janar 2027.
Kryeministri njoftoi se synimi i qeverisë është që deri në fund të vitit numri i produkteve të përfshira në platformë të arrijë në 1 mijë. Gjithashtu, pritet që nismës t’i bashkohen edhe marketet më të vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë.
Rama paralajmëroi masa ndëshkuese për subjektet që abuzojnë me çmimet, duke theksuar se ligji parashikon gjoba në rastet kur konstatohen shkelje dhe spekulime.
“Ky është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte, duke pasur parasysh edhe subjekte më të vogla, edhe pikat e shitjes së pakicës, të cilat janë pika ku, siç e tha ministrja, shpeshherë ndodh që çmimet lëvizin në mënyrë të paligjshme dhe për këtë aty ligji parashikon edhe gjobë, në rast se ato çmime janë spekulim”, vijoi Rama.
Përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”, konsumatorët mund të krahasojnë çmimet e produkteve në supermarkete të ndryshme përpara se të kryejnë blerjet. Platforma mund të aksesohet nga telefoni celular, ndërsa në vijim parashikohet edhe krijimi i një aplikacioni të dedikuar.





