Politike

“Kriza e Parlamentit është krizë e Republikës parlamentare”, Spiropali: Konflikti banal po zëvendëson funksionin

Seanca e djeshme e Parlamentit u shoqërua me përplasje shumë të forta mes deputetëve Taulant Balla dhe Flamur Noka, por edhe të tjerëve. Nisur nga situata e krijuar, ka reaguar edhe deputetja e PS, Elisa Spiropali, e cila në një postim postim në rrjetet sociale thotë se Parlamenti nuk po ushtron më rolin e tij kontrollues dhe nëse ky model vazhdon, rrezikohet funksionimi i vetë Republikës Parlamentare.

Postimi i plotë:

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.

Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.

Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.

Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.

Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.

Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.

Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë./TEMA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button