“Të rinjtë’ po punojnë nën rrogoz!” Karamuço: Janë zbardhur ngjarjet kriminale deri 2021, të tjerë s’bien në sy…

“SPAK ka ‘gjunjëzuar’ shumë banda kriminale, por ka të tjera që ende nuk njihen!” Këtë tha profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço duke shtuar se kjo është një sfidë për Gjykatën e Posaçme.
Sipas tij janë zbardhur vetëm ngjarje, që kanë ndodhur deri në mars të 2021.
Edhe në Shkodër ka emra të rinj, që do t’i marrim vesh kur të fillojnë bëmat e reja! Edhe për Lezhën, Kukësin, janë disa zona që nuk i kemi llogaritur, por na dalin që kanë aktivitet. Kemi Rrëshenin, Dibrën, kemi Korçën që vijnë të dhëna nga policia greke, që thotë kalojnë kokainë, kalojnë heroinë. Kush grup i ka në posedim? Janë disa grupe që kanë punuar nën rrogoz, me vitrinën e bizneseve të tyre të ligjshme! E s’kanë rënë në sy. Këtu është puna e SPAK, të luftojë dhe këta që s’bien në sy se janë të rrezikshëm,” sqaroi Ervin Karamuço.
Ai shtoi se SPAK ka kapacitete dhe mjetet që të zbulojë figurat e reja të krimit.
Ndërsa gazetarja, Anduena Llabani sqaroi se teknologjia po sofistikon grupet kriminale. Shumë nga ta shtoi gazetarja, janë ndarë në nëngrupe për shkak të eliminimit të krerëve.
Ajo bëri të ditur se janë të shpërndarë në Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe se mes tyre ka konflikte të brendshme, që jo në pak raste kanë kryer ekzekutime mafioze.
Grupet janë prekur nga SPAK, por kanë ende ndikime në zonat ku kanë vepruar. Rrënjët e tyre janë shumë të thella,” përfundon Llabani.