Sport

“LEGJENDA” e portës shqiptare: Erdha Perlat, Partizani më bëri Mustë. Fanella e Kombëtares, emocion i veçantë

Një nga figurat më të mëdha të portës shqiptare, Perlat Musta rrëfen në rubrikën “Legjendat Flasin” rrugëtimin në futbollin shqiptar. Nga netët e gjata duke dëgjuar ndeshjet në radio, debutimi vetëm 17 vjeç me ekipin e Partizanit, deri te triumfi me ekipin Shpresa në Volos në 1981 dhe emocionet e ndeshjeve me Kombëtaren përballë emrave të mëdhenj të futbollit europian.

Perlat Musta sjell për FSHF një rrëfim për pasionin, përgjegjësinë dhe peshën e fanellës kuqezi. “Unë erdha Perlat, Partizani më bëri Mustë”. Kjo fjali përmbledh historinë e një legjende shqiptare si Perlat Musta.

Si e nise futbollin? Si të erdhi dëshira për t’u bërë portier?

As vetë nuk e di. Edhe unë e kam një pikëpyetje te vetja ime. Futbollin e ndjeja dhe e shijoja vetëm nëpërmjet radios, sepse televizorë nuk kishte. Flas në moshën 6-7 vjeç. Kishim topa të vegjël, topa ‘50ç’, që i përplasja në mur, imitoja çfarë kisha dëgjuar në radio. Mbaj mend që kam parë filmin “Gol”. Ka qenë kampionati Botëror i 1966, që është luajtur në Angli. Atëherë pasi mbaronte kampionati, bëheshin filma të gjitha ndeshjet. Nga ai film jam bërë edhe tifoz i gjermanëve. Edhe rolin e portierit, askush nuk donte të ishte portier. Unë sa herë luaja me klasat dhe ekipet thonin gjithmonë që e kishin portierin, sepse isha unë.

– Fillim shkurti 1976, vetëm 17 vjeç e pak muaj, more ftesën për t’iu bashkuar ekipit të parë të Partizanit. Si e kujton ftesën dhe na trego pak historinë e fillimeve me të kuqtë e kryeqytetit.

Fillimi ishte një rastësi. Unë isha pjesë e të rinjve të Partizanit në atë periudhë dhe sa kisha filluar edhe te të rinjtë. Para meje ka qenë një portier tjetër te të rinjtë dhe në janar të vitit 1976 ndodhën shumë ndryshime te Partizani. Iku Jani Kaçi që mbaroi ushtrinë dhe ishte portier për mua nga më të mëdhenjtë. Ngeli vetëm Bashkim Muhedini me Arjan Hoxhën portierë. Ka qenë ndeshja e parë e fazës së dytë, është luajtur në Qemal Stafa. Ne kemi luajtur me të rinjtë në Pogradec, kemi pasur Panajot Panon e madh trajner dhe duke ardhur rrugës, sepse ndeshja bëhej në mëngjes, dëgjonim në radio ndeshjen Partizani – Flamurtari. Bashkim Muhedini ka bërë një nga ndeshjet e tij më të mira sipas komentit të Ismet Bellovës që e dëgjonim në radio dhe të nesërmen e heqin, sepse u kujtuan që dikur kishte qenë dhëndër i Beqir Ballukut. E heqin Bashkim Muhedinin dhe ngel vetëm Arjan Hoxha, janë ndarë të dy nga jeta.

Ndeshja e dytë ishte me Dinamon e famshme të asaj periudhe. Të gjithë repartet, por sulmi me Vasillaq Zëri, Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska që për mua ngelen treshja më e mirë sulmuese nga çfarë kam parë. Nuk kishte portier rezervë dhe unë automatikisht quhesha i federuar, sepse luaja me të rinjtë dhe ka qenë ndeshja e parë. Mund të ketë qenë java e parë e shkurtit, 4 ose 5 data, që është hera e parë që unë u thirra në ekip të parë dhe kam qenë rezervë, jemi mundur 4-1 me Dinamon. Pas kësaj ndeshje shkova prapë te të rinjtë, erdhi një portier tjetër që ishte ushtar, Qirko nga Korça dhe Partizani luajti me Shkëndijën, luajti prap i ndjeri Hoxha, u rrah 1-0 dhe pas kësaj ndeshjeje shkojmë në Elbasan. Atje Partizani u mund 2-1, por trajner në atë periudhë ishte i madhi Boriçi. Nuk futi Hoxhën, por futi Qirkon në lojë. Arjani nuk e duroi dot që nuk luajti dhe mori çantën dhe nuk ndenji as rezervë. Të nesërmen e marrin dhe e dërgojnë ushtar në Kukës në kufi dhe pas asaj kohe kalova unë dhe ndenja 12 ndeshje rezervë i Qirkos.

