Rrëfimi i Ina Gjikës: Pse u largova nga Shqipëria dhe puthja që “shokoi” shqiptarët me Arben Spiron
Me siguri fotot ju bënë nostalgjik, por nuk po lidhni dot emrin me figurën. Bëhet fjalë për aktoren Ina Gjika. Me të drejtë emrin e saj nuk e keni në “majë të gjuhës” pasi ajo është larguar nga Shqipëria 30 vite më parë.
Ajo është larguar nga vendi dhe nga aktrimi, por jo nga arti. Ina Gjika është larguar drejt Italisë ku i është përkushtuar baletit dhe pasi ka marrë formimin e duhur për disa vite ka krijuar shkollën e saj me kursë kërcimi për mosha të ndryshme.
“Unë kisha 2 vite që isha emëruar dhe punoja në Teatrin Kombëtar, largimi im qe një zgjedhje personale, mbase kurioziteti për të njohur “jashtë shtetin” e dikurshëm dhe jetuar larg në ato momente”, kështu e kujton largimin nga vendi aktorja
Famën më të madhe aktorja e pati në filmin “Vetmi” ku u realizua edhe puthja e famshme që ishte tabu për kohën, me aktorn Arben Spiro. Kjo puthje është koemntuar si një nga më të çliruarat e kohës. Sepse Ina e ka përjetuar vërtet ashtu, jo si tabu, si pjesë të punës që duhet ta çonte deri në fund.
“Në filmin “Vetmi”, ku interpretoja rolin e Suzit, ndjehesha e lirë, jo nuk pata asnjë dyshim të pranoja puthjen me partnerin tim Arben Spiro… ishim dhe jemi miq, mendoj që kjo lehtësonte gjendjen… por emocioni i asaj skene nuk ishte indiferent!”, tregon vetë aktorja.
Ina, na tregoni pak për jetën që bëni sot…
Aktualisht, jetoj në Romë, prej 27 vitesh, gjithmonë e lidhur me artin skenik, baletin kryesisht! Pasi pata disa mundësi për t’u aktivizuar si aktore në disa seriale të televizionit Italian (RAI3), njoha dhe zbulova Belly Dance, në fillim në Turqi dhe me pas në Romë! Kërcim interesant për mua, muzika shumë e ngjashme me tonën, të Shqipërisë së Mesme! E favorizuar nga studimet dhe diploma e shkollës sonë të baletit nuk m’u desh shumë të njihja mënyrën dhe stilin e këtij kërcimi, që bazën e ka gjithsesi ne folklorin e vendeve të Afrikës së Veriut dhe vendeve të Lindjes së Mesme. Dhe kështu pas një formimi 3-vjeçar, fillova të kërceja si balerinë dhe më pas ngadalë-ngadalë të krijoj një shkollë me kurset e mia, dhe studentë të moshave të ndryshme.
Në ç’rrethana jeni larguar nga Shqipëria?
Largimi im nga Shqipëria!? Rrethanat në ato vite i njohim pak a shumë të gjithë… Unë kisha 2 vite që isha emëruar dhe punoja në Teatrin Kombëtar, largimi im qe një zgjedhje personale, mbase kurioziteti për të njohur “jashtë shtetin” e dikurshëm dhe jetuar larg në ato momente.
Po me baletin çfarë ju bashkoi?
Isha në një farë mënyre në fillimin e karrierës sime si aktore dhe mendoj se edhe diploma e shkollës së baletit ose të qenurit e aftë të kërceja në skenën e Teatrit më dhanë mundësi për bashkëpunime të ndryshme me kinematografinë.
Nëse më kujtohet saktë, kam interpretuar disa role në filma të regjisorëve Spartak Pecani, Gjergj Xhuvani, Vladimir Prifti dhe në Teatrin Kombëtar me Edmond Budina, Andon Qezari. Ne vitin 1988 fitova konkursin që zhvillohej dhe të prezantoj Festivalin e Këngës në Radio Televizion, nën drejtimin e Vera Grabockës. Oh, atmosfera profesionale ishte thjesht e mrekullueshme, bashkëpunimi dhe kontaktet me aktorët ishte magji për një fillestare si mua, kam dhe ruaj kujtime të bukura dhe emocionuese!
Na tregoni diçka për filmin “Vetmi”, ishte e thjeshtë për ju realizimi i skenës së puthjes me aktorin Arben Spiro?
Në filmin “Vetmi”, ku interpretoja rolin e Suzit, ndjehesha e lirë, jo nuk pata asnjë dyshim të pranoja puthjen me partnerin tim Arben Spiro… ishim dhe jemi miq, mendoj që kjo lehtësonte gjendjen… por emocioni i asaj skene nuk ishte indiferent!
Jeni penduar që zgjodhët aktrimin, përderisa devijuat brenda artit gjatë rrugës?
Zgjodha aktrimin sepse dashuroja Teatrin dhe Kinemanë, jo nuk jam penduar, pse vallë? Në Itali, siç të shkrova më sipër, pata mundësinë, por rrethanat jetësore dhe familjare ndikojnë për zgjedhje mëse konkrete.
Si janë sot marrëdhëniet tuaja me aktrimin në Shqipëri? Keni pasur ftesa, propozime për të marrë pjesë këtu në projekte?
Për fat jo të mirë, marrëdhëniet zyrtare profesionale ka kohë që janë ndërprerë, por mendoj që mund të krijohen shpejt nëse jepet mundësia! Pas largimit kujtoj një propozim të regjisorit Artan Minarolli, por krijimi i familjes këtu në Romë dhe djali që asokohe ishte i vogël më detyruan të mos qe e mundur!
Por, mendoj që mundësitë dhe propozimet duhen kërkuar edhe, gjë që unë nuk e kam bërë deri tani… Por kohët ndryshojnë, ne ndryshojmë dhe besoj që së shpejti do jem në kërkim të mundësive!