“Emigrimi të detyron të rilindësh” – Aktorja Liri Lushi rrëfen sfidat larg Shqipërisë dhe pasionin që nuk u shua

Nga Angela Kosta
Kur një aktor gdhend në kujtesën artistike portretin e tij përmes personazheve, ashtu si Liri Lushi ka bërë që në fillimet e saj me rolin e Shote Galicës, vendi i saj në memorien kinematografike zë një vend të privilegjuar. Edhe pse prej vitesh e larguar nga Teatri i Durrësit dhe rolet në kinemanë shqiptare, aktorja ka arritur të mbajë gjallë identitetin e saj artistik edhe në jetën e re që ka ngritur nga e para në Zvicër. Pa hequr dorë nga arti, por duke u thelluar brenda zhvillimit psikosocial, aktorja Liri Lushi po jeton mes këtyre dy dimensioneve. Në këtë intervistë ajo zbulon se si përvoja skenike dhe ajo jetësore e kanë ndihmuar drejt eksplorimit emocional dhe ndjesive që hulumtojnë atë që ajo e quan ‘misterin më të mrekullueshëm’, qenien njerëzore.
Vetëm 13 vjeç fituat çmimin tuaj të parë me monologun “Tregim për katër kufitarët”. Si e kujtoni atë moment?
Kjo është një pyetje thelbësore, sepse më kthen te fillimi i rrugëtimit tim artistik dhe te një e vërtetë që e kam kuptuar me kalimin e viteve: identiteti ynë i ka rrënjët më të fuqishme në fëmijërinë e hershme. Sot, si aktore dhe si pedagoge në fushën psikosociale, e kuptoj se nuk ishte rastësi që, në moshën 13-vjeçare, zgjodha vetë poemën “Tregim për katër kufitarët”, e cila fliste për jetën dhe vdekjen. Pikërisht atëherë, ende pa e kuptuar plotësisht jetën, lindi brenda meje pyetja që do të më shoqëronte gjatë gjithë rrugëtimit tim: çfarë e bën njeriun njeri? Që atëherë, gjithçka që kam bërë, në teatër, në film, në studimet në zhvillimin psikosocial dhe sot në dëshirën për t’u rikthyer te Shekspiri, ka qenë në thelb i njëjti kërkim: përpjekja për të kuptuar më thellë njeriun dhe ekzistencën e tij.
Aktrimi apo zhvillimi psikosocial i njeriut, ju ka dhënë emocionet më të forta?
Për mua nuk kanë qenë kurrë dy rrugë të ndara, ndaj është e vështirë të zgjedh mes tyre. Emocionet më të forta i kam përjetuar pikërisht aty ku arti dhe zhvillimi psikologjik i njeriut takohen. Në thelb, të dyja burojnë nga i njëjti vend: nga nevoja për të kërkuar të vërtetën njerëzore. Prandaj nuk i shoh si dy profesione, por si dy gjuhë që flasin për të njëjtin mister: njeriun, misterin më të mrekullueshëm që më ka tërhequr gjatë gjithë jetës sime.
Roli i Shote Galicës në dramën “Gërsheti i luftërave” ju bëri të njohur për publikun, çfarë përfaqëson ky personazh për ju si artiste dhe si grua?
Shote Galica ishte për mua shumë më tepër se një rol. Ajo ishte një tjetër takim me njeriun në kufijtë e ekzistencës, aty ku jeta përballet me humbjen, frikën dhe sakrificën, por zgjedh të mos dorëzohet. Si artiste, sfida ime nuk ishte të interpretoja një heroinë, por të zbuloja gruan që fshihej pas legjendës: një grua që dashuronte, vuante, kishte frikë dhe, megjithatë, zgjidhte lirinë. Pikërisht ky dimension njerëzor më ka tërhequr gjithmonë, si në art, ashtu edhe në jetën time profesionale. Mbi të gjitha, ky rol më mësoi se rolet nuk formohen vetëm nga artisti: edhe artisti formohet prej tyre. Ky formim më hapi rrugën drejt personazheve të tjera që i kam gjithmonë në zemër, si Dila në filmin “Rruga e lirisë”, Nëna në “Këtu bën ftohtë”, apo “Valsi i ngrirë në Prishtinë”, “Këngë dashurie me korbat”. Të gjitha këto personazhe kanë një të përbashkët: janë njerëz që përballen me kufijtë e jetës dhe zgjedhin të mbijetojnë.
Cilat kanë qenë sfidat dhe kënaqësitë gjatë viteve të punës në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës?
