Skandali në US Open, fotografi i përjashtuar, vetëshpallet ‘viktimë’

Një nga episodet më të çuditshme të edicionit të këtij viti të US Open lidhet me fotografın turk, Selcuk Acar, i cili u përjashtua nga turneu pas një incidenti të pazakontë në ndeshjen mes Daniil Medvedev dhe Benjamin Bonzi.
Ngjarja ndodhi të dielën mbrëma, kur Acar hyri papritur në fushë pikërisht në momentin që Bonzi po përgatitej për të kryer një shërbim të dytë, me pikë ndeshjeje ndaj rusit. Situata shkaktoi kaos: Medvedev shpërtheu në zemërim kur gjyqtari i karriges, Greg Allensworth, vendosi t’i jepte rivalit francez një shans të ri me shërbim të parë. Loja u ndërpre për më shumë se gjashtë minuta, ndërsa tensioni në stadium u rrit ndjeshëm.
Pas përfundimit të ndeshjes, organizatorët e US Open morën vendimin për të hequr akreditimin e fotografit dhe për ta nxjerrë jashtë kompleksit Billie Jean King Tennis Center. Megjithatë, Acar nuk pranon asnjë faj. Në deklarata për mediat britanike, ai u shpreh i indinjuar:
Unë jam viktima. Siguria e turneut më lejoi të hyja në fushë pa asnjë problem.”
Fotografi këmbëngul se nuk e ka shkelur rregullin me qëllim dhe se përgjegjësinë duhet ta mbajë stafi i sigurisë, i cili sipas tij nuk e pengoi hyrjen.
Ky incident i pazakontë jo vetëm që la shije të hidhur për Medvedev, i cili u eliminua që në raundin e parë, por hapi edhe diskutime të mëdha mbi masat e sigurisë dhe organizimin e një prej turneve më prestigjiozë në botë.
Çështja e ‘Acar’ pritet të vazhdojë të diskutohet, pasi ai nuk e ka ndërmend ta mbyllë me kaq historinë, duke e cilësuar veten si të keqtrajtuar dhe të penalizuar padrejtësisht.