Bota

Milano ‘nën pushtetin e ujit’/ Lumi del nga shtrati, përmbytje masive në qytet

Milano u përfshi sërish nga përmbytjet të hënën, pasi lumi Seveso doli nga shtrati, duke përmbytur lagjet Niguarda, Ca’ Granda dhe Isola në veri të qytetit. Ngjarja zgjati për nëntë orë, nga ora 10:00 deri në 19:00, duke kthyer rrugët në lumenj me ujë të turbullt dhe me rrezik për kalimtarët dhe biznese.

Sipas asaj që raportojnë mediat vendase dëmet duket se janë kryesisht materiale. Tregtarët u përpoqën të mbrojnë dyqanet e tyre duke vendosur thasë rëre para hyrjeve. Ndërkohë, 13 shkolla u përmbytën dhe dy prej tyre u evakuuan nga ekipet e shpëtimit, për të garantuar sigurinë e nxënësve. Zjarrfikësit ndërhynë mbi 100 herë gjatë ditës, duke pastruar rrugët dhe zyrat e përmbytura, përfshirë disa ambiente në Gjykatë.

Përmbytja u përkeqësua edhe nga dëmtimi i parmakut mbrojtës në rezervuarin e Bresso-s, i hapur në mars 2024. Një trung i madh, transportuar nga rrjedha e fuqishme e lumit, goditi barrierën dhe shkaktoi dëmtime materiale. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar në kohën e daljes së ujit, pasi rezervuari ishte tashmë i mbushur.

Kryebashkiaku Beppe Sala e krahasoi situatën me atë të vitit 2014, kur Milano u përmbyt gjashtë herë brenda pak muajsh. Ai nënvizoi nevojën urgjente për të përshpejtuar ndërtimin e rezervuarit të tretë në Lentate, që sipas autoriteteve rajonale pritet të përfundojë brenda një viti. Ndërkohë, vëmendja mbetet te reshjet në zonat malore mbi qytet, ku Seveso merr fuqi dhe më pas përmbyt lagjet e banimit.

Të hënën në Milano ranë mbi 40 milimetra shi, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se moti i keq do të vijojë, duke mbajtur qytetarët në gatishmëri. Që nga viti 1975, lumi Seveso ka dalë nga shtrati mbi 110 herë, duke e kthyer këtë fenomen në një problem kronik për qytetin dhe infrastrukturën e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button