Politikanët, ndjekësit më të mirë të Big Brother; fusin në lista për deputet ish-banorët

Duket se politikanët shqiptarë janë ndjekësit më të rregullt të Big Brother, mundësisht të të gjitha edicioneve edhe atyre jo-vip. Në listat për zgjedhjet e 11 majit të shohin sytë jo pak, por katër ish-banorë të Big Brother, të cilët do të jenë kandidatë për deputetë.
Fotini Derxho, e cilia fitoi Big Brother 9 dhe më pas konkuroi në Big Brother Albania Vip 2, mësohet se kryeson listën e kandidatëve të partisë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt në qarkun e Gjirokastrës.

Tenori Armaldo Kllogjeri, apo Maestro i Big Brother 2, duke qenë se nuk e rikthyen më në TKOB, edhe pse fitoi gjyqin, ka menduar të kandidojë këto zgjedhje nën logon e Partisë Demokratike. Dyshohet se ai mund të kandidojë në vendlindjen e tij, në Gramsh.

Jetmir Salaj, fitues i Big Brother 3 dhe banor i Big Brother Vip 3, është joshur nga partia ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt. Jetmiri u shqua si person që grindej me të gjithë dhe është një ‘cilësi’ shumë e vyer për të qenë politikan.

Julia Ilirjani, aktorja që u fut në Big Brother Vip 3 nuk përfitoi thuajse asgjë nga eksperienca e saj në shfaqjen reality, por të paktën publiku e rikujtoi se ishte harruar fare. E gjendur pa punë, Julia nuk do ishte keq të provonte fatin si deputete.

Me pak fjalë, nga deputetët e ‘Kërpëratave’ që mendonin se Zvicra është në BE, kemi kaluar tek banorë Big Brother-i. Mesa kuptojmë, politikanët shqiptarë janë ndjekësit më të rregullt të këtij formati. /Pamfleti