Lajme

Fundosja e anijes luksoze në Palermo, kush janë gjashtë viktimat

Pesë trupa të pajetë u gjetën të mërkurën gjatë kërkimeve nga autoritetet siçiliane në anijen luksoze me vela, Bayesian , që u fundos të hënën pranë Palermos pas një stuhie, duke e çuar numrin e vdekjeve të konfirmuara në gjashtë.

Ditën e sotme po vijojnë hetimet me synimin për të nxjerrë edhe trupin e fundit që dyshohet se gjendet brenda anijes. Sakaq, siç raportojnë mediat britanike, trupat e manjatit Michael Lynch dhe vajzës së tij, Hannah, janë ndër ata që u gjetën ditën e djeshme dhe janë identifikuar. 

Megjithatë, duke qenë se sipas ligjit italian, identifikimi mund të bëhet vetëm nga të afërmit, informacioni mbetet konfuz. Kështu, siç raporton Corriere della Sera trupat e tjerë të gjetur i përkasin kreut të Morgan Stanley International, Jonathan Blumer, gruas së tij Judith, avokatit Chris Morvillo dhe gruas së tij Nedda. 

Operacioni do të vazhdojë siç tha kreu i shërbimit të mbrojtjes civile siçiliane, Salvatore Cocina. Ai konfirmoi se janë gjetur pesë trupa,  por vetëm katër janë nxjerrë nga anija, e cila mbetet në fund të detit në një thellësi prej 50 metrash.

Anija me vela, e cila transportonte gjithsej 22 persona, u ankorua pranë portit Porticello kur u godit nga një tajfun detar, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë.

Recaldo Thomas – Ai ishte viktima e parë e konfirmuar që u gjet i pajetë nga polumbarët pak orë pasi Bayesian u fundos në det. Kanadezi që jetonte në Antigua ishte shefi i kuzhinës së anijes.

Michael Richard Lynch – I quajtur Mike, 59 vjeçari ishte një manjat britanik i IT-së, i cili konsiderohej edhe si “Bill Gates i Britanisë”. Jahti ishte i tij (edhe pse është i regjistruar në emrin e një nga kompanive të tij). E tija ishte edhe ideja e udhëtimit në Mesdhe me familjen dhe disa kolegë për të festuar pafajësinë e tij nga një çështje korrupsioni.

Hannah Lynch – Vajza 18-vjeçare e Lynch dhe Angela Bacares (e cila ishte në anije, por mbijetoi).

Jonathan Bloomer – 70 vjeçari është kreu i ‘Morgan Stanley International’.

Chris Morvillo – Ai është avokati i Leeds në SHBA dhe partner në ‘Clifford Chance’ me bazë në Nju Jork. Morvillo mbrojti manjatin Lynch në padinë që u ngrit në Shtetet e Bashkuara kundër grupit amerikan Hewlett-Packard, i cili në vitin 2011 bleu kompaninë e tij që publikon softuerin Autonomy për 11 miliardë dollarë. HP kishte akuzuar Autonomy për falsifikimin e llogarive të saj, veçanërisht duke akuzuar Lynch për fryrje artificiale të të ardhurave të kompanisë, rritjes së shitjeve dhe marzheve të fitimit.

Neda Morvillo –  Dizajnerja e bizhuterive dhe gruaja e avokatit të Lynch. E njohur si Neda Nassiri, ajo dizenjonte dhe bënte bizhuteri në Nju Jork.

Judy Bloomer – Është e fundit që po kërkohet nga ekipi i zhytësve italianë./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button