A ka garë mes Ramës dhe Veliajt? Analisti i njohur zbulon prapaskenat e bujshme në PS dhe bën paralajmërimin e fortë: Do të shohim surpriza nëse…
Analisti Ilir Kulla, thotë se për momentin nuk ka një garë mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe se sfida e përbashkët janë zgjedhjet që do vinë.
Unë mendoj se goditja që po vjen nga SPAK ndaj gjithë sistemit politik do ti detyrojë të gjitha palët që të shohin mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si zgjedhja më e mirë, që kush ka probleme me drejtësinë të merret me drejtësinë dhe të tjerët me zgjedhjet.
Në zgjedhjet e ardhshme bashkia Tiranë do jetë shumë e rëndësishme dhe lufta për qarkun e Tiranës do jetë dhe lufta politike.
Kemi pjesën politike të lojës e cila do jetë sfidë deri në zgjedhje për çdo çështje, kemi dhe pjesën juridike dhe për të do jemi më të ftohtë, për sa kohë nuk ka një akuzë për kryetarin e bashkisë Tiranë, do jetë kali më i fuqishëm.
Duke folur në emisionin “Scrolling” të Arian Çanit Kulla deklaroi se opozita gjithmonë hajdut i ka thënë Veliajt dhe se ai ka qenë më i anatemuari edhe nga një pjesë e PS.
Shqiptarët të falin, lekët, gjakun, por suksesin nuk ta falin. Nëse nuk ka akuzë të drejtpërdrejtë nga drejtësia për Veliaj, dhe e shtjelluar mirë, kjo do të kthehet në bumerang dhe do e forcojë.
Dashje pa dashje këto arrestime kanë hapur fushatën e ardhshme zgjedhore dhe partitë politike dhe opozita janë duke i stigmatizuar të gjitha lëvizjet në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
Është hapur një lojë shumë më e madhe se karrigia e vogël e Veliajt.
Veliaj është në mandatin e tij të tretë dhe historia e tij në bashkinë Tiranë ka mbaruar.
Ai duhet të shohë një gjë tjetër, sfida e tij personale nëse do të mbijetojë politikisht, duke pasur ose jo probleme me drejtësinë ose duke investuar në një mandat tjetër të PS.
Në burg të fut ligji, nëse e ke të zeza mbi të bardhë, nuk ka Zot që të shpëtojë, ata 20 prokurorë dhe OPGJ që janë atje, në momentin që është e zeza mbi të bardhë, do dënohesh.
Nëse ka letra të zezë mbi të bardhë, nuk i shmangesh dot kësaj gjëje. Kjo është e zeza mbi të bardhë, ka dalë shejtani nga shishja.
Nëse drejtësia do arrijë të krijojë bashkëpunëtorë të drejtësisë, do të shohim surpriza./SOT.COM.AL