Politike

Rrëfehet Monika Kryemadhi, Edi Rama dhe Sali Berisha burgosën Ilir Metën, ja si pazari PS-PD çoi drejt arrestimit…

Ish-deputetja dhe ish-bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi deklaroi dje në një media se i vjen keq që Partia e Lirisë po shkon drejt shuarjes, duke theksuar se kjo situatë është pasojë e një procesi të qëllimshëm kriminalizimi të forcës politike që ajo ka ndërtuar prej vitesh. “Më vjen keq që Partia e Lirisë është drejt shuarjes. Kam investuar gjithçka në këtë parti, i gjithë rrethi im, nëna ime, bashkëshorti im janë sot në duart e gjykatës, sepse duan të kriminalizojnë një parti politike që ishte risi në politikën shqiptare, një parti që kërkonte aleanca”, deklaroi Kryemadhi. Sipas saj, problemet që po përjeton sot politika shqiptare nuk ekzistonin më parë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim. “Sot kemi 80% të të burgosurve në paraburgim. Sot jemi Republika e SPAK-ut”, u shpreh ajo. E pyetur nëse opozita mund të kthehet në një alternativë qeverisëse, Kryemadhi tha se problemi kryesor qëndron te metodologjia dhe mungesa e konsistencës. Kryemadhi hodhi akuza të forta edhe për arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si rezultat të një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha, konkretisht kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Burgosja e Metës është marrëveshje e dy partive të mëdha për të vazhduar aferat”, tha ajo. Më tej zonja Kryemadhi pranoi se si ajo ashtu edhe Ilir Meta kanë bërë gabime, por theksoi se këto gabime lidhen me tejkalimin e kufijve në ndihmë të njerëzve. “Meta dhe unë kemi gabimet tona. Kemi bërë më shumë sesa duhet për njerëzit. Nëse merr një doktor urgjence dhe i thua ‘kam filanin’, sot SPAK ta quan shpërdorim detyre. Ky ka qenë gabimi ynë”, shtoi ajo. Ndwrkohw Kryemadhi kritikoi ashpër mediat dhe politikën për heshtjen ndaj mënyrës së burgosjes së Ilir Metës, duke theksuar se për tetë muaj ai është lënë në harresë. “Asnjë emision, asnjë gazetar, asnjë deputet i PL-së nuk foli për shkeljet e rregullave të burgosjes së Metës. U harrua në burg për tetë muaj, nuk shkoi askush ta takonte”, theksoi ajo.

Raportet Kryemadhi-Meta

Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi në një bisedë të hapur në studio, me një filxhan kafeje përpara, foli për marrëdhënien me ish-bashkëshortin Ilir Meta. Kryemadhi u ndal tek ndarja e tyre pas 33 vitesh martesë, si edhe për përjetimet personale në raport me zhvillimet e fundit, përfshirë edhe SPAK-un. E pyetur për ndarjen me Ilir Metën dhe refuzimin e tij ndaj saj, Kryemadhi u shpreh se ndarja ishte e papritur jo vetëm për të, por edhe për fëmijët. “Edhe për mua, edhe për fëmijët ishte e papritur. Në një marrëdhënie 33-vjeçare kemi pasur patjetër momente ‘up and down’, por konfliktet nuk kanë qenë personale, kanë qenë politike. Politika na ka vendosur barriera dhe na ka futur në momente shumë të vështira”, tha ajo. Sipas Kryemadhit, divorci erdhi si pasojë e ndërhyrjeve nga jashtë dhe ndikimit të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Ajo theksoi se të dy ishin të lodhur nga konfliktet e vazhdueshme dhe intensiteti i jetës që kishin bërë ndër vite. “Njerëzit e shihnin si një jetë të bukur e luksoze, por në fakt ishte një jetë e sforcuar, e stërmunduar dhe pasojat më të mëdha i kanë pasur fëmijët”, u shpreh Kryemadhi. E pyetur nëse Ilir Meta ndihet i tradhtuar prej saj, Kryemadhi tha se ai është ndikuar nga thashethemet dhe fjalët që i kanë shkuar ndër vite, gjë që sipas saj e ka bërë skeptik dhe të zhgënjyer. “Ai është ndjerë i atakuar nga thashethemet që i shkonin për mua. Kjo e bëri skeptik dhe të zhgënjyer. Të gjithë meshkujt janë pak paranojakë, sidomos në një moshë të caktuar. Ne flasim për menopauzën, por duhet të flasim edhe për andropauzën”, nënvizoi Kryemadhi./sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button