“Jeni gjobitur me…”, mesazhe me gjoba të rreme, AKSK paralajmëron qytetarët: Kujdes!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka parlajmëruar qytetarët se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas AKSK-së mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online.
AKSK thekson se ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.
AKSK bëri të ditur se ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve: Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare; mos kryeni kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare; njoftoni menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse nëse hasni mesazhe të tilla”, apeloi AKSK.
