Vendi

Pas Erion Veliajt dhe Arbjan Mazniku drejt burgut, si u asgjësua G99 nga Edi Rama, arratisja e Fugës sinjal për…

Pas Erion Veliajt dhe Arbjan Mazniku drejt burgut, si u asgjësua G99 nga Edi Rama, arratisja e Fugës sinjal për eliminimet e gjithë grupimit nga kryeministri

Figurat e afërta me Erion Veliajn, dikur një bërthamë e fuqishme brenda Partisë Socialiste dhe e njohur si grupimi G99, po “eliminohen” njëra pas tjetrës. Arrestimi i Veliajt, zhveshja nga posti , hetimet e SPAK ndaj Arbjan Maznikut dhe arratisja jashtë vendit e Endri Fugës lidhen në një linjë të vetme politike, atë të spastrimit të brendshëm të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Modeli i ndjekur është i njëjtë. Fillimisht ndodh distancimi politik, kritikat publike dhe margjinalizimi nga funksionet kyçe, më pas pason ndërhyrja e SPAK-ut.

Ky mekanizëm u pa qartë edhe në rastin e Arben Ahmetajt. Para se të përfundonte në arrati pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK për aferën e inceneratorëve, Ahmetaj u “zhvesh” gradualisht nga çdo detyrë në qeveri dhe parti. Rama e la vetëm një deputet të thjeshtë, duke i mbyllur çdo derë politike. E njëjta skemë u pa edhe me Erion Veliajn. Fillimisht u sinjalizua ftohja e marrëdhënies me Ramën, më pas erdhën kritikat publike dhe distancimi nga vendimmarrjet, dhe në fund arrestimi i tij në shkurt 2025. Arbjan Mazniku ndodhet tashmë në një trajektore të ngjashme, duke kaluar nga margjinalizimi politik drejt përfshirjes në hetime të shumta penale.

Rasti Mazniku, hetimet dhe lidhjet me Veliajn

Arbjan Mazniku ka qenë për vite të tëra një ndër figurat më të afërta të Veliajt, që prej kohës së lëvizjes “Mjaft” dhe më pas në projektin politik G99. Për këtë arsye, zhvillimet e fundit që lidhen me të shihen si pjesë e drejtpërdrejtë e eliminimit të rrjetit të ndërtuar nga Veliaj. SPAK ka hapur disa pista hetimi për Maznikun. Një prej tyre lidhet me procedura tenderuese të dyshuara si fiktive në periudhën kur ai ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Një tjetër është edhe më i rëndë politikisht: përfitimi i rreth 800 mijë eurove tendera nga restoranti i bashkëshortes së tij gjatë kohës që ai mbante postin e kryetarit të Këshillit Administrativ të “Tirana DC”. Ky rast është i ngjashëm me praktikat e konstatuara më parë tek Ilir Beqaj dhe për këtë arsye ka marrë një vëmendje të shtuar nga prokurorët. Përtej elementeve konkrete të dosjes, simbolika politike është edhe më e fortë. Mazniku shihet si hallka e fundit e rëndësishme që e lidh drejtpërdrejt PS-në me Erion Veliajn. Për këtë arsye, heqja e tij nga qeveria dhe distancimi nga Rama interpretohen si faza paraprake të eliminimit përfundimtar.

