“Bën parimoren pas pilafit”, Myslim Murrizi telendis Spiropalin: Pse heshti kur ishte në funksion?

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka kritikuar ashpër Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën për reagimet e tyre pas largimit nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste. Sipas tij, të dy kanë zgjedhur të flasin vetëm pasi kanë humbur pozicionet që mbanin në parti.
Murrizi deklaroi se nuk ka dijeni për ndonjë votim në Asamblenë e PS-së lidhur me largimin e Spiropalit dhe Ndrecës. Ish-deputeti vuri në pikëpyetje mënyrën se si është marrë vendimi, ndërsa ironizoi funksionimin e brendshëm të socialistëve.
“Nuk di të jetë votuar në Asamblenë e PS-së për largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Asambleja është organi më i lartë dhe nuk e di kush i ka përjashtuar, por ata megjithatë kanë stilin e tyre ku flet ‘shoku Enver’ dhe të gjithë duartrokasin. Më tërhoqi vëmendjen deklarata e Ndrecës ku tha se nga sot nuk do të jetë më i heshtur. Edhe Elisa. Jo vetëm në PS, por kudo, bëjnë parimorin pas pilafit ose kur kërcënohen vetë. Duhet të flasësh atë që ti mendon se është e vërtetë dhe e drejtë kur je atje brenda”, u shpreh Murrizi për “News 24”.
Ai akuzoi dy figurat socialiste se kanë heshtur për vite me radhë ndaj vendimmarrjeve të mazhorancës, ndërsa tani, po përpiqen të distancohen nga përgjegjësitë politike.
“Por të flasësh pasi ke ikur nga 10 funksione ku ke qenë si veshka mes dhjamit, dhe të thuash sot kur ka 14 vite që shqiptarëve u vihet shkelmi në fyt edhe nga heshtja jote, me heshtjen tënde ke vrarë jo pak shqiptarë, të ka ardhur mirë të bësh tendera, të kanabizohet vendi, të shitet Shqipëria për 1 lek atje ku ka dashur Rama dhe tani nuk flasin. Kështu janë në tufë”, deklaroi Murrizi.
Teksa u ndal te reagimi publik i Spiropalit, Murrizi parashikoi se ajo do të vijojë të mbështesë me votë nismat e socialistëve në Kuvend, pavarësisht qëndrimeve të fundit.
Po të vijë radha, Elisa Spiropali do votojë sërish në rresht me mandatin e deputetit në Parlament. Po e morën vesh 99% e socialistëve në atë pamfletin që ka bërë Elisa, të më thërrasësh mua. Jo trëndafilat, jo kjo, jo ajo, nuk e ka kuptuar kush. Ke quan kërcënim Elisa? Këta që shajnë në Facebook?”, tha ai.
Murriz i bëri thirrje Spiropalit që, nëse ka marrë kërcënime konkrete, t’u drejtohet organeve të drejtësisë dhe të paraqesë kallëzim, duke përmendur edhe SPAK-un.
“Ato me emra konkretë, nëse e kanë kërcënuar, këtu është SPAK. Shko edhe kallëzoji, edhe shpifësit nëse kanë shpifur. Janë dënuar njerëzit me gjobë për shpifje. Ose në SPAK nëse ke një kërcënim të fortë, të vetja, të familja etj. Nëse e ka kërcënuar Ballukun, le ta kallëzojë. Edhe Ramën. Se unë nuk e di kush e ka kërcënuar”, vijoi ai.
Murrizi deklaroi gjithashtu se zyrtarët e mazhorancës kanë dijeni për veprimet dhe vendimmarrjet e njëri-tjetrit gjatë kohës që kanë qeverisur së bashku. Ai iu referua edhe deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me kultivimin e kanabisit.
“Këta gjatë kohës që ishin me njëri-tjetrin në pushtet, ia dinë njëri-tjetrit çfarë kanë bërë! Janë një ndërmarrje. Kur uleshin, a ka dalë Arben Ahmetaj që është marrë vendim qeverie që të mbillet Shqipëria me drogë. Jo më nuk dinë tenderat këta”, përfundoi ish-deputeti i PD.





