Lajme

Rama reagon për vizitën e Blinken në Tiranë: Shqipëria, gjithnjë në krah të SHBA-së

Edi Rama ka preferuar të ndajë me publikun të gjitha ato që i quan angazhime të Shqipërisë në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Sekretari amerikan i Shtetit gjatë vizitës në mesin e javës tjetër në Tiranë do të gjejë në vendin tonë.

Në një postim të gjatë, kreu i qeverisë e vlerëson si vlerë të veçantë për Shqipërinë këtë vizitë, të parën e Antony Blinken në Tiranë, dhe rendit të gjithë qasjen e qeverisë për të qenë faktor stabiliteti në rajon.

“Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës”.

Suksesi i Reformës në Drejtësi, e mbështetur fort nga SHBA, është një tjetër arsye përse Rama mendon se Shqipëria duhet të jetë krenare kur të paraqesë listën e bilanceve që do t’i prezantohen Sekretarit Bliken.

“Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Rama rreshton dhe të gjitha përpjekjet për të qenë një anëtare e denjë në gjirin e NATO-s, por dhe një partnere e besueshme e SHBA që ka një kontribut të konsiderueshëm edhe financiar për disa reforma të rëndësishme shtetformuese.

“Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor”.

Në fund ndërsa rreshton dhe të gjitha reformat ekonomike dhe nuk harron të bëjë dhe një ftesë që pranon që do t’i adresohet dhe Sekretarit Blinken për më shumë vëmendje nga ana e investitorëve amerikanë drejt tregut shqiptar dhe qytetarëve amerikanë drejt turizimit tonë.

“Sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar”.

Bliken do të jetë në Tiranë në 15 Shkurt, fiks në të njëjtën datë kur dy vjet më parë priti në Uashington në zyrën e tij në Departamentin e Shtetit Edi Ramën.

Veç Kryeministrit, në informacionin e rezervuar që organizatorët e kësaj vizite kanë zbuluar, mësohet se Antony Bliken do të takohet dhe me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.

POSTIMI I PLOTË I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:

Ardhja e një Sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë. E teksa përgatitemi për t’i uruar mirëseardhjen mikut të çmuar, dua të rinënvizoj angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e zhvillim.

Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është vijimësisht gati të angazhojë trupa dhe burime të reja, në kuadrin e angazhimit kolektiv të të gjitha vendeve anëtare për fuqizimin e NATO-s, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme që mishërojnë vetë arsyen ekzistenciale të komunitetit tonë demokratik.

Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shembëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj.

Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë, ku qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re, në përpjekjen e madhe për zhbërjen e kulturës së vjetër të pandëshkueshmërisë.

Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike, ku vendosja e sundimit të barabartë të ligjit përbën kushtin themelor të ndarjes epokale me të shkuarën njëqind e kusur vjeçare të pabarazisë para ligjit në këtë vend. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Prandaj Sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar.

Mirësevini zoti Sekretar!

Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

Miqësia Juaj na nderon!/Tv Klan

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button