Vendi

Licencohet kompania që do të ndërtojë centralin fotovoltaik 12 MW në aeroportin e Kukësit

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) miratoi licencimin e shoqërisë “Global Technical Mechanics” sh.p.k. për prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike, duke i hapur rrugën ndërtimit dhe operimit të një centrali fotovoltaik me kapacitet 12 MW në territorin e aeroportit të Kukësit, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës.

Sipas vendimit, licenca për ushtrimin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike është dhënë për një afat 25-vjeçar, në përputhje me jetëgjatësinë e pritshme të impiantit.

Shoqëria duhet të nisë prodhimin e energjisë elektrike brenda datës 31 dhjetor 2025, ndërsa testimi i veprës duhet të dokumentohet në ERE jo më vonë se 60 ditë nga fillimi i operimit.

Projekti parashikon që “Global Technical Mechanics” t’i japë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë falas në formë royalty 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën e tij monetare, e cila do të derdhet në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, një pjesë e prodhimit do t’i shitet detyrimisht furnizuesit publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për ndërtimin e këtij centrali, shoqëria është pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme, përfshirë miratimin e pikës së lidhjes me rrjetin e shpërndarjes nga OSSH dhe vendimin për Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) paraprak nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Ndërkohë, më 23 maj 2025, kompania ka nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kontratën për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e impiantit fotovoltaik.

Ky investim pritet të rrisë kapacitetet gjeneruese dhe të diversifikojë burimet e energjisë në verilindje të vendit, duke kontribuar në objektivat kombëtare për tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button