Udhëtoi drejt Amerikës Latine me vizë dhe u kthye si trafikant, djali i gazetarit dhe këngëtares së njohur, një nga organizatorët e laboratorit të kokainës
Hetimet kanë zbardhur lidhjet ndërkombëtare të trafikantëve të drogës, ku Aldi Zonja, një nga personat kryesorë të grupit, dyshohet të ketë qenë në qendër të operacionit të trafikut.
Në një operacion të suksesshëm të udhëhequr nga SPAK, është zbuluar një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës në fshatin Qerekë, në Fushë Krujë. Hetimet kanë zbardhur lidhjet ndërkombëtare të trafikantëve të drogës, ku Aldi Zonja, një nga personat kryesorë të grupit, dyshohet të ketë qenë në qendër të operacionit të trafikut.
Zonja, i cili ka pasur lidhje të ngushta me trafikantët në Amerikën Latine, kishte shkuar në këtë rajon me vizë turistike, por ka mbetur atje gjatë pandemisë, ku ka krijuar kontakte me kriminelë të drogës. Sipas hetimeve, ai është një nga “kokat” kryesore që financoi dhe organizoi trafikun e kokainës në Shqipëri. Aldi Zonja është djali i gazetarit Artur Zonja dhe këngëtares Afërdita Zonja.
Pas një hetimi të gjatë, dy ditë më parë u zbulua laboratori në Qerekë, ku janë sekuestruar sasi të mëdha kokainë dhe pajisje të specializuara për përpunimin e drogës. Gjatë kontrolleve të kryera në Tiranë dhe Durrës, janë identifikuar dhe ambiente ndihmëse, ku dyshohet se droga është përzier dhe fshehur për t’u shpërndarë në tregun ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit, janë arrestuar tre persona: Edni Sejdini, pronari i banesës që shërbeu si laborator, dhe dy të tjerë, Geis Sejfullai dhe Klajd Birce, të cilët janë arrestuar në Tiranë. Po ashtu, janë sekuestruar pajisje laboratorike, përzierës kimikë dhe mjete transporti, të cilat dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal.
Ky aksion ka treguar dimensionet ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe ka nxjerrë në pah rrjetin e sofistikuar të krimit të organizuar që vepron në Shqipëri dhe në Amerikën Latine. Hetimet e mëtejshme pritet të zbulojnë më shumë detaje mbi përfshirjen e personave të tjerë dhe shtrirjen e këtij grupi kriminal./gazeta-shqip.com