Përfundimi i një epoke/ MTV do të zgjasë transmetimin deri në 31 dhjetor të këtij viti

Një nga simbolikat më të fuqishme të kulturës rinore po mbyll kapitullin e saj. Gjigandi i argëtimit Paramount Global ka njoftuar se do të ndërpresë transmetimin e pesë kanaleve ikonike të MTV deri më 31 dhjetor 2025, duke shënuar fundin e një epoke që për dekada frymëzoi breza të tërë.
Kanalet që do të pushojnë së transmetuari janë MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live, fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, e më pas në Francë, Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Australi dhe Brazil.
Vendimi vjen si pjesë e një strategjie të re të Paramount Global për uljen e kostove, pas bashkimit me Skydance Media, por gjithashtu reflekton ndryshimet e thella në mënyrën se si njerëzit konsumojnë muzikë në epokën dixhitale.
Kanalet tradicionale nuk arrijnë më të konkurrojnë me YouTube, TikTok, Spotify apo platformat e tjera të transmetimit, që kanë personalizuar përvojën muzikore dhe kanë zëvendësuar ndjenjën e dikurshme të komunitetit që ofronte MTV.
MTV nisi transmetimet në vitin 1981 në SHBA me videon simbolike “Video Killed The Radio Star” nga The Buggles, duke paralajmëruar ndryshimin që do të sillte në industrinë muzikore.
Prej asaj kohe, kanali solli momente që mbetën në histori: premierën e “Thriller” të Michael Jackson, performancat akustike të “MTV Unplugged”, debatet ikonike në “MTV News” dhe lançimin e “The Real World”, që hapi rrugën për reality show-t modernë.