Sport

Formula 1 në Monza, Hamilton: Besoj te kthesa e Ferrarit 

Monza mirëpret Formula 1, me Luis Hamiltonin gati për të përjetuar Çmimin e Madh të parë të Italisë si pilot i Ferrarit.

Pasi ka kaluar një sezon jashtëzakonisht të vështirë deri tani, 7 herë kampioni i botës shpreson të ketë një fundjavë të bukur në “tempullin e shpejtësisë”, siç theksoi në konferencën e djeshme për shtyp.

“Më pëlqen të mendoj se po shohim dritën në fund të tunelit. Nuk dua të shqetësohem për të nesërmen, por të shijoj çdo moment të së tashmes”, u shpreh piloti i Ferrarit. Pas gabimit të rëndë fundjavën e kaluar në Zandvort, ku përplasi makinën e tij gjatë garës, Hamilton dëshiron të lërë pas të gjitha vështirësitë e përjetuara deri tani në këtë sezon të parë me Ferrarin.

Piloti është i sigurt se dashuria e tifozëve të pranishëm në Monza mund ta ndihmojë të kthejë faqe, në një pistë ku ai ka fituar plot 5 herë (rekord i përbashkët me Mikael Shumakerin). “Dashuria e tifozëve të Ferrarit është e papërshkrueshme. Dje kishte turmë të madhe në Milano për të na pritur, por edhe jashtë fabrikës në Maranelo. Kur pashë logon e Ferrarit… më është dashur t’i jap vetes një pickim.

U përpoqa të thithja gjithë energjinë pozitive. Unë jam ende i ri në këtë ekip, kështu që çdo fundjavë është ndryshe. Vitin e kaluar Lëklerk fitoi këtu në Monza dhe makina jonë gjithmonë ka funksionuar mirë në këtë pistë. Jam kurioz të shoh se si do të shkojë këtë vit. Kam qenë më parë në podiumin e Monzës dhe aty kam parë se çfarë përfaqëson Ferrari për pilotët e tij”, shtoi Hamilton.

Ndërkohë i pyetur nëse e ka zgjedhur Ferrarin edhe për Niki Laudën, 40- vjeçari tha: “Unë ende kam shumë dashuri për të, por e kam zgjedhur Ferrarin sepse më pëlqente ta shihja Shumakerin në atë makinë të kuqe dhe shihja gjithë dashurinë e tifozëve. Doja edhe unë t’i provoja këto ndjesi. Niki, megjithatë, është gjithmonë i pranishëm në mendjen time dhe e di saktësisht çfarë do të më thoshte në këtë moment. Ai ishte një luftëtar i madh”, përfundon Luis Hamilton, i cili kërkon podiumin e parë me “kokëkuqen”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button