A i mbajnë mend? Çfarë ndodh kur qentë takojnë vëllezërit e motrat e tyre pas një kohe të gjatë

Shumë prej nesh mund të dallojmë menjëherë vëllezërit dhe motrat, edhe pas shumë vitesh. Po si qëndron puna me qentë? A janë në gjendje të kujtojnë dhe të njohin anëtarët e familjes së tyre, veçanërisht nëse janë ndarë që në moshë të vogël?
Sipas studimeve të fundit, qentë kanë aftësi të njohin nënën dhe vëllezërit e tyre, por kjo varet nga disa faktorë si koha e kaluar së bashku, mënyra e ndarjes dhe natyrisht fuqia e jashtëzakonshme e nuhatjes së tyre.
Ndarja e hershme nga familja mund të sjellë pasoja
Këlyshët duhet të qëndrojnë me nënën dhe vëllezërit e tyre të paktën deri në moshën 8 deri në 12 javëshe. Nëse ndahen më herët, mund të zhvillojnë probleme të sjelljes si agresivitet, ankth nga ndarja dhe vështirësi në gjumë. Edhe pas kësaj moshe, ndarja mund të jetë stresuese për ta, pasi ata humbasin kontaktin me ngrohtësinë dhe sigurinë që ofron familja biologjike.
Qentë dhe kujtesa ndaj familjes së tyre
Një studim interesant tregoi se qentë mund të njohin vëllezërit e tyre deri në dy vjet pas ndarjes, por vetëm nëse kanë jetuar së bashku pas lindjes. Në rast se bëhet fjalë për vëllezër nga një tjetër pjellë, nuk ka prova që ata arrijnë t’i dallojnë.
Ajo që është më e fortë, është lidhja me nënën. Qentë, sipas studimeve, mund ta njohin nënën e tyre edhe pas dy vitesh ndarjeje, dhe në mënyrë të ngjashme, edhe nëna mund të njohë këlyshët e saj. Ky lidhje e fortë ka të bëjë me nevojën jetike për mbijetesë në javët e para të jetës.
Roli vendimtar i nuhatjes
Qentë lindin të verbër dhe aftësia e tyre kryesore në ditët e para është nuhatja. Përmes saj, ata mësojnë të dallojnë të afërmit, ambientin dhe më vonë, kujtojnë përmes aromës edhe njerëzit që kanë pasur pranë. Në një eksperiment, qentë që ishin ndarë nga nëna për disa muaj apo vite, reagonin më shumë ndaj aromës së saj se sa ndaj një qeni tjetër femër të panjohur.
E njëjta gjë ndodhi edhe kur u testua reagimi i qenve ndaj kujdestarëve të mëparshëm: ata që kishin kaluar muaj apo vite me ta, tregonin interes të veçantë kur ndjenin aromën e kujdestarit të tyre, në krahasim me një person tjetër të panjohur.
Kur fillojnë këlyshët të njohin familjen?
Këlyshët fillojnë të hapin sytë pas 10-14 ditësh nga lindja, por njohja vizuale nuk është menjëherë e zhvilluar. Rreth moshës 4-5 javëshe, ata fillojnë të dallojnë më qartë nënën dhe vëllezërit përmes përzierjes së aromave, zërave dhe pamjeve.
Përfundim
Qentë mund të kujtojnë vëllezërit dhe motrat e tyre vetëm për disa vite dhe vetëm nëse kanë kaluar kohë së bashku që në fillim. Kujtesa e tyre nuk është e njëjtë me të njeriut, dhe baza e njohjes qëndron më shumë në aromë sesa në pamje. Lidhja me nënën është më e fortë dhe më e qëndrueshme me kalimin e kohës. Për këtë arsye, ambienti ku rritet një këlysh dhe koha që kalon me familjen biologjike ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe kujtesën e tij.
Një arsye më shumë për të kuptuar më mirë dhe për të respektuar mënyrën unike si funksionojnë qentë tanë.