Vendi

Dështon aeroporti i Vlorës, afatet e dorëzimit kanë skaduar, asnjë punim në kantier, afera me aksionet hedh dyshime…

Aeroporti i Vlorës po shkon drejt dështimit total, me afatet e dorëzimit të skaduara dhe kantierin e ndërtimit tërësisht të paralizuar. Burime pranë qeverisë i thanë “Kapitalit” se po shqyrtohet opsioni ekstrem i shtetëzimit të aeroportit, pas konfliktit të ashpër mes dy aksionerëve kryesorë, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit. Mospërmbushja e kontratës, akuzat e ndërsjella për mashtrim dhe proceset gjyqësore kanë bllokuar çdo punim në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të vendit. Sipas të dhënave, qeveria ka zhvilluar kontakte për shitjen e koncesionit, madje me interes nga grupe të huaja, por mosmarrëveshjet për aksionet e kanë penguar çdo zgjidhje. Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta për korrupsion dhe manipulime në aksione, duke e kthyer aeroportin e Vlorës në një nga aferat më të debatueshme të viteve të fundit. “Në rast se aksionerët nuk gjejnë zgjidhje për të zhbllokuar ndërtimin e Aeroportit, njëri nga opsionet është ai që shteti ta shtetëzojë koncesionin kundrejt një pagesë sa vlera kontabile (bok value) në bilancin e kompanisë duke shfrytëzuar mospërmbushjen e kontratës nga koncesionari”, i tha Kapitalit një burim nga brenda qeverisë. Ndonëse duhet të ishte hapur që në prill të këtij viti, aeroporti i Vlorës nuk u përfundua asnjëherë. Për me tepër, prej muajsh punimet për ndërtimin e veprës janë ndërprerë plotësisht për shkak të sherrit mes dy aksionerëve të shoqërisë koncesionare, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademi. Pikërisht vonesat e ndërtimit të aeroportit, që tashmë kanë përfunduar në bllokimin e plotë të tij, është arsyeja se pse qeveria shqiptare mund të hyjë vetë drejtpërdrejt përmes shtetëzimit për të zhbllokuar situatën.

Konflikti dhe tentativat për shitje

Në thelb të bllokimit të aeroportit të Vlorës, qëndron një konflikt mes dy aksionerëve të tij për pjesën e kuotave. Aktualisht Behgjet Pacolli zotëron 98 për qind të kuotave në aeroportin e Vlorës, përmes shoqërisë Mabco. Ndërsa Valon Ademi me kompaninë 2A Group zotëron 2 për qind. Por zoti Ademi pretendon se atij i takon të ketë 47 për qind të aksioneve. Mosmarrëveshjet shpërthyen publikisht pas një investigimi të Kapitalit rreth një muaj e gjysmë më parë, pas të cilit dy aksionerët akuzuan njëri tjetrin për mashtrim nga rrjetet e tyre sociale. Tashmë palët kanë filluar proceset gjyqësore me padi dhe kundërpadi, ndërkohë që Aeroporti qëndron i bllokuar. Përgjatë muajve të fundit, qeveria ka ndërhyrë për të gjetur një zgjidhje të konfliktit. Fillimisht Edi Rama e thirri Pacollin në kryeministri, ndërsa më vonë qeveria ka shtyrë për shitjen e koncesionit. Kapitali ka mësuar se për aeroportin e Vlorës kanë shfaqur interes disa blerës potencial, përfshirë një grup nga Katari. Por tentativat nuk janë finalizuar për sa kohë aksionerët nuk bien dakord për pjesën e aksioneve dhe rrjedhimisht edhe ndarjen e parave nga shitja. Transferimi i konfliktit mes aksionerëve në xhunglën e gjyqësorit rrezikon ta mbajë bllokuar aeroportin e Vlorës për shumë kohë, derisa vendimet e gjykatave të marrin formën e prerë. Në Shqipëri kjo zgjat me vite të tëra, çka do të ishte një kosto e madhe politike për qeverinë, por edhe ekonomike duke privuar qendrën e turizmit shqiptar nga aeroporti. Për këto arsye, tashmë ka dalë në skenë varianti i shtetëzimit si zgjidhja e vetme e një ngërçi të plotë, i cili tashmë duhet të jetë edhe subjekt i hetimeve të SPAK për të verifikuar se kush qëndron realisht pas lojës me aksionet e aeroportit të Vlorës./sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button