Fat i mirë për mua dhe fat i keq për atë ishte që ai nuk u paraqit mirë. Partizani historikisht ka qenë shkollë, çdo portier i Partizanit ishte pjesëtar i ekipit Kombëtar. I vetmi për mua që ka ceduar ishte Qirko, që nuk ishte i nivelit siç ishin përpara Bashkim Muhedini, Jani Kaçi, Mikel Janku, emra të mëdhenj të gjithë të portës shqiptare.

Mbaroi kampionati, unë isha i ri, 17 vjeç e gjysmë, dhe donin ta hiqnin, por Loro nuk kishte shumë besim sepse thoshte që isha i vogël, është i ri dhe mund ta dëmtojnë nëse më fuste. Pasi mbaroi kampionati u bë një ndeshje miqësore, ka qenë 5 qershor 1976 me një ekip kinez, ekip ushtrie, por ishte shumë ekip i dobët. Pjesa e parë shkoi 4-0 që në 20 minutat e para dhe ata nuk kanë kaluar mesin e fushës. Pasi mbaroi pjesa e parë, Loro më tha: “Hajde, bëhu gati që të futesh.” Prapë nuk kishte besim Loro, kaluan disa minuta, bëri golin e pestë Mustafa Fagu dhe në këtë moment i hoqi të gjithë dhe në këto kohë na futi edhe ne. Gjatë kohës që i ndjeri Safet Berisha bënte sikur nuk e largonte dot topin, ia jepte te penalltia kinezit, gjuante ai, ulte kokën Safeti, unë kapa 4-5 topa të tillë dhe ngelën të gjithë. Edhe sot ma kujtojnë të gjithë që ke bërë një pritje, pasi kam kapur një top kros, kërceva e kapa mbrapsht, ajo iu ka ngelur në memorie të gjithëve.

– Më bukur kur të shohin e të thonë: Perlat Musta, legjenda e Kombëtares apo e Partizanit?

Çdo futbollist mund të luajë futboll, por pa e veshur fanellën e Kombëtares… Është emocion i jashtëzakonshëm dhe ëndërr e çdo futbollisti. Çdo futbollist kur shkon te niveli më i lartë që është ekipi kombëtar, kudo në çdo lloj ekipi të botës, do luajë në një klub. Paraqitja te klubi të çon tek ekipi kombëtar, por kur merr atë ftesë dhe kur vesh atë fanellë, nuk ka më stekë, nuk kërcen dot më lart.

– Partizani të bëri ty apo ti ishe një nga shumë të tjerët që bëre Partizanin?

Nuk e them për modesti, por e kam thënë dhe më parë. Këtë përgjigje do të ta jap me një fjalë. Unë erdha Perlat, Partizani më bëri Mustë.

– Kombëtarja U-21, Volos 1981. Shqipëria ka fituar kupën ballkanike në Volos të Greqisë në 81, në një pritje të jashtëzakonshme nga grekët. Ti ke qenë përforcim në ekip, por mbi datëlindjen tënde. Si e kujton? Na e tregon pak historinë?

Unë me Mujo Targën ishim pjesë e ekipit U-21. Të dy datëlindje 60’-ta. Trajner ishte Shyqyri Rreli, që na ka pasur tek ekipi Shpresa në 78’ kur jemi shpallur sërish kampionë Ballkani me ekipin U-21, kur mundëm rumunët 7-1 këtu. Duke qenë profesor Rreli dhe na besonte, na mori sepse lejoheshin dy lojtarë mbi moshë që të luanin dhe na zgjodhi mua dhe Mujon. Nuk e kam parë atë pritje. Kur kemi fituar 2-1 me bullgarët në Volos, nuk e kemi bërë xhiron e nderit në këmbë. Por sipër grekëve, na merrnin mbi duar. Dhe pas ndeshjes ka qenë karvani përpara me bori makinash. Mund të ketë qenë 500 metra dhe pastaj vinte autobusi jonë, ndërsa karvani me automjete na shoqëroi deri te hoteli jonë. Pritja ishte sepse nuk ishte xhelozia në mes. Kishin më tepër urrejtje me bullgarët. Që kur nisi ndeshja, grekët ishin me ne.

