Ikballe Huduti thyen heshtjen për sëmundjen e burrit dhe flet për gjasat që të futet në Big Brother

Ikballe Huduti ka sqaruar arsyen pse nuk u bë pjesë e Big Brother VIP Kosova 4, duke thënë se gjendja shëndetësore e bashkëshortit të saj është përkeqësuar ditët e fundit.
Ajo reagoi përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale, duke falënderuar ata që treguan mirëkuptim dhe duke kritikuar ata që dyshuan në sinqeritetin e saj.
Huduti thekson se vendimi për të mos hyrë në shtëpi ka qenë i vështirë, pasi, sipas saj, qëllimi i pjesëmarrjes ishte human dhe i lidhur me promovimin e vlerave morale.
E njëta shtoi se në kontratë kishte theksuar se vetëm përkeqësimi i gjendjes së bashkëshortit do ta ndalte këtë rrugëtim.
Në fund, Ikballja uroi suksese për banorët e BBVK4 dhe u bëri thirrje ndjekësve të mos gjykojnë, por të tregojnë më shumë mirëkuptim dhe njerëzi ndaj sfidave me të cilat përballen të tjerët.
Postimi i plotë:
Faleminderit Olta për këto fjalë të mençura nga shpirti i pastër.
Më vjen keq për disa të tjerë që mendojnë se mund të manipulohet me sëmundjen e dikujt. Sëmundja mallkon gënjeshtarin edhe më shumë.
Bashkëshorti im, para dy muajve ka qenë shumë mirë dhe më ka përkrahur fuqishëm në këtë sfidë të misionit tim.
Vetëm këto tre ditë iu është rënduar gjendja.
Në kontratë kam deklaruar qartë se nuk do ta ndal këtë rrugëtim për asgjë, përveçse nëse gjendja e tij e kërkon, sepse Parkinsoni është sëmundje e ngadalshme dhe lidhet ngushtë me emocionet.
Prandaj e falënderoj Zotin që sot jam pranë burrit tim. E kam obligim dhe ndërgjegje shpirtërore t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në varfëri, në sëmundje dhe në çdo lloj nevoje që sjell jeta bashkëshortore.
Për mua është një humbje e madhe që nuk pata mundësi të jem pjesë e BB VIP Kosova, sepse qëllimi im ka qenë aq human, sa që ia vlente të ecja edhe “nëpër gaca e gjemba”.
Suksesi, për mua, është i dy llojeve: njëri për famë e përfitim material, dhe tjetri për krijimin e promovimin e vlerave morale.
Misioni im fetare lidhet ngushtë me vlerat dhe përsosmërinë e njeriut , të cilat vlera janë në mungesë te madhe ne shoqërinë tone shqiptare.
Banorëve të Big Brother VIP Kosova u uroj suksese — le të fitojnë vlerat, le të fitojë i merituari.
Ndërsa ju që e ndiqni, para se të shani, fyeni apo akuzoni, mendoni pak sepse pothuajse çdo shtëpi shqiptare ka anëtarë me sfida dhe problematika morale.Askush nuk ju detyron ta shikoni këtë program.
Por ju që e shikoni, në vend se të poshtëroni, më mirë bëni lutje që këta banorë të vetëdijesohen për të mirat që kanë, të pendohen dhe të kthehen në rrugën humane dhe morale. Ju kam në lutjet e mija”.




