“Tallje cinike e Ramës”, Berisha për përmbytjet: Si mund të mos shpallësh gjendjen e emergjencës kur në Durrës janë 4 mijë banesa nën ujë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e kryesisë së PD-së në seli.
Berisha u ndal edhe te situata e përmbytjeve në vend, duke bërë thirrje që të shpallet gjendja e emergjencës dhe duke sulmuar kryeministrin Edi Rama për këtë gjë.
“I përgëzoj deputetët për punën që kanë bërë, të cilat kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme pranë banorëve në zona të ndryshme, kanë bërë detyrën e tyre, dhe drejtuesit e PD.
Natyrisht ata që u fshehën në këtë fatkeqësi të madhe ishin ata që kontribuuan më shumë në të, qeveritarët, qoftë lokalë, qoftë qendrore. Dhe e mbuluan me mashtrime.
6 mijë forca, thoshte Edi Rama, janë në terren. Paturpësi e madhe. 6 mijë forca nuk ka në bordero ushtria. Nga i gjeti mbrojtja civile? Nga mashtrimet e Edi Ramës.
Dhe cinizmi ekstrem, mbledh komitetin e emergjencës dhe nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe deklaron se kjo kërkesë e opozitës na përçan. Po si të përçan? Ti je i detyruar të kesh një ligj, je i detyruar të shpallësh gjendjen e emergjencës dhe kjo të detyron të krijosh fond emergjencash dhe t’i adresosh drejt qytetarëve.
Ndaj u them qytetarëve se çdo gjë që ka thënë dje ka qenë një tallje cinike. Po si mund të mos e shpallësh gjendjen e emergjencës kur edhe sot në Durrës janë 4 mijë banesa me ujë brenda. Dhe sa janë në Lezhë, në Mamurras, në Gjirokastër, në Fier, në Novoselë, etj.
Dhe u mblodh, dëgjuan dokrrat, mashtrimet e njëri pas tjetrit të atyre dhe nuk përcaktoi… shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është kushti i parë që qeveria të marrë hapat e tjerë për të adresuar problematikat e krijuara nga fatkeqësia natyrore. Dhe ky jo, ky i ka nga xhepi ato. Është kriminale kjo.
Po të gjitha këto tregojnë edhe njëherë karakterin e këtij regjimi. Të gjitha këto dëshmojnë se çdo ditë në pushtet, ata janë një barrë e rëndë, e tmerrshme për shqiptarët kudo që janë.
Ndaj dhe është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në përmbushje të misionit të saj.
Në të njëjtën kohë kur nuk jep asnjë ndihmë, nuk cakton fondin për gjithë këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës.
Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, humbasin bukën e gojës.
Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nuk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin”, tha Berisha./TCH