– Ftesa nga Kombëtarja A 

Ftesën e kam marrë që në vitin 80’ kur morëm pjesë në eliminatoret e kampionatit europian. Kam qënë i grumbulluar në disa ndeshje. Fillimisht ka qenë trajner Zyber Konçi. Në portë luante Jani Kaçi, një emër i madh. Ndjej kënaqësinë që, edhe te Partizani, edhe te Kombëtarja, të arrija ta zëvendësoja. Për mua Jani Kaçi ishte idhull dhe thoja të bëhem sa çereku, jo sa gjysma e Jani Kaçit. Njeriu e ka një shembull përpara dhe shembulli për mua nga portierët ka qenë Jani Kaçi. “Fati” ishte që Jani pati një peripeci sepse me Korçën, ekipi po binte nga kategoria dhe nuk pati një periudhë të mirë. Në shtator të 81’-s ishte ndeshja e kualifikueseve të Europianit. Ishim të grumbulluar në Korçë. Unë, Jani Kaçi dhe Ilir Luarasi. Kishim ndeshje në Finlandë. Gjatë grumbullimit, një javë përpara se të shkonim në aktivitet, Janin e hoqën nga ekipi kombëtar. Dhe ngela vetëm unë me Ilir Luarasin. Trajner kishim Loron, i cili kishte shumë besim tek unë. Ndeshjen e parë e luaj në Finlandë. Ka qenë një pjesë e parë që ishim ne shumë dominues. Në pjesën e dytë, Mujo shënoi gol me penallti dhe kaluam ne në avantazh. Më pas na kanë mbyllur në portë. Ka qenë një nga ndeshjet e mia më të mira, pasi kam pritur shumë atë ditë. U mundëm 2-1. Në ndeshjen e dytë, kemi luajtur këtu kundër Bullgarisë. 6-7 veta ishin nga ekipi që ne patëm mundur në Volos, por këtu u mundëm.

– Ndeshja më e bukur me Kombëtaren

Nuk mund të veçoj, por me ekipet e mëdha ku luanin lojtarë të mëdhenj, ishin të veçanta. S’mund të mohosh dot Rummenigge, Littbarski. Kam luajtur kundër Breitner. Flas për emra të futbollit botëror, siç janë sot Ronaldo e Messi. Edhe opinioni të jep më tepër vlerë. Një pritje të vështirë mund ta bësh edhe me një ekip më të vogël. Por kur luan me ekipe të mëdha, vlerë të jep opinioni.

23 ndeshje deri në 1987 me Kombëtaren. Pas kësaj ndeshje, karriera jote ndërpritet. 16 shtator 1987, Benfica – Partizani. A është kjo ndeshje pengu i jetës tënde?

Peng e kam edhe sot. Nuk e di për çfarë arsye më ka dhënë për 30 sekonda dy faulla në favor tim dhe të verdhë e të kuqe. Pamje të së kuqes kur kam marrë të verdhën e dytë, është një moment kur më kthen topin i ndjeri Ahmetaj dhe më sulmon, sulmuesi i Benfica-s. Ma kthen Ahmetaj dhe unë kap topin dhe jam kthyer. Dhe kjo pamje është. Më del arbitri në krah nga mbrapa dhe ma jep kartonin si vjedhurazi. E kam parë dhe jam habitur. Mendova se nuk ma dha mua kartonin. 30 sekonda më parë më dha të verdhën e parë. Një aksion në krahun e djathtë të sulmit të tyre, një kros te pika e penalltisë. Dal e kap topin në kërcim e sipër dhe bie. Mbi mua bie edhe sulmuesi kryesor që ka qenë edhe i Portugalisë. Dhe më jep faull në favor tim, që unë e kisha zotëruar topin dhe në moment që ngrihem më jep të verdhën. Dhe pas kësaj kur bëj shkelmimin e topit, më jep të verdhën e dytë. Dhe më e keqja është se nuk është se dola me të kuqe, problemi është se më dënuan 5 vite. Në komunikatën e UEFA-s thuhej se ‘dënohet si kapiten ekipi sepse ka irrituar shokët’. Por pas daljes time, pati protesta. Por ç’faj kisha unë? Më duket se ishte diçka e qëllimshme.

– Flasim pak për Kombëtaren aktuale. Si i shikon shanset e Shqipërisë në kualifikueset e play-off-it për Botëror 2026?-

Ky ekip mund të arrijë çdo gjë, pasi ky ekip e ka sjellë vetë shansin. Në futboll është edhe fati. Por, rastësi nuk është. Sepse u bë dy edicione që marrim pjesë në finalet e Europianit, që janë nga niveli më i lartë, ashtu siç është Botërori që ëndërrojmë dhe shpresojmë që të kualifikohemi. Them që çdo gjë është e realizueshme. Janë po këta që e kanë sjellë ekipin deri këtu. Nuk është rastësi. Rastësia ndodh vetëm njëherë, si për mirë e si për keq. Kjo ka vazhdimësi. Është meritë e të gjithë grupit, që nga drejtuesit, Presidenti, të cilin e uroj edhe për zgjedhjen në krye të FSHF. Është punë e të gjithë stafit, menaxhimit të mirë.

– Nëse sot do ishe trajneri i ekipit A, dhe je 10 minuta para ndeshjes kundër Polonisë. Çfarë do t’i thoje ekipit?

Luani, kënaqni veten tuaj. Nuk vjen më ky rast. Ata janë me fat.

Epitete për disa nga shokët futbollistë të ekipit Kombëtar dhe trajnerin Panajot Pano

Sulejman Demollari – Truri

Mirel Josa – Forcë inteligjente

Panajot Pano – S’ka madhështi më të madhe

Artur Lekbello – Do ta quaja njëlloj si veten time ‘fatkeqësi’

Muhedin Targaj – Kapiten i madh

Millan Baçi – Një nga mbrojtësit më inteligjentë/OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button