Si u shkatërrua G99

Për të kuptuar më mirë këto zhvillime, duhet parë procesi i gjatë i dobësimit dhe asgjësimit të grupimit G99. Sipas burimeve të brendshme në Partinë Socialiste, Rama e kishte identifikuar që në vitin 2019 një rrezik të brendshëm nga struktura e G99, e cila drejtohej nga Veliaj. Kjo ishte koha kur u hartua një listë e brendshme me “armiq politikë”, ku pjesëtarët e G99 përbënin boshtin kryesor. Nga ky moment nisi një proces sistematik i margjinalizimit të tyre. Largimi i figurave dytësore si Bardhylka Kospiri, Juliana Hoxha nga poste kyçe në qeveri, apo “djegia” e disa deputetëve si Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Plarent Ndreca dhe Etjen Xhafaj në zgjedhjet e 2025-s, ishin lëvizjet e para. Kujtojmë gjithashtu se në vitin 2021 u shkarkua nga qeveria bashkëshortja e Arbjan Maznikut, një sinjal i qartë për të gjithë se askush nga ky grupim nuk ishte i paprekshëm. Në vitin 2023 erdhi edhe largimi i Endri Fugës, figura kryesore e komunikimit të PS-së dhe një nga njerëzit më me peshë në ekipin e Ramës. Arratisja e tij më pas jashtë vendit, në Indonezi, interpretohet sot si tregues i frikës për t’u bërë viktimë e të njëjtit mekanizëm eliminimi.

Ikja e Fugës

Fuga nuk ishte thjesht një teknokrat i propagandës. Ai ishte një strateg me ndikim mbi mediat, ministrat dhe oligarkët, por edhe një mik personal i Veliajt që prej kohës së “MJAFT!”. Në vitin 2002, ai ishte pjesë e themeluesve së bashku me Erion Veliajn, Arbi Maznikun dhe Marinela Likën. Që nga ajo kohë, Fuga mbeti njeriu më i afërt i Veliajt në çdo hap. Miqësia dhe aleanca strategjike nuk ishin vetëm mes Fugës dhe Veliajt. Që në vitet 2006–2007, në kulmin e luftës kundër Fatmir Mediut dhe pas përplasjes së Mero Bazes me Sali Berishën, nisi një bashkëpunim i ngushtë mes Bazes, Veliajt dhe Fugës.

Treshja funksionoi për vite të tëra si një front i bashkuar në opozitë dhe më pas në pushtet, duke ndarë mes tyre misionin e ndërtimit të një propagande të sofistikuar dhe të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve. Ata orientonin opinionin publik, dirigjonin mediat dhe ushtronin presion ndaj institucioneve. Pas dorëheqjes nga drejtimi i MIA në mars 2023 me pretendimin se do të angazhohej në fushatën e PS, Fuga nuk u rikthye më në krah të Ramës. Faktikisht, u përjashtua në heshtje pas përplasjes që nisi pikërisht në këtë kohë mes kryeministrit dhe Veliajt. Për 15 muaj rresht, MIA mbeti pa drejtues, derisa më 25 qershor 2025 Manjola Hasa u emërua drejtoreshë, duke konfirmuar përfundimisht përzënien e Fugës.

Arrestimi i Veliajt, kulmi i procesit

Ngjarja më e rëndësishme mbetet arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës në shkurt 2025. Ky ishte akti final i një procesi që kishte nisur gjashtë vjet më parë. Me këtë arrestim, rrjeti i G99-s praktikisht u shua. Nga 140 figurat e dikurshme të grupimit, shumica u larguan gradualisht nga skena politike, disa humbën postet e tyre, të tjerë përfunduan në dosje hetimore. Duke parë të gjitha këto zhvillime në vazhdimësi, del një tablo e qartë: Edi Rama ka ndjekur një strategji të menduar për të eliminuar çdo ndikim të G99 brenda Partisë Socialiste. Arrestimi i Veliajt ishte pika më e lartë, hetimet ndaj Maznikut tregojnë se procesi nuk ka përfunduar, dhe arratisja e Fugës konfirmon se ky eliminim është kuptuar edhe nga vetë ish-bashkëpunëtorët e afërt. Kështu, historia e G99-së, që nisi si një projekt politik i të rinjve në vitin 2009 dhe arriti të prodhonte disa nga figurat më të njohura të PS-së, sot përfundon si shembulli i një grupimi të asgjësuar në mënyrë të planifikuar nga vetë kryeministri i vendit nga frika se mos i rrëmbenin pushtetin./sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button