Shëndet

Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë shkakton autizëm? Kennedy Jr. në qendër të vëmendjes, zbulon raportin e ri

Një raport i ri, që pritet të publikohet brenda këtij muaji nga autoritetet shëndetësore amerikane, mund të ndezë debate të reja rreth sigurisë së medikamenteve gjatë shtatzënisë.

Sipas Wall Street Journal, dokumenti në përgatitje lidh përdorimin e qetësuesit pa recetë Tylenol (paracetamol/acetaminofen) nga gratë shtatzëna me rritjen e rrezikut për zhvillimin e autizmit tek fëmijët.

Raporti gjithashtu nënvizon se mungesa e acidit folik gjatë shtatzënisë mund të përbëjë një faktor tjetër rreziku për autizmin, ndërsa forma aktive biologjike e tij, acidi folinik (leukovorina), mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të autizmit, sipas burimeve të cituara nga gazeta.

Këto zbulime të mundshme vijnë në një kohë të ndjeshme për Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., i cili u paraqit këtë javë para Komitetit të Financave të Senatit, në Capitol Hill, më 4 shtator. Kennedy është përballur me kritika për shkurtimet buxhetore prej gati 500 milionë dollarësh, që kanë prekur veçanërisht projektet e reja mbi teknologjinë mRNA.

Tylenoli (acetaminofen/paracetamol) është një nga medikamentet më të përdorura në botë për lehtësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës, përfshirë edhe nga gratë shtatzëna. Ndërsa disa studime kanë sugjeruar një lidhje të mundshme me zhvillimin e çrregullimeve neurozhvillimore, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) vazhdon të mbështesë përdorimin e tij gjatë shtatzënisë, por me rekomandimin që çdo përdorim të bëhet vetëm me konsultë mjekësore.

Nuk është ende e qartë nëse raporti do të përfshijë ndonjë referencë ndaj vaksinave, një çështje për të cilën Kennedy Jr. ka qenë një kritik i zëshëm prej vitesh, duke pretenduar më parë – pa prova të pranuara shkencërisht – se vaksinat lidhen me autizmin, një qëndrim që ka shkaktuar polemika të shumta.

Raporti pritet të publikohet deri në fund të shtatorit, dhe pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në politikat e shëndetit publik dhe diskutimet mbi medikamentet që konsiderohen të sigurta gjatë shtatzënisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button