Miratohet ligji oligarkik pas zjarreve që shkretuan Shqipërinë: Kush ka tokë të djerrë mund të aplikojë për leje ndërtimi

Parcelat e regjistruara në kadastra si “pemëtore” apo “ullishte”, por që në fakt nuk kanë pemë dhe nuk prodhojnë, mund të përdoren për ndërtim, për sa kohë projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).
Megjithatë, përpara se të jepet leja, duhet të vërtetohet gjendja reale e parcelës.
Pra, e thënë thjesht… kujtdo që i është djegur toka nga zjarret që përfshinë Shqipërinë, zjarr i qëllimshëm ky ose jo, mund të aplikojë për të ndërtuar në atë truall të djerrë. Ose e thënë me fjalë të tjera, tashmë oligarkët mund të blenë tokat e djerra të fshatarëve të Jugut me çmim minimal dhe të aplikojnë në shtet për të përfituar leje ndërtimi.
Ky vendim është marrë nga KKTU në mbledhjen e datës 25 gusht, dhe titullohet: “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit në terren të pasurive me zë kadastral ‘pemëtore’ apo ‘ullishte’ gjatë shqyrtimit të aplikimit për leje zhvillimi/ndërtimi në kompetencë të KKUT-së.”
Sipas vendimit, në rastet kur një projekt shtrihet mbi toka të klasifikuara si pemëtore apo ullishte, por në terren nuk ka pemë frutore ose ullinj, subjekti që kërkon ndërtimin duhet të paraqesë pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Ministrisë së Bujqësisë dhe njësisë vendore përkatëse një dokumentacion të plotë që vërteton këtë fakt.
Ky dokumentacion përfshin:
- Procesverbalin e gjendjes faktike të parcelës, të hartuar nga një topograf dhe një agronom. Procesverbali duhet të shoqërohet me foto të tokës dhe të vërtetojë se pasuria e kontrolluar përputhet me dokumentin e pronësisë, si dhe nëse ekzistojnë ose jo kultura drufrutore apo ullinj. Dokumenti duhet të nënshkruhet nga pronari i pasurisë ose nga përfaqësuesi i zhvilluesit.
- Një deklaratë noteriale të përbashkët midis zhvilluesit të projektit dhe ekspertit që ka hartuar procesverbalin. Në këtë deklaratë, të dy palët marrin përgjegjësi të plotë civile dhe penale për vërtetësinë e dokumenteve të dorëzuara.
Ky vendim synon të bëjë të qartë dallimin mes parcelave që kanë vlerë bujqësore dhe atyre që mund të përdoren për zhvillim ndërtimor.
Pas dorëzimit të dokumentacionit, vendimi i KKUT parashikon që të kryhet edhe verifikimi dhe konfirmimi i gjendjes faktike të parcelës.
–Për sipërfaqet deri në 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka pemëtore/ drufrutorë, kryhet nga specialisti agronom përkatës pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore brenda 5 ditëve pune. Në rast se njësia e vetëqeverisjes vendore nuk përgjigjet brenda afatit 5 ditor, konfirmimi kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse.
–Për sipërfaqet mbi 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka pemëtore/ drufrutorë, kryhet nga specialisti agronom përkatës pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse, brenda 5 ditëve pune. Në rast se njësia e vetëqeverisjes vendore nuk përgjigjet brenda afatit 5 ditor, konfirmimi kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse brenda 5 ditëve.
–Për sipërfaqet deri 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka ullinj, kryhet nga specialisti agronom përkatës pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse, brenda 5 ditëve pune. Në rast se njësia е vetëqeverisjes vendore nuk përgjigjet brenda afatit 5 ditor, konfirmimi kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse brenda 5 ditëve.
–Për sipërfaqet mbi 0.1 ha, konfirmimi i gjendjes faktike të pasurive, për të cilat është deklaruar që nuk ka ullinj, kryhet nga specialisti agronom pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor përkatëse dhe specialisti përkatës i MBZHR, brenda 5 ditëve pune.
Pas marrjes së konfirmimit nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor përkatëse, Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit mund të vijojë me procedurat e nevojshme për lëshimin e dokumentit të lejes së zhvillimit apo ndërtimit, zbardh Monitor. Një kopje e këtij konfirmimi depozitohet gjithashtu pranë Drejtorisë Vendore përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës./JOQ ALBANIA