Korçarja e martuar me një palestinez që jeton në Gaza: Humbëm djalin. Duam të mbarojë l*fta

Abdallah Jaber jetoi mbi 30 vite në Shqipëri, dhe sot ndodhet në Gaza. Jeta aty është në mes të luftës, dhe jeton së bashku me gruan e tij korçare Albina Sadikajn. Lufta iu mori Ibrahimin e vogël, një nga tre djemtë e tyre. Ndërsa djali tjetër, Ahmedi, që po jeton në Shqipëri është ndarë për së gjalli nga prindërit.
”Nuk kam zemër të flas për Ibrahimin. Ishte një djalë i shkëlqyer. Shumë njerëz më pyesin Abdullah pse qëndron aty në këto kohë të vështira? Unë i thashë Albinës dhe kalamajve ikni se nuk mund ta lë mamin këtu vetëm. Dhe përgjigja normale e një shqiptari ‘asnjëherë nuk të lë vetëm”. Dhe shyqyr zotit kemi bashkë e të bashkohemi në xhenet dhe me Ibrahimin”,shprehet Abdallah Jaber.
Shtëpia e tyre është bombarduar dy herë dhe qëndrimi i përkohshëm në tendë nuk është i sigurt. Sulmet nuk janë shqetësimi i vetëm, mbi të gjitha ushqimi, barnat apo kujdesi mjekësor është thuajse i pamundur. ”Thonë që u hap kufiri, po vërtetë e kanë hapur kufirin por për filma jo për ndihma. Ata regjistrojnë hyrjen e mauneve por ushqimet i hedhin në vijën e kuqe ku nuk lejojnë njerëz të kalojnë dot për t’i marr, po vazhdojnë fëmijët tanë të vdesin nga mungesa e ushqimit”,-thotë për TCH.
Nën kërcënimin e përditshëm të predhave, familja palestinezo shqiptare nuk humb besimin dhe ka një lutje. ”Duam të mbaroj lufta”, bën thirrje Jaber./kohajone.com