14-vjeçari që ndërtoi radar në Pogradec! Detekton njerëz përmes valëve! Nga rrjetet sociale te robotika e avancuar

Në një kohë kur shumica e adoleshentëve përdorin internetin për rrjete sociale, Alket Zeqollari, një 14-vjeçar nga Pogradeci, ka zgjedhur ta përdorë teknologjinë për të krijuar. Ai ka ndërtuar një radar funksional që arrin të detektojë objekte dhe njerëz përmes valëve elektromagnetike.
Ky është Alket Zeqollari, 14 vjeç, një djalë i apasionuar pas teknologjisë dhe programimit, që po e përdor dijen për të krijuar pajisje inteligjente. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që kalojnë orë të tëra në TikTok apo Snapchat, Alketi ka punuar për muaj me radhë për të zhvilluar një prototip radari të ndërtuar plotësisht nga ai vetë.
Sipas tij, pajisja përdor valë elektromagnetike për të identifikuar në kohë reale çdo objekt apo person të panjohur që afrohet në një zonë të caktuar, si banesa apo institucione.
Pasioni i tij për teknologjinë ka nisur që në moshë shumë të vogël, dhe sot Alketi zotëron njohuri në kodim dhe ndërtim elektronik, duke eksperimentuar me sensorë dhe mikroprocesorë. Ai thotë se çdo pjesë e radarit është ndërtuar me mjete të thjeshta dhe kosto personale, por beson se me mbështetje mund ta zhvillojë në një produkt të vlefshëm për tregun.
Si Alketi në shkolla ka edhe shumë vajza e djem të tjerë që punojnë me programe kodimi dhe krijojnë pajisje, por ende nuk ka mbështetje reale për të zhvilluar më tej këto ide.