Sport

“Ëndrra” europiane nis nga “grupi i ferrit”! Sytë, mendja dhe zemra drejt Dortmundit

Shqipëria përballet sot me Italinë, duke nisur rrugëtimin në Euro 2024

Mbrëmjen e  sotme, kombëtarja shqiptare e futbollit nis përjetimin për herë të dytë të “ëndrrës europiane”.

Kjo ëndërr nis nga Dortmundi, aty ku Shqipëria do përballet me kampionët në fuqi të Evropës, Italinë. Prej orës 21:00, sytë mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, madje edhe të atyre që nuk ndjekin futbollin do jetë të drejtuar drejt “Signal Iduna Park”, pasi në fund të fundit, kombëtarja na përfaqëson të gjithëve.

Por kjo ndeshje vlen shumë për ecurinë e “shqiponjave” në këtë event.

Është përballja e parë dhe, siç thonë “fillimi i mbarë, gjysma e punës”, do ishte mirë që ta nisnim me “këmbën e djathtë”. Natyrisht, nëse bazohemi në statistika, shanset që Shqipëria të fitojë janë minimale, pavarësisht se Italia ka shfaqur lëkundje gjatë kualifikueseve dhe po ashtu në miqësoret e fundit para nisjes së Euro 2024. Në fund të fundit, mbeten kampionët në fuqi të Evropës, me yje si Donnarumma, Barella, Chiesa e shumë të tjerë.

Megjithatë, nëse ka një gjë që çdo tifoz e di, është fakti që në futboll nuk ka asgjë absolute. Qoftë dhe një gol i shënuar kundër “azzurrëve” do rriste vetëbesimin e ekipit tonë kombëtar dhe do i ndihmonte që edhe me Kroacinë, apo edhe Spanjën të dalin në fushë si të barabartë.

Pavarësisht yjeve, në fushë luhet 11 vs 11, dhe futbolli është lojë skuadre ku bashkëpunimi bën diferencën. Në ekipin tonë, atmosfera është ajo e duhura, motivimi gjithashtu, dhe prandaj na mbetet vetëm të brohorasim sa më fort.

“Ëndrra europiane” nis nga “grupi i ferrit”, por kjo do e bëjë më të bukur këtë rrugëtim. Si do që të shkojë, Shqipëria na ka bërë krenarë, e mbi të gjitha na ka dhënë mundësinë të ëndërrojmë. / Gazeta shqiptare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button