Tragjedi në sheshxhirimin e filmit “Superman”
Tragjedi në xhirimet e filmit të fundit “Superman”. Një punonjëse në ekipin e prodhimit të filmit artistik ka vdekur në “Trilith Studios”, në Atlanta. Sipas “Deadline”, ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës së 24 korrikut, kur Departamenti i Policisë Fayetteville mori njoftimin se një nga anëtarët e ekipit ishte pa ndjenja në ambientet e studios.
Punonjësja ka vdekur nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri, siç raporton “Deadline”. Po punohet ende për zbardhjen e asaj që ka ndodhur dhe ka shumë pak informacione, përtej faktit se gruaja ka punuar në xhirimet e filmit me regji të James Gunn.
Natyrisht, sipas dëshmisë së kapitenit të Departamentit të Policisë Fayetteville, Austin Dunn, opsioni që mund të jetë një krim është i përjashtuar, duke komentuar se “provat e mbledhura nuk zbuluan ndonjë dyshim për një krim të mundshëm”.
Më pas, Dunn ka konfirmuar se “nuk ka detaje të tjera që mund të ofrojmë në këtë moment, pasi hetimi është në fazat e hershme. Më shumë informacion do të jepet kur të jetë e nevojshme”, kështu që ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një rast të mundshëm të vetëvrasjes ose të një aksidenti./OraNews