Shpesh them me buzëqeshje një shprehje që ma ka lënë nëna ime: “Kam lindur me këmishë!”. Sepse pata fatin e rrallë t’i hidhja hapat e parë, si një bebe e skenës, pranë mjeshtrave, si: Nikolin Xhoja, Haxhi Rama, Kadri Pirro, Bashkim Hoxha, autorit Avni Mulaj dhe shumë artistëve të tjerë që i përkasin panteonit të teatrit shqiptar. Prej tyre mësova se skena, me gjithë magjinë dhe disiplinën që mbart brenda vetes, është sfida më e bukur për një artist. Ajo nuk të përket kurrë; besimin e saj duhet ta fitosh çdo mbrëmje. Ky u bë lajtmotivi që më udhëhoqi në çdo skenë ku kam interpretuar. Për këtë arsye, sot e ndiej se jam gati për sfidën më të madhe artistike të jetës sime: një rikthim në skenë me Shekspirin. Më thërret “Mbreti Lir”, një rol i shkruar për një mbret, por që do të doja ta sillja në një lexim të ri, si mbretëreshë. Po aq fort më thërret edhe Hamleti. Nuk e shoh këtë si një provokim, por si një vazhdim të natyrshëm të kërkimit tim për njeriun. Nëse kam guximin ta ëndërroj këtë sot, ia detyroj shkollës së madhe që mora në Teatrin “Aleksandër Moisiu”. Për këtë do t’i jem gjithë jetën mirënjohëse. Sa ka ndikuar në jetën dhe identitetin tuaj artistik emigrimi në Zvicër?
Emigrimi për mua ishte një zgjidhje e detyruar. Në fillim, sfida më e madhe ishte humbja e spontanitetit. Kur fillon të komunikosh në një gjuhë të huaj, nuk humbet vetëm gjuhën e nënës, por edhe emocionin që shoqëronte çdo fjalë të saj. Të duket sikur ke humbur një pjesë të vetes. Por, ndërsa fiton një gjuhë të re, rikthehen, madje edhe më të forta, siguria, spontaniteti dhe besimi te vetja. Emigrimi të detyron të rilindësh, të jep një shikim më të thellë mbi veten dhe të mëson se identiteti nuk është vetëm vendi nga vjen, por kultura që mbart brenda vetes. Zvicra më mësoi se rrënjët mund të jenë të forta edhe kur degët shtrihen në një qiell tjetër!
Ju nuk u shkëputët nga arti edhe pas largimit nga Shqipëria, çfarë ju motivoi të vazhdonit rrugëtimin artistik në një vend të huaj?
Vitet e para të emigrimit duhet të ruaja dialogun me identitetin tim, por edhe të isha pranë komunitetit këtu në mërgim, me gjithçka që arti dhe formimi im mund t’u ofronin atyre. Kjo më çoi drejt studimeve pasuniversitare në fushën psikosociale. Arti dhe ky profesion, u bënë dy rrugë që u bashkuan në mënyrë të pazgjidhshme natyrshëm. Njëri më ndihmonte të kuptoja njeriun përmes krijimtarisë, tjetri përmes jetës së tij reale. Sot këto dy botë takohen çdo ditë në punën time me fëmijë dhe të rinj që kalojnë periudha të vështira ose kriza jetësore. Nuk i shoh më si dy profesione të ndara. Prandaj, që nga dita kur erdha në Zvicër nuk jam shkëputur nga arti, thjesht ai ka marrë një formë më të gjerë dhe më njerëzore.
Në vitin 2004 themeluat studion për Teatër dhe Film “Aleksandër Moisiu”. Cili ishte vizioni juaj?
Pas luftës në Kosovë, shumë të rinj që jetonin në Zvicër vinin nga familje që kishin përjetuar luftën, shpërnguljen dhe humbjet e saj. Besova se arti mund të bëhej një hapësirë ku ata t’u jepnin kuptim përjetimeve dhe të ndërtonin një urë drejt një jete të re. Kështu, në vitin 2004, lindi studioja “Aleksandër Moisiu”. Vizioni i saj nuk ishte vetëm të formonte artistë të rinj, por të krijonte një hapësirë ku ata të rizbulonin besimin te vetvetja, te jeta dhe te forca që secili mbart brenda vetes. Shumë shpejt u gjenda para vetes me një zbulim mahnitës: nuk isha vetëm unë që u jepja diçka atyre. Ata më mësuan forcën e jashtëzakonshme të njeriut për të mbijetuar, zbulova atë që psikologjia e quan reziliencë: aftësinë e tyre për të gjetur brenda vetes burimet për t’u ringritur.
Në Zvicër keni qenë pjesë e produksioneve “Strähl”, “Dilemma” dhe “Ditë e natë”? A ka dallime mes kinemasë shqiptare dhe asaj zvicerane?
Çdo kulturë artistike ka ritmin dhe etikën e saj të punës. Në Zvicër gjeta një metodë pune shumë të strukturuar dhe një respekt të jashtëzakonshëm për procesin krijues. Në Shqipëri kam përjetuar spontanitetin, intuitën dhe një energji emocionale që shpesh lind në rrethana më të vështira. Nuk besoj se njëra është më e mirë se tjetra. Arti pasurohet kur kultura të ndryshme krijuese mësojnë nga njëra-tjetra. Kam pasur privilegjin t’i përjetoj të dyja. Çfarë roli luan arti në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?
Arti shqiptar në diasporë e shndërron origjinën nga një fakt biografik në një përvojë të gjallë. Ai nuk ruan vetëm gjuhën apo traditën, por krijon një lidhje emocionale me rrënjët. Nga këndvështrimi psikosocial, identiteti nuk ndërtohet vetëm nga ajo që dimë për veten, por nga ajo që përjetojmë. Arti i jep jetë kujtesës dhe aty ku kujtesa bëhet përjetim, lind identiteti.





