Betohet drejtori i Policisë së Shtetit/ Skënder Hita flet për herë të parë pas marrjes së detyrës: ‘Pastrime’ edhe në radhët tona…

Pas betimit në krye të Policisë së Shtetit, drejtori i ri, Skënder Hita, mbajti fjalën e tij të parë zyrtare, duke theksuar përgjegjësinë e madhe që merr përsipër në këtë detyrë.
Gjatë ceremonisë, në prani të zyrtarëve të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, Hita bëri betimin solemn: “Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem!”.
Ai e cilësoi këtë moment si një ndër më të rëndësishmit në karrierën e tij, duke theksuar se është një nder i madh të drejtojë institucionin më të lartë të rendit në vend. Hita falënderoi kryeministrin dhe qeverinë për besimin e dhënë, si dhe shprehu mirënjohje për efektivët e policisë që shërbejnë çdo ditë në terren.
Në fjalën e tij, drejtori i ri theksoi se prioritet do të jetë rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe thellimi i rezultateve në luftën kundër kriminalitetit. Ai u zotua për një qasje të pakompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga vetë strukturat e brendshme të policisë.
Forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit janë misioni im”, deklaroi Hita, duke nënvizuar objektivat kryesore të mandatit të tij.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm
E nderuar Zëvendëskryeministre, znj. Koçiu,
I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Llamallari,
I nderuar Kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes z. Bledar Çuçi.
Të nderuar oficerë ndërlidhës të policive partnere,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,
Sot është dita më e rëndësishme e karrierës sime në Policinë e Shtetit.
Pas një rrugëtimi 25-vjeçar me uniformën blu, me dëshirën për t’iu shërbyer pa kompromis, qytetarëve, ligjit dhe vendit, kam nderin dhe përgjegjësinë të marr detyrën më të lartë në organizatën tonë.
Këtë kurorëzim nuk e shoh thjesht si arritje profesionale, por si një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve dhe ndaj çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
Gjej rastin e veçantë të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, për besimin e dhënë, si dhe çdo koleg me të cilin kemi ndarë këtë rrugëtim sakrificash.
I jam mirënjohës çdo efektivi policie që shërben çdo ditë me përkushtim, si dhe familjeve të tyre, që mbajnë peshën e kësaj detyre.
Nderim për dëshmorët e Policisë dhe respekt për veteranët, që mbeten burim frymëzimi.
Është punuar e sakrifikuar shumë deri më sot, mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi akoma më shumë i imazhit të Policisë, sepse një polici e denjë matet me besimin që fiton çdo ditë nga qytetarët.
Policia nuk është thjesht një institucion që ofron shërbim, ajo është vendi ku çdo qytetar gjen mbështetje, drejtësi dhe besim.
Prioritetet tona janë të qarta:
-Lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke filluar nga radhët tona;
-Rritje akoma më shumë e parametrave të sigurisë në shkolla dhe në çdo komunitet;
-Forcimi i rendit dhe i sigurisë në të gjithë territorin e vendit;
-Modernizimi i Policisë përmes teknologjisë, përfshirë projektin madhor “Smart City” dhe trajnimeve, sipas standardeve më të mira evropiane;
-Rritje akoma më shumë e transparencës dhe e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve;
-Mbështetje dhe motivim për çdo punonjës policie që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim;
-Forcimi më tej i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Të dashur qytetarë,
Policia e Shtetit është e juaja. Ajo do të jetë gjithmonë në krah të ligjit dhe në krahun tuaj, profesionale, e gatshme dhe e përkushtuar.
Siguria juaj është detyrimi ynë më i madh.
Bashkëpunimi dhe besimi ndërmjet nesh janë thelbësorë për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt.
Të nderuar përfaqësues të medias,
Ju jeni partnerë të rëndësishëm në informimin e drejtë dhe transparent të publikut. Policia e Shtetit do të jetë e hapur dhe e përgjegjshme në komunikim, duke rritur besimin përmes transparencës.
Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,
Ju jeni shtylla e këtij institucioni.
Nga ju kërkoj përkushtim, ndershmëri dhe respekt të palëkundur për ligjin dhe qytetarët.
Do të jem mbështetësi juaj në rrugën e drejtë, por edhe kërkues i lartë i standardeve dhe përgjegjësisë, sepse po përgatitemi për Policinë e Shtetit të një vendi evropian.
Le të punojmë së bashku për një polici që nuk e imponon autoritetin, por e fiton atë çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë.
Ju faleminderit!”, tha ai.




